Zot, më ndihmo që të mos përjashtoj askënd

May 10 • Meditimi i ditës

10 maj 2018 – E enjte, Ngritja e Krishtit në Qiell (Të Shëlbuemit), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 1,1-11; Ps 47,2-3.6-9; Ef 1,17-23 (ose: Ef 4,1-13); Mk 16,15-20)

 

Prania e Hyjit

O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.

Kurrë mos qofsha aq i/e preokupuar me punë sa të mos mund të gjeja kohë dhe të rri me ty.

 

Liria

Përpiqem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha shqetësimet e mia i vendosi në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Kur e ndiej ngrohtësinë e diellit në fytyrë,

jam i vetëdijshëm për praninë tënde në këtë botë.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e ke kaluar në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mk 16, 15-20

 

15 Në atë kohë Jezusi u tha:

“Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve. 16 Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet.

17 Shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; 18 [në duar] do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pijnë ndonjë gjë që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen.”

19 Zotëria [Jezusi], pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit. 20 Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte Fjalën me mrekulli që e përcillnin.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Flitet se Marku ishte asistent i Pjetrit kështu që ky përshkrim mund të jetë kujtimi i takimit të fundit të Pjetrit me Jezusin. Është ky takimi kur ai e mori misionin pjesë e të cilitjam edhe unë: për të vazhduar së shpalluri Lajmin e Mirë dhe për t`i sjellë shërim çdo krijese. Gjithë këtë duhet ta bëj me besimin se Hyji vepron bashkë me mua.
  • Jezusi iu beson nxënësve detyrën për të shpallur lajmin e mirë se Zoti është në anën e të varfërve, të sëmurëve, të refuzuarve dhe atyre që vuajnë padrejtësi. Ata që s`mund t`i durojnë lypsët, ish prostitutat, skllevërit, gratë dhe fëmijët si të barabartë me veten e tyre, thjesht nuk do të hyjnë në mbretërinë e Hyjit.
  • Jezus, më ndihmo që të mos përjashtoj askënd. Hape zemrën time  ngushtë t`i pranoj ata që më kanë lënduar ose në mënyra të ndryshme janë më të ndryshëm se unë.Mos lejo që ta mbështes ndjenjën e superioritetit në lidhje me të tjerët.

 

E lexoj, e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot edhe një herë.

Lexoj, dëgjoj me vëmendje

dhe vërej fjalën apo ngjarjen që më flet personalisht.

I lejoj shpirtit të pushojë në ndonjë pjesë të tij.

 

Bashkëbisedimi

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i/e gatshëm/e edhe të dëgjoj gjithë atë çka ai dëshiron të më thotë.

E paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës kur më vështron.

Mund të jem krejt i/e sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.

Ia çeli zemrën kur i flas për ndjenjat e frikës dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që të mund të mbështetem plotësisht në përkujdesjen e tij,

i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë di ç`është më së miri për mua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »