Për të dashur, duhet të lejojmë ta përjetojmë dashurinë e Jezusit
14 maj 2018 – E hënë, Shën Matija Apostull (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Vap 1,15-17.20-26; Ps 112; Gjn 15,9-17)
Prania e Hyjit
“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t`ju çlodh“.
Ja ku jam, o Zot.
Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.
Shumë e dëshiroj fuqinë tënde që shëron.
Liria
Vdekja jote në kryq më ka liruar, o Zot.
Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë nga vdekja.
Mëshira jote nuk njeh kufi.
Ndërgjegjësimi
Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mund ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?
Fjala
Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje, dëgjoje tekstin nga Ungjilli i sotëm
dhe lejoji vëmendjes të pushojë në disa pjesë të tij.
Gjn 15, 9-17
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:
9 Sikurse Ati më ka dashur mua,
ashtu edhe unë ju kam dashur ju.
Qëndroni në dashurinë time!
10 Nëse i mbani urdhërimet e mia,
do të qëndroni në dashurinë time,
sikurse edhe unë që i mbajta urdhërimet e Atit tim
dhe qëndroj në të.
11 Jua thashë këto,
që gëzimi im të jetë në ju
e gëzimi juaj të jetë i plotë.
12 Ky është urdhri im:
duajeni njëri‑tjetrin
sikurse unë ju desha ju!
13 Dashuria më e madhe që ndokush mund
të tregojë është:
të japë jetën e vet për miqtë e vet.
14 Ju jeni miqtë e mi
nëse bëni çka ju urdhëroj unë.
15 Nuk ju thërras më shërbëtorë,
sepse shërbëtori nuk di
çka bën zotëria i tij;
unë ju quajta miq,
sepse ju zbulova gjithçka
që dëgjova prej Atit tim.
16 Ju nuk më zgjodhët mua,
por unë ju zgjodha ju
dhe ju caktova
të shkoni e të jepni fryt
e fryti juaj të qëndrojë;
dhe që Ati t’ju japë
çkado të kërkoni në Emër tim.
17 Këtë gjë ju urdhëroj;
duajeni njëri‑tjetrin!”
Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- “Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju“. Fakti që Jezusi më zgjodhi më jep kuptim për vendin tim në botë, kuptimin e qëllimit të ekzistencës sime. Çfarë frytesh jam i/ thirrur të sjellë?
- Doni njëri-tjetrin sikurse Jezusi na deshi ne – ne duhet së pari të lejojmë që ta përjetojmë dashurinë e Jezusit. Unë nuk mund të mos e dua veten time, sepse jam i dashur nga Hyji (Rom 1,7)!
- Thjesht, Jezusi do që ne të jemi të lumtur! E kuptoj se ajo për çka është fjala nuk është diçka sipërfaqësore, por është lumturia që vjen nga “të qenit në vendin e duhur“, – në raport të drejtë me Hyjin, me të tjerët dhe me vetveten.
- Më ndihmo, o Zot, që të qëndroj në ty.
Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.
Bashkëbisedimi
O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë
që edhe më shumë të kërkoj.
Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.