Ku më ka folur tashmë Zoti në jetë?

May 3 • Meditimi i ditës

 3 maj 2018 – E enjte, Shën Filipi e Jakobi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Kor 15,1-8a, Ps 18; Gjn 14,6-14)

 

Prania e Hyjit

Hyji është me mua. Madje më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.

Do të pushoj një moment, të marrë frymë lirshëm në praninë gjallëruese të Hyjit

në trupin, mendjen, zemrën time, në gjithë jetën time.

 

Liria

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shumti më bllokon prirja ime

që të lejoj të robërohem me ndjenja frike dhe pritshmëri se çfarë do të nevojitej apo do të duhej të isha.

Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe pjekurisë sime.

Lutem për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme

dhe që të mund të arrij diçka të re nga ajo çfarë Hyji kërkon nga unë.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do

i vështroj të gjitha gjërat që më kanë ndodhur ditën e kaluar,

nga ky momenti e mbrapa, hap pas hapi.

E sjell në mend gjithë atë çfarë ka qenë e mirë dhe e bukur, dhe falënderoj për këtë.

I vërej edhe hijet, anët e dobëta dhe e pyes veten çfarë më flasin; lus për shërim, përforcim, falje.

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Shpirti Shenjt le të ma ndriçojë mendjen dhe zemrën që të përgjigjem në porosinë e ungjillit:

Që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Gjn 14, 6-14

 

6 Jezusi u përgjigj:

“Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.

Askush nuk shkon tek Ati përveçse nëpër mua.

7 Nëse më njohët mua,

do ta njihni edhe Atin tim.

Që tani e njihni

dhe e keni parë.”

8 Filipi i tha:

“Zotëri, na e dëfto Atin e na mjafton!”

9 “O Filip ‑ i tha Jezusi ‑ kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohe ende?

Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.

Si thua, pra: ‘Na e dëfto Atin!’

10 Po a nuk beson

se unë jam në Atin e Ati është në mua?

Fjalët që jua them, nuk jua them prej vetvetes:

Ati që banon në mua i kryen veprat e veta.

11 Më besoni mua:

Unë jam në Atin dhe Ati është në mua.

Përndryshe, besoni për shkak të vetë veprave!

12 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

kush beson në mua,

veprat që i bëj unë edhe ai do t’i bëjë.

Madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto,

sepse unë po shkoj tek Ati.

13 Dhe çdo gjë që të kërkoni në Emër tim

do ta bëj

që të lavdërohet Ati në Birin.

14 Nëse do të më kërkoni ndonjë gjë në

Emër tim, do ta bëj.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Filipi është një apostull më pak i njohur. Diskutimi lidhur me kuptimin e situatës shkaktoi një refuzim të butë, por disi të zemëruar të Jezusit në Darkën e Fundit: “O Filip, kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohe ende?
  • Filipi është me Jezusin që nga fillimi. Sipas shkrimeve të Gjonit, ai ishte nxënësi i katërt i Jezusit. Thirrja e tij ishte e veçantë. Ndërsa Andreu dhe Gjoni e panë dhe shkuan te Jezusi, Pjetrin e solli Andreu, Jezusi e ‘gjeti Filipin dhe i tha atij: Eja pas meje’. A mund ta dëgjoj thirrjen e Jezusit në jetën time?
  • A vërej te vetja diçka nga karakteri i Filipit: edhe pse po jetonte me Jezusin dhe e dëgjonte, kërkonte diçka edhe më shumë. Ndërsa lutem sot do të marr pak kohë dhe do të përgjoj se ku më ka folur tashmë Zoti në jetë. Para se të kërkoj diçka tjetër do t`i kujtoj dhuratat që Zoti tashmë m`i ka dhënë.
  • E admiroj sinqeritetin e Filipit. Ka qenë i aftë hapur dhe miqësisht t`ia shprehë Jezusit nevojat e veta.

Ndërgjegjësohem se nuk ka asgjë në zemrën apo mendjen time që s`do të mund t`ia shprehja Jezusit, madje edhe nëse do ta kisha të vështirë t`i gjeja fjalët. I lejoj Zotit që t`i “lexojë” këto dëshira të thella të zemrës sime që shkojnë përtej fjalëve të mia.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, ti na thërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë. Më ndihmo të shkoj përtej zonës sime të rehatisë dhe të jap fryt në shërbimin tënd.

 

Përmbyllja

Faleminderit, o Zot, për këto momente që i kalova vetëm me ty.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »