Predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve!

May 12 • LEXIMET E SË DIELËS

Ngjitja e Zotërisë në qiell (B)

 

Leximi i parë   Vap 1, 1-11

Ungjilltari Luka na prezanton ngjitjen e Jezusit si fundin e një etape të planit të Hyjit, si shenjë të pranisë së përhershme të Jezusit në mes njerëzve. Me një prani të tillë hapet një kohë e re, ajo e Shpirtit dhe e Kishës misionare. Nga ajo ditë Ungjilli u dorëzua në duart tona. 

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit e deri në ditën kur u ngrit në qiell, pasi që u dha porositë apostujve, të cilët i pati zgjedhur nëpërmjet të Shpirtit Shenjt. Ai, pas mundimit të vet, me shumë prova ua vërtetoi apostujve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke u folur për Mbretërinë e Hyjit. Dhe, njëherë, ndërsa po hante bukë bashkë me ta, u urdhëroi të mos e lëshojnë Jerusalemin, por ta presin Premtimin e Atit: “Atë që dëgjuat prej meje: Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt.” Tani ata që ndodhën bashkë me të e pyetën: “Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?” Ai u përgjigji: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe gjer në skajin e botës.” Dhe, kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre, u ngjit në qiell dhe një re menjëherë ua zuri para syve të tyre. Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin sesi ai ngjitej në qiell, ia behën dy njerëz të veshur me petka të bardha, zunë vend para tyre dhe u thanë: “O burra galileas, përse rrini kështu duke shikuar kah qielli? Ky Jezusi, që prej jush u ngjit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell!” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  47

 

Ref: Ngritet Zoti me këngë të hareshme

—————————————–

Duartrokitni, o popuj të gjithë,

brohoritni Hyjit me zë gëzimi!

Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm,

Mbreti i madh mbi tokën mbarë.

—————————————–

Ngritet Hyji me brohori,

Zoti me zë trumbete.

Këndoni Hyjit, këndoni,

këndoni mbretit tonë, këndoni!

—————————————–

Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës:

këndoni këngë me mjeshtëri!

Hyji mbretëron mbi mbarë popujt,

Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë.

—————————————–

 

Leximi i dytë    Ef 4, 1-13

Shën Pali mediton mbi misterin e ngjitjes së Jezusit në qiell dhe zbritjes së Shpirtit Shenjt duke u nisur nga psalmi 67. Jezusi Zot ka zbritur mbi tokë deri në thellësitë e ferrit, për t’u ngjitur pastaj në qiell dhe për të marrë në zotërim gjithë universin. I ulur në të djathtën e Atit, dërgon Shpirtin Shenjt që mbron Kishën nga rreziku i mosmarrëveshjes mes të krishterëve dhe nga doktrinat heretike. Vetëm dashuria mund të ndërtojë njësinë e Kishës në të cilën Krishti është koka. 

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, ju përbej unë, i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri-tjetrin me dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm – sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë.  Edhe secilit prej nesh i qe dhënë hiri me atë masë me të cilën Krishti deshi të na e dhurojë. Këndej edhe thuhet: ‘Kur u ngrit në lartësi i mori dhe u dha dhurata njerëzve’. E ajo fjalë: ‘U ngrit’, çka do të thotë tjetër, por se më parë ‘zbriti’ këtu poshtë, përmbi tokë; Ai që ‘zbriti’, është po Ai që ‘u ngrit’ mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë. E Ai i ‘dha’ disa apostuj, disa tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, do të tjerë barinj dhe mësues, që shenjtërit t’i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit, deri që të gjithë t’ia arrijmë njësisë së fesë dhe njohjes së Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit. Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt, thotë Zoti.

Dhe, ja unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Mk 16, 15-20

Marku në tregimin e ngjitjes së Jezusit në qiell bashkon lavdinë e Krishtit dhe misionin e Kishës. Atë që ka prekur fundin e mjerimit njerëzor, Hyji e ka lartësuar; atij që është poshtëruar, Hyji i jep të gjithë besimin e tij.  Nëse Hyji ka vepruar kështu do të thotë që duhet të shpallim veprën e çlirimit dhe të shpëtimit që Ati ka kryer në Birin. Ne e dimë që njëri prej nesh është tashmë në të djathtën e Hyjit dhe tërheq afër vetes të gjithë ne.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi iu duk të Njëmbëdhjetëve dhe u tha: “Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve. Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet. Shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; në duar do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pinë ndonjë send që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen.” Zotëria Jezus, pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit. Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte fjalën me mrekulli që e përcillnin. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Sot i Ngjalluri na thotë: “nuk jam më, por jeni ju. Unë nuk flas e nuk veproj më përveç se nëpërmjet jush. Ju jeni goja ime, duart e mia, këmbët e mia. Unë jam në botë përmes jush”. “Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin”.

Jezusi i ngjallur përuron një lëvizje ku dëshmitarët e tij duhet të arrijnë njerëzit, çdo njeri, në kulturën e tyre e me problemet e tyre. Misioni kërkon një nisje, një “dalje” të vazhdueshme nga bota jonë sociale, nga mentaliteti ynë.

“Predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve”. Duhet të shpallim një lajm të mirë në mënyrë që të gjithë e marrin, duke u angazhuar me mendje e zemër në transmetimin e tij. Sa prej nesh janë të vetëdijshëm se ekzistojmë për “t’u komunikuar Ungjillin” të tjerëve?

“Kush do të besojë e do të pagëzohet”. Përgjigjja ndaj lajmit të Ungjillit është besimi, që në Pagëzim arrin kulmin e vet. Njeriu duhet të bëjë një zgjedhje thelbësore mes besimit e mosbesimit.

“Zotëria Jezus, pasi u tha kështu, u ngjit në qiell”. Jezusi me Ngjitjen hyn si Zot në realitetin e Hyjit e dërgon te Hyji njerëzimin tonë të lavdëruar: ku ka arritur Ai, jemi të mirëpritur edhe ne.

“Kurse ata dolën e predikuan gjithkund”. Ungjillëzimi është bindja ndaj urdhërit të Ngjallurit dhe është edhe fryti i Ngjitjes së Jezusit, i cili “bashkëpunonte me ta”. Nëpërmjet jetës dhe shpalljes së “dëshmitarëve” Jezusi do të vazhdojë të jetë i pranishëm në mënyrë gati të dukshme, duke shpëtuar çdo njeri të historisë.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Jezusi i ngjallur ngjitet me lavdi tek Ati, por nuk na lë vetëm; Ai ecën me ne. T’i drejtohemi Atij, Zbuluesit të madh të Atit. Të lutemi së bashku e të themi:

 

Nëpërmjet Krishtit ndërmjetësues, na dëgjo, o Atë.

 

L. Që Kisha e shenjtë të realizojë në botë praninë e Krishtit, ta dëshmojë me anë të jetës lavdinë që na pret. Të lutemi.

L. Që në mes të vështirësive të jetës të mbajmë gjithmonë të gjallë shpresën se do të shikojmë fytyrën e Zotit. Të lutemi.

L. Që mjetet e komunikimit shoqëror të vihen gjithmonë e më shumë në shërbim të së mirës, të së vërtetës e të drejtësisë. Të lutemi.

L. Që përgjegjësit e mjeteve të komunikimit dhe politikanët të vihen në shërbim të paqes dhe drejtësisë, dhe të realizojnë një informacion që nuk bën dallime racash apo fesh, për të mirën e të gjithë popujve. Të lutemi.

L. Që bashkësia jonë të mësojë të shikojë Qiellin duke u angazhuar konkretisht në ndërtimin e një bote më të drejtë dhe më vëllazërore. Të lutemi.

M. O Hyj, dëgjoi zërat e këtij populli që njeh në Krishtin, të ngjallur nga të vdekurit, Meshtarin gjithmonë të gjallë para teje, për të ndërhyrë në dobi të vëllezërve dhe motrave. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »