Shpirti Shenjt ndihmon t`i zgjidhim problemet duke reflektuar në bazë të përvojës sonë

May 7 • Meditimi i ditës

7 maj 2018 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 16,11-15; Ps 149; Gjn 15,26-16,4)

 

Prania e Hyjit

Gjatë kohës që je duke e filluar këtë tërheqje, pusho një moment të shkurtër për ta drejtuar vëmendjen tënde në brendësi.

Merr tri herë frymë thellë, qetësohu dhe njihe që je në praninë dashuruese të Zotit, i cili është me ty ndërsa po e fillon këtë udhëtim zhvillimi dhe zbulimi.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të çlirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie,

në lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I lejoj vetes t`i ndiej këto raporte dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpërmes tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rënduar, disa janë këputur:
për këtë arsye ndoshta ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lutem për dhuratën të mund të pranoj dhe të fal.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri për të biseduar me mua;

Ke ecur dhe vepruar nëpër këtë tokë; ke pësuar të nxehtët dhe të ftohtët.

Koha të cilën e ke kaluar në tokë ka qenë për ty e mbushur me kujdesin për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ringjallur të vdekur; kurse ajo më e rëndësishmja – mua më ke shpëtuar nga vdekja.

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Gjn 15, 26-16,4a

 

Në atë kohë, Jezusi tha:

26 E kur të vijë Mbrojtësi,

të cilin do t’jua dërgoj prej Atit

‑ Shpirti i së Vërtetës, që rrjedh prej Atit ‑ Ai do të dëshmojë për mua.

27 Por edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua,

spese jeni me mua që në fillim.

1 Jua thashë këto

që të mos moliset feja juaj.

2 Do t’ju përjashtojnë prej sinagogave.

Edhe më! Po vjen koha,

kur secili, që t’ju vrasë,

të mendojë se i bën shërbesë Hyjit.

3 E do të veprojnë kështu,

pse nuk e njohën as Atin as mua.

4 Jua tregova këto gjëra

që, kur të vijë koha,

t’ju bjerë ndër mend se jua pata thënë.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm nga Shkrimi Shenjt:

 

·                     Kur të vijë Mbrojtësi/Ngushëlluesi … Shpirti Shenjt, Ngushëlluesi nuk vepron si një njeri i bezdisshëm i huaj, duke pëshpëritur në veshin tim lajme të habitshme. Përkundrazi, ai më ndihmon që të jem vetvetja dhe të mësoj nga përvoja ime personale.

·                     Kur në Koncilin (këshillin) e parë të Jerusalemit Pjetri, Jakobi dhe Pali nuk pajtoheshin rreth faktit se a duhet të rrethpriten të konvertuarit nga paganizmi, mosmarrëveshjet i zgjidhën duke reflektuar në bazë të përvojës vetjake – me ndihmën e Shpirtit Shenjt. Vetëm atëherë ishin në gjendje për të ardhur deri te një përfundim. Si duket për kënaqësinë e Shpirtit të Shenjtë, por edhe tonën.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.

 

Bashkëbisedimi

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?

A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?

Ndërgjegjësohem se nuk ka asgjë në zemrën apo mendjen time që s`do të mund t`ia shprehja Jezusit, madje edhe nëse do ta kisha të vështirë t`i gjeja fjalët.

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo ulur pranë meje,

i drejtohem dhe i tregoj për të gjitha çfarë ndjej.

I lejoj Zotit që t`i “lexojë” dëshirat e thella të zemrës sime që shkojnë përtej fjalëve të mia.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kohës së lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »