(Jo) ikje nga bota
13 maj 2018 – E diela 7-të e Pashkëve, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Vap 1,15-17.20a.20c-26; Ps 103,1-2.11-12.19-20ab; 1Gjn 4,11-16; Gjn 17,11b-19)
Prania e Hyjit
Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i/e tillë siç jam.
Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.
Hyji gjithmonë më afrohet i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.
Do të ndalem një moment dhe e përshëndes Hyjin që më do.
Liria
Ka pak njerëz që e kuptojnë
çfarë do të mund të bënte Hyji me ta
po të dorëzoheshin në duart e tija
dhe t`i lejonin që t`i formojë hiri i tij. (Shën Injaci)
Lutem për hirin e dorëzimit të tërësishëm në dashurinë e Hyjit.
Ndërgjegjësimi
Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – raporte në lidhje me natyrën, me njerëzit, me Zotin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që qarkullon nëpërmes tyre.
Disa nga këto marrëdhënie janë të deformuara, disa të rënduara, disa të ndërprera:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e mërzitur, i/e pikëlluar, i/e nervozuar, i/e zhgënjyer.
Lutem për hirin e pranimit dhe faljes.
Fjala
Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Duhet ta dëgjoj në mënyrë që ta marrë vesh çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj, dëgjoj tekstin me vëmendje, pastaj do të shoh se çka po ndodh në zemrën time …
Gjn 17,6a,11b-19
Në atë kohë, Jezusi i çoi sytë e vet kah qielli dhe tha:
11 O Atë i shenjtë!
Ruaji në Emër tënd
ata që ti m’i dhe
që të jenë një sikurse ne!
12 Derisa unë isha me ta
i ruajta në Emër tënd ata që m’i dhe,
dhe vërtet i ruajta ‑ asnjë nuk u bor
përveç birit të bjerrjes ‑
në mënyrë që të plotësohej Shkrimi i shenjtë.
13 Tani po vij tek Ti
e këto po i them ndërsa ende jam në botë,
që ata ta kenë në vetvete gëzimin tim të plotë.
14 Unë ua dorëzova fjalën tënde
dhe bota i urreu,
pse nuk janë të kësaj bote
sikurse as unë nuk i përkas kësaj bote.
15 Nuk po të lutem t’i marrësh prej botës,
por t’i ruash nga i Keqi.
16 Ata nuk i përkasin botës,
sikurse as unë nuk i përkas botës.
17 Shenjtëroji në të vërtetën:
fjala jote është e vërteta.
18 Sikurse ti më dërgove në botë,
po ashtu edhe unë i dërgova në botë.
19 Për ta [unë] e kushtoj vetveten,
që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetën.
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Jo, o Zot, mos më merr nga bota. I përkas kësaj bote, bote me tërë pështjellimin, hutinë dhe kaosin e saj, mu ashtu sikurse dhe ti i përkisje kësaj bote dhe mbi vete more rrezikun e jetesës në të.
- Nuk po kërkoj një rrugë të shtruar me lule dhe pa probleme, por të lutem që të më ruash nga e keqja dhe ligësia që shfaqet në zemrën time.
Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.
Bashkëbisedimi
I lejoj Zotit që t`i “lexojë” dëshirat e thella të zemrës sime që shkojnë përtej fjalëve të mia.
Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.
Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.
Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.
Përmbyllja
Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.
Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash e
përgjithmonë e jetës. Amen.
« Predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve! Për të dashur, duhet të lejojmë ta përjetojmë dashurinë e Jezusit »