Imzot Dodë Gjergji: Në Europë pa u shkëputur nga trungu qytetërues i përbashkët!

May 11 • Kisha në Kosovë

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, dje, më 10 maj 2018, ka marr pjesë në konferencën “Toleranca në Ballkanin Perëndimor: çelës për Europën”, e cila është organizuar nga parlamentarët bullgar në Parlamentin Europian, për të paraqitur prioritetin e Presidencës bullgare në Këshillin e BE-së – Integrimi Europian i Ballkanit Perëndimor. Konferenca është mbajtur në Pallatin Kombëtar të Kulturës në Sofia, në të cilën ishin të ftuar personalitete të larta nga Europa dhe Rajoni, me qëllim për të promovuar dialogun dhe respektin ndërmjet politikëbërësve, palëve të interesit, liderëve fetarë dhe shoqërisë civile.

 

Më poshtë po e japim fjalimin e plotë të Imzot Dodë Gjegjit, që ka mbajtur si pjesë e panelistve në konferencë:

 

Shumë të nderuar panalist,

të nderuar deputetë,

përfaqësues të shoqërisë civile,

audiencë e respektuar,

Ndjehem i nderuar që jam sot para jush për të bashkëndarë përvojën time të dialogut, respektit të ndërsjellë dhe ekumenizmit në Kishën dhe Vendin tim – Kosovën, e cila është pjesë përbërëse e qytetërimit të Kontinentit tonë.

Dialogu zë fill që nga zanafilla e njerëzimit. Simbas librave të shenjtë të feve abrahamike, e kuptojmë se Krijuesi i gjithësisë, nëpërmjet komunikimit vetëzbulues, e ka ftuar krijesën e vet në dialog, për të bërë një ecje të përbashkët nëpër të përkohshmen, me qëllim që të arrijë te caku final, në të përjetshmen.

Njeriu për të hyrë në marrëdhënie dialogu me tjetrin, duhet të dalë nga vetvetja e tij, në mënyrë që duke u bërë kontribut për tjerët, t’i ftoj të gjithë të bëhen kontribut për të. Kështu, personalja vihet në shërbim të së përbashkëtës dhe e përbashkëta bëhet e dobishme për secilin.

Më lejoni të ofroj përvojën që kam pasur në tri fusha në Kosovë: në Kishë, në popullin tim dhe në shtetin e ri:

  1. Si shqiptarë, bartim përvoja të ndryshme shpirtërore dhe diversitet fetar, por kemi arritur të ruajmë unitetin etnik, kulturor dhe gjuhësor. Shqiptarët asnjëherë nuk janë shkëputur nga përvoja qytetëruese e popujve të Europës. Kalimi nga përvoja e përbashkët e krishterë, në një përvojë ndryshe të ndarë në katolikë e ortodoksë, asnjëherë nuk ka nënkuptuar përjashtimin e njeri-tjetrit. Pa mëdyshje, islamizimi i shumicës, në rrethana të ditura historike, ka qenë i dhimbeshim për gjithë ne. Megjithatë, kjo nuk ka shkaktuar shkëputjen nga trungu qytetërues dhe dashuria me vëllezërit e përvojës së mëparshme të krishterë dhe anasjelltas. Këtë fakt e provojnë përvojat e shumta të individëve, familjeve dhe fiseve, të cilat janë të dokumentuara në histori dhe të regjistruara  thellë në mbamendjen kolektive të popullit tim.
  2. Shumica e qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor jetojnë në një shtet komb. Ne, në Kosovë jetojmë në një shtet qytetarësh, i cili ka gërshetuar brenda vetës gjitha diversitetet etnike, kulturore, fetare e bindjeve të tjera të qytetarëve të vet, duke krijuar unitet qytetar, mbi vlerat europiane dhe duke garantuar barazi kushtetuese të shumicës dhe pakicës. Edhe pse jemi ende larg mundësive për të zbatuar në jetën e përditshme gjithë këtë barazi që garanton kushtetuta, megjithatë kemi provuar që dialogu është rruga e vetme për ta ruajtur paqen dhe për të arritur pajtimin. Përvoja jonë e unitetit etnik në  diversitetin fetar (myslimanë e katolikë) dhe diversitetin etnik (serbë e shqiptarë)  në  unitetit e krishterë (ortodoksë e katolikë), nuk e shohim problem, por e kuptojmë si përgjegjësi më komplekse. Ndaj, si Kishë Katolike nuk do të hezitojmë të ftojmë besimtarët tanë dhe të gjithë të tjerët për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët në paqe nëpërmjet dialogut ndëretnik dhe ndërfetar, si në vend ashtu edhe në rajon.
  3. Mbi të gjitha, në këtë drejtim ne kemi kontributin e Shën Nënë Terezës, e cila si Grua e dialogut nëpërmjet dashurisë, shërbimit dhe sakrificës, ka arritur të tejkalojë barrierat etnike, kulturore, religjioze dhe kontinentale pa e cenuar aspak identitetin e saj kulturor, religjioz dhe kombëtar. Prandaj, ajo nuk hezitonte të thoshte: “Me gjak jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, jam një murgeshë katolike. Sipas thirrjes sime, unë i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Jezusit.”

Nga shembulli i kësaj gruaje duhet të mësojmë se nëpërmjet dashurisë së sinqertë dhe vetëflijimit, të gjithë njerëzit mund të japim diçka atyre që janë ndryshe nga ne, me qëllim që të përçojmë dashurinë e zemrave, të arrijmë pajtimin, të ndërtojmë paqen. Vetëm kështu do të sigurohet bashkëjetesa, gëzimi dhe shpresa për të gjithë ne.  

Po e përfundoj, duke përmbledhur mendimin tim në pak fjalë:  çdo dialog, duhet të ketë qëllim të prodhoj frytet e shpresë së përbashkët dhe të barabartë për të gjithë. Nëpërmjet dashurisë vetëmohuese që tejkalon kufijtë tanë të dallimeve, nëpërmjet unitetit të vlerave universale, pavarësisht gjitha dallimeve që i kemi, drejtësisë dhe barazisë që duhet ta sigurojë shoqëria politikedhe kooperimit funksional mes shtetit laik dhe shoqërisë multireligjoze. 
Kjo do të përshpejtonte procesin e rikthimit të Europës te rrënjët e saja dhe do t’iu mundësonte popujve të Ballkanit integrimin në Bashkimin Europian./drita.info  

(Titulli është i redaksisë)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »