Zoti (nuk) mund të merret me mend

May 15 • Meditimi i ditës

15 maj 2018 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 20,17-27; Ps 67; Gjn 17,1-11)

 

Prania e Hyjit

Me gjithë krijimin,
Jam i/e zhytur në Hyjin.
I lejoj vetes të lirohem nga e kaluara dhe e ardhmja,
Në mënyrë që t`i lë të gjitha brengat e mia në duart e Zotit,
Dhe që të jem thjesht me Zotin,
Këtu dhe tani.

 

Liria

Hyji ma ka dhuruar lirinë.

Madje edhe nëse jam fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.

Më ndihmo, o Zot, që lirinë e dhënë nga ti, me hirin tënd, ta përdor në mënyrë të mençur.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje, dëgjoje me vëmendje dhe me kuptim; shih çka po ngjan në zemrën tënde.

 

Gjn 17, 1-11

 

1 Në atë kohë, Jezusi i çoi sytë e vet kah qielli dhe tha:

“O Atë, arriti koha:

jepi lavdi Birit tënd

që Biri të të japë lavdi ty

2 e që me pushtetin,

të cilin ia dhe mbi çdo njeri,

t’u japë jetën e pasosur të gjithë atyre që ia dhe ti.

3 E kjo është jeta e pasosur:

që të njohin ty, Një të vetmin Hyjin e vërtetë,

dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin.

4 Unë të dhashë lavdi mbi tokë:

e kreva veprën,

që ma dhe ta kryej.

5 E tani, o Atë, më lavdëro para teje

me atë lavdi që e kisha te ti

para se të fillonte të ishte bota.

6 Emrin tënd ua zbulova njerëzve

që ti m’i dhe nga bota.

Ata ishin të tutë, ti m’i dhe,

dhe ata e mbajtën fjalën tënde.

7 Tani e kuptuan

se gjithçka më dhe, vjen prej teje,

8 sepse fjalët që ti m’i dhe

ua dorëzova atyre.

Ata i pranuan

dhe e kuptuan se me të vërtetë dola prej teje

dhe besuan se ti më dërgove.

9 Unë për ta lutem.

Nuk lutem për botën,

por për ata që ti m’i dhe,

sepse janë të tutë.

10 Gjithçka kam unë është jotja

e çka ke ti imja,

dhe në ta u lavdërova.

11 Unë nuk rri më në botë

e ata janë në botë,

e unë po vij te ti.

O Atë i shenjtë!

Ruaji në Emër tënd

ata që ti m’i dhe

që të jenë një sikurse ne!

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • E kjo është jeta e pasosur: që të njohin ty, Një të vetmin Hyjin e vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin. Gjatë gjithë jetës luftojmë që ta njohim atë, në bazë të fjalëve dhe shëmbëlltyrave, në bazë të botës që na ka besuar. Në asnjë periudhë të jetës nuk mund të themi se jemi duke e kuptuar Hyjin.
  • Shën Augustini pat shkruar: Ai nuk është ajo çfarë ti e merr me mend apo mendon se po e kupton. Nëse e kupton, ke dështuar. Misioni im njerëzor është që ta kërkoj me të gjitha mjetet dhe të qëndroj gjurmues i Hyjit deri në ditën kur të më dëftohet fytyrë më fytyrë.
  • O Zot, po e relaksoj trupin, po e qetësoj mendjen dhe po përqendrohem në frymëmarrje. Atëherë filloj të të kërkoj, në heshtje.

 

Zoti na e zbulon veten e vet nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Ungjillit edhe një herë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë pjesë.

 

Bashkëbisedimi

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time. 
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime. 
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua. 
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time. 
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje. 
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Ati ynë …

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »