Përpjekjet për konsolidimin e marrëdhënieve ekonomike mes Zvicrës dhe Shqipërisë komuniste 1977/78

May 10 • Histori, Kulturë

Nga Zef Ahmeti

 

Deri në ngritjen e marrëdhënieve diplomatike Zvicër-Shqipëri, që nga njoha e shtetit shqiptar nga Zvicra në mars të vitit 1922, kalohet një rrugë e gjatë. Ambasadori zviceran në Beograd, Hans Keller (1908-1999), i cili në dokumentet arkivore të diplomacisë zvicerane shfaqet si promotori kryesor për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, prej 25 shtatorit deri më 5 tetor 1970 kishte qëndruar në Tiranë. Kjo vizitë zyrtare lidhej me paraqitjen e letrave kredenciale të ambasadorit Keller. Më 2 tetor 1970, në Tiranë mbahet edhe ceremonia formale e dorëzim-pranimit të letrave. Nga kjo datë ambasadori i Zvicrës në Beograd, bëhet edhe ambasador për Shqipërinë. Këtu e tutje bëhen përpjekje të shtuara për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy shteteve në fushat e ndryshme, sidomos në tregti, ekonomi. Këto marrëdhënie frenohen, përveç arsyeve të tjera të bollshme, edhe për shkak të sistemeve të ndryshme politike që kishin ndikim edhe në mënyrat e ngritjes së bashkëpunimit në marrëdhëniet tregtare.

Në vijim do paraqesim tre raporte diplomatike që lidhen me këto marrëdhënie mes dy vendeve ku jepet një përshkrim për situatën politike në Shqipëri por edhe për aspektet e ndryshme të bashkëpunimit në fushat e ndryshme Zvicër-Shqipëri.

Marrëdhëniet shqiptare-kineze-jugosllave

Mbas largimit të ambasadorit Hans Keller nga detyra e ambasadorit në Beograd, pra edhe nga posti i përfaqësuesit diplomatik për Shqipërinë, në vend të tij vjen diplomati Hansjörg Hess (1916-1998).

Më 22 shtator 1977, Hess i dërgon një raport konfidencial Ministrisë së Jashtme të vendit të tij, në të cilën flet për raportet e Shqipërisë me Jugosllavinë, por edhe me Kinën (CH-BARE2001E-011988/161528, B.73.0, dodis.ch/48647). Ai njofton për një lajm të dhënë në gazetën e Beogradit “Politika” dt. 12 shtator 1977, ku flet për arrestimet masive të kundërshtarëve të linjës zyrtare të Tiranës në marrëdhëniet shqiptaro-kineze.

Këtë lajm nuk e konfirmojnë kolegët e mi – shkruan diplomati zviceran – ndërsa është hedhur poshtë edhe nga kolegu shqiptar. Mirëpo, diplomatit i bie në sy refuzimi i paarsyetuar dhe pashtyrje afati nga ana e Tiranës i një vizite të planifikuar më 26 shtator 1977 të ambasadorit austriak. Ambasadori Hess thotë se ndërkohë që vazhdojnë sulmet urrejtëse ideologjike të mediave dhe organeve shqiptare kundër Jugosllavisë, duhet nënvizuar se këto sulme nga Shqipëria vijnë që prej përfundimit të Luftës (së dytë botërore), ndërsa ndaj Kinës që nga ndërrimi i regjimit. Ndërsa që nga vera (e 1977) konstatohej një intensifikim  i këtyre sulmeve dhe se “…nga kjo mund të vihet në përfundim se Tirana është e nervozuar për vizitën e Titos në Peking e në veçanti për pritjen triumfale nga sundimtari i ri në Pekin, përderisa Hoxha ka vështirësi që t`i përshtatet kthesës në Kinë me këmbënguljen në kokëfortësinë e tij ideologjike”. Sipas njoftimeve nga njëri prej pjesëmarrësve në delegacionin e Titos, që i jep ambasadorit zviceran, në këto bisedime në Kinë (prej dt. 30 gusht – 8 shtator 1977), Shqipëria është cekur vetëm kalimthi, pra nuk i është dhënë rëndësi dhe se si drejtuesi kinez, po ashtu edhe ai jugosllav, se: “nuk impresionohen apo provokohen prej sulmeve shqiptare”. Më tutje thuhet se Kina dhe Jugosllavia nuk do kishin interes që Shqipëria të lidhet me një fuqi të blloku të lindjes apo të perëndimit por që e gjykojnë si jo të mundshëm sidomos realizimin e qëllimit të ngritjes së një baze ushtarake sovjetike që kishte qenë njëherë si synim në vitet e 50-të dhe se Shqipëria do të shkojë, për më tepër, drejt izolimit. Mandej, kinezët më gjithë sulmet ideologjike nga Shqipëria nuk do të marrin masa edhe pse delegacioni jugosllav ka vërejtur se “kinezët janë të nervozuar dhe se do mund të reduktojnë përkrahjen e tyre” për aq sa “mos të bien (shqiptarët) në duart e rusëve”.

Udhëtimi zyrtar i ambasadorit Hansjörg Hess në Shqipëri

Pas kthimit nga vizita zyrtare e ambasadorit Hess që i bën Shqipërisë prej dt. 26 maj-2 qershor 1978, ai i drejtohet me një letër Ministrisë (departamentit) së (të) Ekonomisë së Zvicrës dhe e njofton për bisedimet dhe përshtypjet e tij (CH-BAR E 2001(E)-01/1991/17, Bd. 489, C.41.Alb.111.0, dodis.ch/48648).

Gjatë qëndrimit ai takon përfaqësues të ministrisë së jashtme shqiptare, ministrin për tregti me jashtë Nadin Hoxhën, drejtorin e dhomës së tregtisë në Tiranë, Nikoolla Profin, drejtorin e Makina-Importit, Jetnor Ramajn, diplomatë dhe biznesmenë të rastësishëm në hotelin ku po qëndronte. Ai kishte bërë një ekskursion njëditor në Jug të vendit ku kishte vizituar vreshtat e ullinjve, (fiq, pjeshkë e dafinë) dhe kishte kaluar përskaj uzinës për përpunimin e naftës. Ky ekskursion njëditor “plotësonte informacionet e pakta që mund të marrë një i huaj në Shqipëri”, raporton diplomati zviceran.

Raporti fokusohet në fushën e aspekteve ekonomike të Shqipërisë. Konsumi, gjithnjë sipas këtij dokumenti, edhe më tutje është i ngulfatur – pa mundësi konsumimi. Shqiptari detyrohet të jetë i kënaqur me një standard të ulët jetese, që nuk e gjejmë kund tjetër në Europë. Flitet për të ardhura kombëtare prej 500 dollarësh për kokë. Këtu duhet nënvizuar se shteti është ai që përcakton sa të ardhura i jepen individit për shpenzime konsumi. Rroga mujore e punëtorit është 600 lekë dhe 900 për teknikë të diplomuar, dyfishi për drejtor përgjegjës (kursi 7,60 për 1 dollar), mjetet elementare ushqimore janë të subvencionuara, shërbimet shëndetësore janë falas, për banim paguhet 5% e pagës. Konsumi dhe ndërtimi është i standardit dhe nivelit të ulët.  Prioritetet e shtetit janë investimet në fushën e mbrojtjes, miniera dhe përpunimi industrial i lëndëve të para, bronzit, mineraleve, naftë, produkte bujqësore dhe në shkollim.

Duke u mbështetur në kredi afatgjata në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve sistematike në industri dhe bujqësi si dhe pamundësia financiare e konsumit, ka për pasojë rritjen sasive (prodhimeve) të shtuara për eksport. Porse produktet kanë një kualitet të dobët në fushën e tekstilit, punimet punëdores. Nga këto fusha qeveria ia del të sigurojë deviza për importe.

Në tregtinë e jashtme, 50% të saj e ka me Kinën, e cila edhe ndjehet në Shqipëri. 80% prej 100% të projekteve të premtuara kineze, janë realizuar dhe u janë dorëzuar shqiptarëve. 20% e pjesës së mbetur me gjasë është duke u realizuar me vështirësi, sepse lëndët e para shqiptare paskan përmbajtje specifike dhe ka nevojë për konstruksione të vështira. Ndërsa shqiptarët akuzojnë Kinën për shkelje të marrëveshjes. Pajisja falas e ushtrisë, forcave ajrore, flotës nga ana Kinës duhet të jetë realizuar 90%.

Megjithëkëtë, diplomati vëren fillimin e fundit të “special relationship” me Kinën, një ftohje mes dy vendeve edhe në fushën ekonomike si pasojë e “luftës” ideologjike. Sipas të dhënave që siguron Hess, në vitin 1977 Shqipëria kishte këto shuma hyrje/dalje: me Jugosllavinë 20 milionë hyrje e 20 milionë dalje (në total 40 milionë); me Italinë 18/18 (total 36 milionë); me Greqinë 10/10 (total 20 milionë); Francën 4/4 (total 8 milionë).

Këto shuma rudimentare nuk thonë shumë. Mirëpo është e sigurt se Shqipëria është duke u përpjekur për rritjen e marrëdhënieve ekonomike me perëndimin, përderisa duket se nuk është e interesuar për biznes të drejtpërdrejtë me shtetet e lindjes, gjykon diplomati zviceran. Delegacionet tregtare shqiptare janë duke u dërguar më shumë në Europën Perëndimore.  Në shtator pritet udhëtimi i ministrit për tregti me jashtë i Shqipërisë për në Stokholm. Numri i vizitave të biznesmenëve të interesuar në Tiranë është duke u rritur dhe se gjatë qëndrimit diplomati zviceran ka takuar disa prej tyre që kanë lidhur kontrata të mira. Shqipëria sipas kushtetutës nuk guxon të marrë kredi prej shteteve kapitaliste, imperialiste e revizioniste “për të mos humbur pavarësinë politike me atë ekonomike”, informon ambasadori zviceran për Jugosllavinë dhe Shqipërinë.

Sa i përket raporteve me Zvicrën, diplomati Hess njofton duke thënë “më duket se Tirana ka besimin e madh”, që me ne të lidhë më shumë marrëdhënie biznesore si e bën edhe me Francën, Italinë, Greqinë, Belgjikën, Austrinë dhe Skandinavinë. Edhe me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe bëhet tregti, mirëpo për arsye të diferencave të njohura dhe për mungesë të marrëdhënieve diplomatike, Shqipëria do t`i lidhë projektet e mëdha me firmat e Zvicrës. Ambasadori njofton për një kontratë mes Shqipërisë dhe fabrikës së makinerisë nga Baseli, Burckhardt në vlerë prej 600 mijë frangash dhe se janë zhvilluar bisedime të ndryshme me prodhues zviceranë.

Në fund të këtij raporti diplomati shënon: “Me sa u tha më lart unë e shoh momentin e përshtatshëm edhe për bisedime ekonomike. Ato mund të japin impulse që good-will ekzistues për Zvicrën mund të kthehet në biznese konkrete, natyrisht edhe pse Shqipëria do mbetet vetëm një treg anësor dhe ndoshta edhe i mundimshëm, i mundimshëm sepse shqiptarët në shumë fusha janë të papërvojë e kështu që edhe të dyshimtë.“

Bisedimet ekonomike zvicerane-shqiptare

Në kuadër të propozimit për intensifikimin dhe konkretizimin e bisedimeve ekonomike mes dy vendeve, sekretari i ambasadës Zvicerane në Beograd, Peter Niederberger (10.3.1931 – 27.3.2012) më 20 dhjetor 1978 dorëzon një raport të detajuar për bisedimet ekonomike Zvicër-Shqipëri të zhvilluara në Tiranë nga dt. 5 deri 8 dhjetor 1978 (CH-BAR E 2001(E)-01/1991/17, Bd. 489, C.41.Alb.111.0, dodis.ch/48651).

Përgatitjet e kësaj vizite zyrtare e një delegacioni qeveritar zviceran, e para e këtij lloji në marrëdhëniet mes këtyre dy shteteve, fillojnë me vënien e kontakteve zyrtare më 1 shkurt të vitit 1977 me rastin e një vizite zyrtare që i bën Zvicrës një delegacion ekonomik shqiptar. Në fakt, pala shqiptare do të kërkojë takimin e komisionit të përzier të paraparë në “Marrëveshjen tregtare të konfederatës zvicerane me Republikën Popullore të Shqipërisë” (e nënshkruar më 28.10 1974 dhe e hyrë në fuqi më 9.6.1975). Pala shqiptare gjatë vizitës kishte ngulur këmbë për nënshkrimin edhe të një marrëveshje protokollare të ngjashme. Ndërsa ana zvicerane mendonte se fillimisht do duhej të trajtoheshin mundësitë për përmirësimin e informimit dhe të aspekteve të çështjeve të ndërsjella ekonomike dhe politikave tregtare në nivel qeveritar. Mbas këtyre bisedimeve do mjaftonte një komunikatë e përbashkët për përmbajtjen e asaj çfarë është biseduar, pala shqiptare kërkonte marrëveshje. Ky perceptim i palës zvicerane për Tiranën ishte problem. Kështu që nuk arrihen të realizohen takimet e propozuara nga pala zvicerane për dhjetorin e vitit 1977 dhe atij në fund të shkurtit e fillim të marsit 1978. Ky takim mes palësh arrihet të realizohet me nxitjen e ambasadorit Hess që i bënë Tiranës me rastin e vizitës zyrtare në pranverën e 1978. Këtu një rol të rëndësishëm për përgatitjen e kësaj vizite luajnë ndërmjetësimet e palodhura dhe mësimet e shumta për sistemin ekonomik të Zvicrës që nga ana e ambasadorit Zviceran në Austri i ndërmjetësohet përfaqësisë ekonomike shqiptare në Vjenë. Pas këtyre përafrimeve arrihet që delegacioni qeveritar zviceran nën drejtimin e Cornelio Sammaruga të shkojë në Tiranë nga data 5-8 dhjetor 1978 për qëllimin e lartpërmendur.

Shqipëria kishte probleme në të kuptuarit e funksionimit të ekonomisë zvicerane dhe se përfaqësuesit e saj donin të lidhnin marrëveshje ekonomike sipas logjikës së ekonomisë së planifikuar dhe kjo binte në kundërshtim me sistemin e ekonomisë së tregut të zviceran.

Gjatë këtij qëndrimi delegacioni zviceran do të realizojë takime e bisedime të ndryshme me palën shqiptare.

Vizita e delegacionit zviceran nga të gjitha takimet që bëhen, duke filluar me vizitën e nderit që i bën ambasadori Sammaruga para nisjes ambasadorit shqiptar në Beograd, z. Sokrat Plaka, në Tiranë paraqiten si ngjarje e këndshme. Ministri i jashtëm shqiptar Nedin Hoxha kishte parë të nevojshëm gjatë takimit me delegacionin zviceran të nënvizojë “kontributin modest të kinezëve” si shembull në sektorin e hidrocentraleve, që vetëm turbinat janë kineze ndërsa duke filluar me planifikimin e gjitha të tjerat janë punë shqiptare. Këtu zëvendësi i ministrit të jashtëm cekë se si kinezët kishin lënë të papërfunduar projekte të ndryshme e kështu që Shqipëria duhet të riorientohet. Se pala shqiptare është e gatshme të bashkëpunojë me zviceranët dhe, gjatë këtyre bisedimeve është ripërsëritur disa herë, se sistemet e ndryshme ekonomike të të dy vendeve nuk duhet të jenë pengesë për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike.

Palës zvicerane i kishte rënë disa herë në sy se kishte dallime në të kuptuarit e lidhjeve të marrëveshjeve dhe kontratave. Pala shqiptare edhe marrëveshjen për tregti mes dy vendeve e interpretonte ndryshe. Gjatë bisedimeve në Tiranë pala shqiptare mendonte se marrëveshja në fjalë e lidhur në vitin 1975 do skadonte më 1979 dhe se kjo ka nxitur dhe stimuluar thellësisht ndërrimin bilateral të mallrave dhe mendonte se duhet të lidhet një marrëveshje e re për rritjen e importit dhe eksportit, se Shqipëria nuk merr kredi dhe me vendet partnere parimisht bën realizimin e bilanceve të barazuara dhe se Zvicra nuk e paska shfrytëzuar këtë shans të volitshëm që i ofrojnë prodhimet shqiptare dhe shuma e tregtisë me Zvicrën nuk është realizuar si është pritur.

Pala zvicerane, përkatësisht drejtuesi i delegacionit zviceran Sammaruga, i tregon palës shqiptare se marrëveshja tregtare nuk skadon me datën e nënvizuar, por duke u mbështetur në nenin 6 të marrëveshjes, ajo nëse nuk ndërpritet me shkrim, marrëveshja vazhdohet heshturazi, ndërsa sa i përket ngritjes së kapaciteteve tregtare mes dy vendeve edhe Zvicra ka interes dhe se edhe vetë qëllimi i vizitës që po i bëhet Shqipërisë nga ky delegacion zyrtar zviceran ka parasysh këtë dhe se si mund të realizohet. Ndërrimin e të dhënave statistikore mes palëve tregojnë këto të dhëna statistikore:

Shqipëria (në miliona dollarë)


Zvicra (në milionë në franga zvicerane)


Nuk humbet mundësia që në të gjitha takimet e nivele të ndryshme pa u nënvizuar rëndësia e kontakteve të drejtpërdrejta biznesi dhe shkëmbimit të informacioneve komerciale mes vendeve dhe palëve kontraktuale, si parakusht për intensifikimin e ngritjes së tregtisë mes palëve. Po ashtu rekomandohet lejimi i gazetarëve zviceranë në Shqipëri si mundësi për promovim të mundësive që jep Shqipëria. Pala shqiptare për kujdesin e kontakteve kishte premtuar lehtësimin në marrjen përkatësisht lëshimin  përmirësimin postar për korrespodencën. Ndërsa ministri shqiptar i tregtisë kishte premtuar edhe ndihmën e tij personale në vështirësitë e mundshme.
Duke u mbështetur në këto statistika, pala zvicerane mendonte se nuk kishte asnjë pengesë as politike e as ekonomike që të mos rriteshin. Por si të bëhet kjo. Si vështirësi e parë paraqitet metoda e ekonomisë së planifikuar me plane 5 vjeçare që ka Shqipëria dhe me lista të gatshme për importe, eksporte dhe investime. Raporti në fjalë tregon se si pala shqiptare kishte vështirësi për t`i kuptuar zviceranët dhe se delegacioni zviceran nuk ka mundësi të bëjë lista të tilla të ngurta dhe ta detyrojë tregun e lirë privat zviceran të veprojë sipas listave. Pala zvicerane i premton se do ta shpërndajë listën e mallrave që ofron Shqipëria te firmat vendore adekuate. Pala zvicerane i tregon shqiptarëve se Zvicra mund të eksportojë gjithçka, por jo edhe pjesë për makinerinë prodhuese që nuk janë të prodhuara në Zvicër dhe se në listën e palës shqiptare mungojnë tërësisht produktet e industrisë së zhvilluar zvicerane dhe që ato që i kërkon Shqipëria, Zvicra nuk mund të t’ua ofrojë.  Delegacionit zviceran i dorëzohet edhe një listë e projekteve industriale shqiptare në energji, metal, tekstil ku për to priten oferta nga pala zvicerane dhe me gjasë për të plotësuar zbrazësitë si pasojë e largimit të kinezëve.

Më tutje kryesuesi i delegacionit zviceran Samaruga në çdo mundësi e takim nënvizon mundësitë e ndryshme që ofron Zvicra se vendi i tij është i hapur dhe i gatshëm të bashkëpunojë me Shqipërinë edhe jashtë listave të saj tregtare mbase edhe rekomandon hyrjen në kontakt me kompanitë tregtare globale zvicerane që në këtë mënyrë të fitojnë mundësinë për qasjen në treg edhe më të gjerë.

Palës shqiptare edhe pse paraprakisht për një vit e gjysmë i ishte shpjeguar se nuk është i dëshirueshëm një protokoll sipas praktikës shqiptare, zëvendësministri shqiptar i tregtisë, Mark Xega, megjithëkëtë kishte këmbëngulur për një të tillë dhe për këtë, si raporton sekretari i ambasadës zvicerane në Beograd dhe përpiluesi i raportit Peter Niederberger, “…pas disa orësh diskutimesh pjesërisht mjaft të nxehta te dy drejtuesit e delegacioneve bien dakord për një tekst të quajtur si “procesverbal”.  Kryesuesi i delegacionit zviceran Sammaruga kështu ja kishte dalë që të mënjanojë listat tregtare vjetore sipas praktikës së ekonomisë së planifikuar komuniste shqiptare dhe arrin të fusë edhe në një shkallë edhe gjuhën e marrëveshjes së Helsinkut.

Si përfundim, raportuesi zviceran shpjegon se momenti i zgjedhur për vizitë ishte jashtëzakonisht i përshtatshëm, sepse Enver Hoxha e ka quajtur Zvicrën si vend dashamirës me të cilin mund të lidheshin marrëdhënie ekonomike dhe  kulturore. Kjo hapje mund të ketë lidhje me tërheqjen e kinezëve dhe si pasojë vështirësive të shkaktuara nga kjo, edhe pse ky fakt është paraqitur si i parëndësishëm nga pala shqiptare, porse delegacioni zviceran arrin të lexojë nga takimet e ndryshme dhe se pala shqiptare edhe më tutje nuk ishte e gatshme të “zgjerohet” që në “shpinën e ekonomisë të humbet pavarësia politike”, ku edhe tutje ndjehej parimi kryesor “ndërtimi me fuqi vetjake”, porse kjo politikë autarkie – vëren delegacioni zviceran – e njofton raportuesi, kishte arritur majën e kufijve të mundshëm sidomos me tërheqjen e bujshme kineze. Dhe kjo tërheqje duhet t`ia ketë treguar “kufirin (e politikës autarkike) shqiptarëve”./drita.info

Pamje e tri raporteve

Lista e projekteve shqiptare dhënë delegacionit zviceran.

Statistikat tregtare Zvicer-Shqipëri

Firma e ambasadorit Hess

Shpërndaje

Comments are closed.

« »