Etnonimi Arbëresh – Shqiptar. Kontribut për autoktoninë e shqiptarëve

May 4 • Histori, Kulturë

Nga Prof. dr. Engjëll Sedaj

Për emrat e popullit shqiptar[1] dhe për emrin e vendit të tij, sot ekziston literaturë e mjaftë shkencore dhe publicistike, pothuajse në të gjitha shkencat shoqërore shqiptare dhe tanimë janë zvogëluar shumë dilema përkitazi me burimin dhe etimologjinë – kuptimin e drejtë – të etnonimit[2] [3] [4] [5] arbëresh (arbër) dhe shqiptar.

Janë botuar edhe punime të veçanta për krahinën fushore të Arbnisë, siç quhet (sipas shqiptimit vendës) kjo krahinë, që shtrihet në perëndim të rrethit të Krujës, prej nga buron toponimi dhe etnonimi Arbni-arbnor (arbnuer), si dhe për Ipeshkvinë e Arbnit, si formacion i vjetër i organizimit kishtar, pastaj për Principatën e Arbnit, për Mbretërinë e Arbërisë në mesjetë, etj., nga të cilat në vijimësi paraqitet etnonimi arbëresh, si një kauz sublime nacionale, me funksione fundamentale të kulturës shqiptare.

Ku banonin albanët antikë dhe çfarë shtrirje gjeografike kishin arbnorët (arbanët) mesjetarë, pastaj cilat pjesë të Shqipërisë së Mesme fillimisht shënonte emri gjeografik i Arbërit, si është përhapur dhe përgjithësuar gjatë shekujve emri i arbnorëve në të gjitha krahinat shqiptare, dhe cila periudhë shoqërohet me afirmimin dhe njësimin e plotë të emërtimeve me përmbajtje të mirëfilltë etnike “arbër”, përse këta arbnorë e ndërruan emrin e tyre dhe u quajten “shqiptarë”, apo a kanë pasuar shqiptarët ndonjë emërtim të përbashkët para se të quheshin arbër, si dhe çështje të tjera të ngjashme, ishin, si të thuash, tema atraktive në të gjitha fushat shkencore albanologjike. Këto çështje edhe aktualisht shtrohen (dhe studiohen) pothuajse në të gjitha nivelet arsimore të shkollës shqipe, sikurse edhe në rrethana të tjera shkencore dhe kulturore.

Me fjalë të tjera, po të ndiqet me kujdes etnonimia shqiptare prej fillimit deri më sot, qoftë edhe vetëm përmes dy emërtimeve, që janë: arbëresh-shqiptar, ajo do të paraqiste një histori të shkurtër të popullit shqiptar, si dhe një pjesë të mirë të studimeve shqiptare në përgjithësi; këto dy emërtime në mënyrë statike e kanë shënjuar pro primo elementin etnik të shqiptarëve, pavarësisht nga evolucionet historike të tyre gjuhësore dhe gjeofizike, që nuk përjashtojnë dimensionin zhvillimor.

Siç dihet, emri lidhet ngushtësisht me ekzistencën, sepse asgjë, askush dhe askund nuk ekziston pa emër, kështu që populli shqiptar para se t’ i ketë tiparet themelore të përbashkëta shqiptare, që janë zakonet popullore, gjuha, besimi fetar dhe vetëdija e unitetit, ai duhet ta ketë etnonimin e vet.

Në të vërtetë, këto probleme kanë të bëjnë sidomos me kapitujt e parë të historisë së popullit shqiptar, të vendit të tij dhe të historisë së gjuhës shqipe, kështu që me këto çështje janë marrë dijetarë të huaj dhe shqiptarë më eminentë, prej J. Tunmanit (1746-1778), i cili qe një ndër të parët që shikonte te shqiptarët të bijtë e ilirëve, duke i quajtur këta popull kryesor (gjerm. Hauptvolk) të Mesdheut,[6] e deri tek ata të ditëve tona,[7] duke hedhur dritë nga aspekte të shumta e të ndryshme.

Ky historian gjerman, me qëllim që t’i evitonte dilemat në ndryshimet gjuhësore të etnonimit arbëresh, ndërmjet tjerash, shkruan: “Ata quhen Albanoi dhe Arbanoi, Albanitas dhe Arbanitas, sepse 1-ja dhe r-ja e sotme këmbehen”[8] dhe në këtë mënyrë i jep karakter përgjithësues këtij etnonimi, madje duke përcaktuar edhe vendin e tyre “si pasardhës të banorëve të stërlashtë të kësaj pjese të Ilirisë”, kurse dijetari anglez U. M. Lik (W. M. Leake) shkruan se me emrin Albanoi / Alvanoi, Albanites / Arvanites më parë grekët i quanin të gjitha fiset ilire fqinj të këtij fisi, të cilat flisnin një gjuhë të përbashkët, kështu që praktikisht prej grekëve e kishin pranuar edhe italianët etnonimin Albanensis (Albania).[9] Në këtë drejtim, pas G. von Hahnit,[10] i cili orientimisht edhe e përcakton ubikacionin e kryeqytetit të albanëve antikë, V. Tomasheku (W. Tomaschek) është mbase i pari dijetar i huaj që shkruan gjerësisht për Albanopolin dhe albanët e Ptolemeut[11] në lidhje me emrin më të vjetër nacional të shqiptarëve, si dhe përkitazi me disa emra antikë të Gadishullit Ballkanik Perëndimor dhe me emrin e ishullit Arbe (Rab) në Kroaci. Mirëpo, ky dijetar në disa pikëpamje edhe e përgjithëson këtë çështje, kurse, në një mënyrë më konkrete, qysh më 1857, J. F. Falmerajeri (J. Ph. Fallmerayer) shkruan se “të gjitha kombet e tjera, të aferta ose të largëta, këtë popull (sc. popullin shqiptar, E.S.), qysh kur shfaqet së pari në histori, e njohin me emrin: Albaner, albanezë, arbanitë dhe arnautë, ndërsa vendin në të cilin banojnë ata, e kanë njohur si Albania, Arbania dhe Arbëria”[12] Njëherazi ai mendon se është e diskutueshme çështja e kuptimit dhe e prejardhjes, e përdorimit dhe e përhapjes së emrave të vendit dhe të popullit: albanë, shqiptar, gegë, toskë, albaner, arnaut dhe arbanit,[13] duke ia dhënë një kahje të mbarë rrugës së ndriçimit shkencor të kësaj etnonimie, kurse Hahni vetë, përveç konstatimeve dhe shpjegimeve të shumta përkitazi me etnonimin dhe toponimin arbëresh (Arbëri), përpiqet të kontribuojë edhe në një drejtim tjetër, duke sqaruar dilemën në mes Albanisë së Kaukazit dhe “Albanisë” sonë, “pasi në Kaukaz Albania më sa duket nuk ekziston më”, shkruan ai.[14] Ky albanolog i njohur gjerman mendonte se Arbëria në një kuptim më të ngushtë shënonte malësinë pas Vlorës, kurse në një kuptim më të gjerë ajo shënonte edhe Himarën dhe zonën e Delvinës.[15]

Një bashkëkohanik i tij më i vjetër, gjithashtu gjerman, J. R. fon Ksylanderi (J. R. v. Xylander, 1794-1854)), madje, në veprën e tij (Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren, 1835), përdor të dy emërtimet më të përgjithësuara të popullit shqiptar, duke shfaqur edhe para lexuesve (gjermanë) realitetin e gjendjes faktike në përdorimin e këtyre emërtimeve,[16] [17] [18] siç do të veprojë më vonë, në mënyrë të ngjashme edhe filologu francez, A. Dozon, duke titulluar veprën e tij: Manuel de la lange chkipe ou albanaise (Paris, 1879), si të thuash, për t’i plotësuar kërkesat e jashtme dhe të brendshme në përdorimin e etnonimit të populht shqiptar. Një gjendje bietnonimike ekziston pothuajse në mbarë literaturën albanologjike dhe ajo mund të krahasohet edhe nga disa bibliografi (të librit shqip), sidomos të botimeve nga shek. XIX-XX.[19] [20]

S’do mend, ekzistenca e dy ose më shumë formave për shumë emra etnikë ose të banorëve të vendeve, sado që paraqet dilema të konsiderueshme, madje edhe anomali, siç është rasti i francezëve dhe anglezëve (ose britanikëve),[21] [22] është një dukuri e përhapur edhe te disa popuj të tjerë, duke manifestuar zhvillime historike etnonimike të tyre. Kështu, bie fjala, “gjermanët” në gjuhën shqipe i emërtojmë sipas ital. Germania (lexo: Gjermania); italianët vetë i quajnë ata tedeschi (tedeski), francezët allemand (alma), anglezët German (xhermën), serbët Nemci, etj., kurse ata veten e quajnë Deutscher (Dojçer), që është një trajtë vetëm në përdorimin e brendshëm. Natyrisht, secili prej këtyre emërtimeve e ka shpjegimin e vet, i cili shpjegim ngërthen jo vetëm momente gjuhësore, por edhe historike dhe politiko – shoqërore, kurse vetë fjala Germania, që është më e përhapura në përdorimin e jashtëm, ka mbetur ende pa etimologji të sigurt, që tregon edhe lashtësinë e saj.[23] [24]

Kështu, ndër shqiptarë, përveç dy emërtimeve më të përhapura: arbëresh dhe shqiptar, ekzistojnë emërtime të tjera, sipas shtrirjes regjionale më të gjerë dhe më të ngushtë, siç janë: gegë (Gegëni), toskë (Toskëni, Toskëri), çamë (Çamëri), labë (Labëri), pastaj : matjan, pultjan, llapjan, drenican, etj., sikurse që ekzistojnë tregues etnonimikë më të ngushtë, që përcaktojnë qytetin e origjinës, si: korçar, tetovar, shkodran, shkupjan, tiranas, prishtinas, durrësak, etj.

Në aspektin e terminologjisë etnografike (dhe gjeografike) aktualisht mund të thuhet se Shqipëria ndahet në Gegëri (që është Shqipëria e Sipërme ose Veriore) dhe në Toskëri (që është Shqipëria e Poshtme ose Jugore), por edhe në krahina të tjera, që kanë rezultuar edhe me emërtime etnonimike të tyre, si të thuash, sekondare, të cilat nuk mund të jenë në kundërshtim me etnonimin bazë të popullit shqiptar, e as në kundërshtim në mes vete, domethënë në mes gegëve dhe toskëve.

Koncepti i etnonimisë shqiptare, në kuptim të emërtimeve të posaçme për banorët e krahinave, të qyteteve dhe të fshatrave, i kalon kufijtë e trajtesës sonë, e cila në plan të parë pretendon të japë kontribut në autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre, kështu që edhe në këtë aspekt tema jonë është mjaft e kufizuar në dy trajtat etnonimike, që janë arbëresh-shqiptar, duke pasur parasysh se popujt e tjerë na quajnë, pak a shumë, në një trajtë të përbashkët: (angl.) Albanian, (frëngj.) Albanais, (ital.) Albanese, (gjerm.) Albaner, (serb.) Arbanas (Albanac), (greq.) Arvanit, (turq.) Arnaut, etj.

Kjo traditë e etnonimit është ruajtuar në përdorimin e jashtëm edhe për shqiptarët e diasporës (së vjetër në Greqi, Itali dhe Dalmaci), e cila përsëri dëshmon një episodë të historisë së popullit shqiptar, kështu që edhe aktualisht, për shembull, kur thuhet se ai flet ose shkruan arbërisht, kjo do të thotë se flet (ose shkruan) në të folmen e shqiptarëve të Greqisë, të Italisë së Jugut ose të Arbneshit të Zarës në Dalmaci, pra, në të folmen e arbëreshëve aktualë.

Në krahasim me shembullin e përmendur më sipër të “gjermanëve”, etnonimi arbëresh në gjuhët e huaja, përkatësisht te popujt e tjerë, na del më i qëndrueshëm, sikur në përdorimin e jashtëm, ashtu edhe në atë të brendshëm, sepse edhe lidhjet e këtyre dy faktorëve ishin më të qëndrueshëm, sidomos lidhjet e faktorit latino-perëndimor me faktorin e brendshëm shqiptar ishin favorizuese në paraqitjen dhe ruajtjen e etnonimit arbëresh, kurse përdorimi i emërtimeve sporadike (dhe sekondare), siç janë emërtimet epirot dhe makedon në letërsinë e vjetër shqiptare, sikurse që do të veprojnë rilindasit shqiptarë me konceptin e pellazgëve të vjetër dhe të ilirëve, do të jenë në shërbim të identitit sa më të plotë të arbëreshëve me kohën antike./drita.info

[1] Edhe më tutje do të përdoret sintagma “populli shqiptar” dhe mbiemri “nacional”, pa pretendime që të bëhet zëvendësimi me fjalën kombësi, komb (shqiptar), e cila fjalë zakonisht përdoret si sinonim për “shtet”, “vend”, ose kombëtar, kombëtarizoj me kuptim “shtetëror”. (Krh. Ali Dhrimo, etj. Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe, Tiranë, 2002, p. 192.). Në fakt, kjo fjalë (komb, kombësi), e cila e ka rrënjën te fjala (arabe) kaum, edhe me kuptim të “bashkësisë” dhe të “fisit”, ka hyrë në përdorim më vonë në gjuhën shqipe, dhe pavarrësisht nga përdorimi i shpeshtë, nuk i përgjigjet plotësisht përmbajtjes etnonimike. (Krh. B. Merxhani, Formula të Neoshqiptarizmës, “Apollonia”, Tiranë, 1996, pp. 169-170.)

[2] Etnonim është fjalë e përbërë greke nga ethnos – popull dhe onoma – emër, kështu që këtu do të ketë kuptimin e emrit të popullit, emrin e bashkësisë etnike të një vendi të banuar, të një krahine, të një shteti. Në greqishten e vjetër popull do të thotë laos (me kuptim të popullit të zgjedhur, të popullit të Hyjit) dhe demos (me kuptim të organizimit politik të popullit), kurse ëthnos shënonte më tepër popujt e huaj, popujt paganë, por që jep kuptimin e popullit të një gjaku dhe të së njëjtës strukturë sociologjike. Ndoshta këtu qëndron arsyeja që pikërisht fjala ethnos ka një shtrirje më të gjerë ndërkombëtare. Në zëvendësim me fjalën etnonim mund të përdoret edhe termi (greq.) etnikon, që do të thotë etni, gjithashtu me kuptim të popullatës së një vendi.

[3]  Krh. D. Luka, Shënime mbi toponomastikën e Krahinës së Krujës, pp. 97-115.; Idem, Të dhëna të onomastikës së trevës së Krujës, pp.; Idem, Studime gjuhësore, I, 104-108.

[4] A. Meksi, Peshkopata e Arbërit, pp. 30-44.

[5]  Dhimitër S. Shuteriqi, Një mbishkrim i Arbërit (1190-1216) dhe mbishkrime të tjera të gjetura në Mirditë, te: Studime historike 3-III (1967), pp. 131-158; Injac Zamputi, Dy mbishkrimet e fillimit të shek. XIII dhe lidhjet e tyre me Principatën e Arbërit, te: “Hylli i Dritës,” 5-6 (1995), pp. 16-29; E. Lala, Mbretëria e Arbërisë, pp. 12-28; K. Biçoku, Rrugët nëpër vilajetin e Krujës të shek. XV dhe Iokalizimi i Shufadusë, te: Studime për epokën e Skënderbeut, 3, pp. 429-433.

[6] Thunmann, Untersuchungen, 270.

[7]Këtu po veçojmë vetëm disa albanologë bashkëkohorë: Demiraj, Prejardhja e shqiptarëve, pp. 175-250; Idem, Rreth emrit të lashtë të popullit; Idem, Gramatikë historike, 49-52; Ismajli, Emri i shqiptarëve, pp. 96-104; Idem; Gjuha shqipe e Kuvendit, pp. 224- 230; Lafe, Njësi dhe vijimësi në formimin e etnonimeve shqiptare, pp. 55-61; Doçi, Antroponimia e shqiptarëve, pp. 34-45. K. Biçoku, Viset etnike shqiptare, pp.25-36; P. Xhufi, Arbëri dhe Arbëria në burimet historike të shek. V-XV, pp. 54-55.

“Thunmann (Untersuchungen iiber die Geschichte, p. 242.) shkruan: „Sie nennen sie Albanoi und Arbanoi, Albanitas und Arbanitas, weil sie heutig 1 und r verwechseln“

[9] W. M. Leake, Researchrs in Graece, London, 1814; Dr. Shpresa Hoxha, Leake për origjinën e shqiptarëve, te: „Koha ditore“, Prishtinë, më 20.11.2004, p. 26.

[10]J.G von Hahn, Reise durch die Gebiete, 14; Idem, Albanesische Studien I, p.18.

[11] Krh. Payl-Wissowa, Real – Enziklopadie I, 1894, p. 1307 (zëri Albanopolis); W.Tomaschek ndër studiuesit gjermanë të antikës greko-romake (të viseve tona) dallohet me studimin e tij: Wo lag Scupi, die Metropolis von Dardania? Zur Kunde der Hamus – Halbinsel (Ku shrihet Scupi, metropoli i Dardanisë? Çështje të Gadishullit Ballkanik.) Vjenë, 1882; Die alten Thraker I Ubersicht der Stamme, (Thrakasit e vjetër I, Vështrim i origjinës), Vjenë, 1893 dhe II Sprachreste, 1. Glossen und Gotternamen, 2. Personenname und Orstnamen, (Mbetjet gjuhësore, 1. Glosat dhe emrat e perëndive, 2. Emrat e njerëzve dhe emrat e vendeve), Vjenë, 1893

[12]Cituar sipas: Autoktonia e shqiptarëve, p.l 19.

[13]Autoktonia e shqiptarëve, p. 122.

[14] Hahn, Udhëtime nëpër vise, 32.

[15] Albanesische Studien, 1,230.

[16]J. G. Von Herder (1744-1803) kishte përdorur emërtimet në një renditje të ndryshme: “shqiptarët, vllehët, amautët, që kanë dalë nga ilirët, trakët dhe maqedonët e lashtë”. (Autoktonia e shqiptarëve, 49.)

[17]Titujt e këtyre dy veprave, njëra e Ksylanderit, e tjetra e Dozonit, mund të përkthehen: Gjuha e arbëreshëve ose shqiptarëve; Doracak i gjuhës shqipe ose arbërishte.

[18]  Krh. gjithashtu: Albanien, Schatze aus dem Land der Skipetaren, (Katalog), Hildesheim, Mainz, 1988 (sine autore)

[19]  Krh. Emil Legrand, Bibliographie albanaise, pp. 1-200; Gaetano Petrotta, Popolo, linuga e letteratura, pp. XVII-LIV.

[20]  Mjaft karakteristik është fakti se frankët (e vjetër), nga të cilët janë quajtur francezët (dhe Franca), ishin të racës gjermanike, kështu që ky popull aktualisht bart emrin e „gjermanëve”, kurse në kohën antike banorët e „Franccs“ quheshin galë, të cilët kanë qenë një fis i madh i keltëve. (Krh. N. Banašević, etj. Francuska književnost, Sarajevo-Beograd, 1976, p. 8.). Ndërkaq, trajta shqipe freng (frengj) mbase është një oientalizëm, qysh nga koha kur arabët i kishin quajtur Freng, Efreng, Efrengij, dhe i ka ardhur shqipes nga turqishtja.

[21] Britanikët janë një racë mjaft e përzier, e përbërë nga keltë, anglë, saksonë, piktë etj.

[22]Fjala “deutsch” është paraqitur për të parën herë në vitin 786, në një tekst latinisht, në trajtën theodiscus, që kishte të bënte me gjuhën, përkatësisht që shënonte gjuhën e popullit për dallim nga gjuha latine. Në një dokument nga viti 801, kjo gjuhë është shënuar si Teudisca lingua, kurse më vonë si nationes Theotiscae dhe Theotisci, që do të thotë se tanimë shënonte popullin, d.m.th. fiset gjermanike. (Krh. më gjerësisht: Ognjan Radović, Uvod u istoriju nemačkog jezika, Beograd, 1975, p. 71.).

[23]Historiani romak, Kornel Taciti (55-127), në veprën e tij Germania, shkruan për nja 50 fise gjermanike në hapësirën veriore të Danubit të Epërm dhe të Rajnës Lindore deri te lumi Visla. Ky historian i ndan këto fise në tri grupe të mëdha, që ishin: saksonët, istveonët dhe hermionët, prej të cilëve, më vonë, paraqiten anglët, frankët dhe alemanët, emërtime këto që sot shënojnë jo vetëm gjermanët, por edhe anglezët dhe francezët. (Krh. O . R a d o v i ć, vep. e cit., p. 57.).

[24]Sipas Rr. Zojzit (Ndarja krahinore, p. 25), emri gegë është trajtë e shkurtër e antroponimit Gërgur, Gregor, kurse A r s h i Pipa (The politics of language in socialist Albania, New York, 1989, 190.) mendon se etimologjia e emërtimeve Geg dhe Tosk nuk është e qartë.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »