Shtëpia Botuese “Drita” pasurohet me pesë tituj të rinj

May 18 • Kisha në Kosovë, Kulturë

Në prani të autorëve dhe mysafirëve të shumtë, shtëpia botuese e Ipeshkvisë së Kosovës “Drita”, ka bërë promovimin e pesë librave të rinj. Në këtë ngjarje u promovua libri i priftit holandez, Michel Remery, “Në Twitter me Zotin”, libri i autores , Gjystina Cacaj – Shushka, “Gruaja në veprën e Atë Anton Harapit”, librat “Shenjtëresha e Dashurisë. Prej Shën Palit te Shën Nëna Tereze” dhe ”Virgjëra Mari në histori dhe në përshpirturi” të Mons. Don Lush Gjergjit, si dhe libri “Fuqia e Besimit. Reflektim psiko-shpirtëror mbi psalmet 1-19”, i autorit Don Anton Ukaj.

  

Nga Ardian Nikolla

 

Prezantuesi i librit “Në Twitter më Zotin”, ipeshkvi i Rrëshenit, Mons. Gjergj Meta, duke folur për rëndësinë që e ka ky libër në jetën e të rinjve, ka thënë se ky libër është një cicërimë sesi kjo botë virtuale mund të kanalizohet për një funksion të mirë.

“Botën virtuale të gjithë e përdorim, në botën virtuale të gjithë kemi akses. Bota virtuale mund të krahasohet me një det, ku të gjithë mund të hyjnë në të, por athu të gjithë dinë me notu, ky është një problem i madh. Ky libër për mua është një përpjekjeje shumë serioze për me cingërua, për me cicëru në një ambient ku ka shumë zhurma. Ne duhet ta dallojmë cicërimën nga zhurma, sepse cicërima është zogu, është shpendi, është natyra diçka që na shtynë në një kontest tjetër dhe ky libër e ka këtë pretendim”, ka thënë ndër tjerash Mons. Gjergj Meta.

Ndërkaq, autori i këtij libri, Atë Michel Remery, i cili kishte ardhur enkas për këtë promovim të librit në gjuhën shqipe, ka deklaruar se ky libër ka lindur pas një komunikimi në formë të pyetjeve dhe përgjigjeve që e ka pasur më të rinjtë në Holandë.

“Burimi i këtij libri është nga Holanda, ku udhëheqja me një famulli dhe më një grup të të rinjve të cilët bënin shumë pyetje. Kishte shumë pyetje sa që nuk mund të përgjigja pas meshe, kështu që ju thashë këtyre të rinjve që t’i shkruajnë pyetjet e tyre dhe unë do t’iu përgjigjëm. Pyetjet ishin të ndryshme, të llojllojshme, ku dhe kemi filluar t’i shqyrtojmë pyetjet bashkërisht, një pas një, me këtë grup të të rinjve dhe të rejave, rreth tri vjet. Ishte një bashkëbisedim i lirë, një takim miqësor dhe vëllazërore. Të gjitha pyetjet e mundshme dhe llojllojshmëria e përgjigjeve apo qëndrimeve mund të shprehej në formë të lirë me dy kushte; a) nderimi apo respekti për tjetrin dhe b) pse kisha mëson apo e kërkon një gjë të tillë.  Prandaj, mendoj se kjo është edhe arsyeja e një interesimi kaq të madh në shumë vende të botës për këtë libër. Ky libër e paraqet kërkimin dhe fenë e të rinjve dhe të rejave sot, dhe pyetjet që janë bërë nga ta janë pyetje të përgjithshme, janë pyetje themelore të shprehura në një mënyrë siç dinë t’i bëjnë të rinjtë. Të rinjtë janë ata që kanë kërkuar që këto pyetje dhe përgjigje të përmblidhen në një libër”, është shprehur ndër të tjera autori i librit “Në Twitter me Zotin”, Atë Michel Remery.

Në anën tjetër, autorja e librit të tjetër, “Gruaja në veprën e Atë Anton Harapit”, Gjystina Cacaj – Shushka, duke i kujtuar rrënjët e sajë si një malësore, ka thënë se përjetimi i thellë që e ka hasur gjatë leximit të veprave të Atë Anton Harapit mbi pozitën e gruas malësore në familje dhe në shoqëri e ka bërë atë që të shkruaj dhe ta ndriçoj edhe më shumë figurën e gruas shqiptare në trevat e malësisë.

“Duke lexuar veprat e Atë Anton Harapit, si meshtarë, si psikolog, depërtues mua këto vepra me frymëzojnë për gruan në malësi. Si bijë e malësisë e përjetova shumë thellë, dhe u përpoqa ta bëjë vetë një vepërz, së paku një vepërz, meqë synimi i Atë Anton Harapit nuk ishte vetëm t’i përshkruante malësorët, por ta përshkruaj dhe ta përjetoj gjithë malësinë. Personazhet e malësisë së madhe në veprën e tij shprehin errësirën dhe dritën e jetës së kësaj treve skamnore të përmbushur me mund dhe drama njerëzore duke zbuluar në to urtinë, kuptimin, qëndresën, përkushtimin dhe shpirtin fisnik. Nga këto vepra, Atë Anton Harapi, vend të konsiderueshëm i kushton jetës dhe pozitës së gruas në familje dhe në shoqëri. Në to janë spikatur veçori të kësaj qenie të butë si syqelësia, guximi, vetia, përgjegjësia dhe zhvillimi i vazhdueshëm i saj. Gruaja malësore në veprën e Atë Anton Harapit, e rritur dhe e edukuar në një botë mitike të trashëguar brez pas brezi dëshmon një qenie plotë butësi, mirësi dhe bujari. Duke ndriçuar figurën e gruas malësore, autori e paraqet realitetin e vrazhdë në malësi e njëkohësisht thekson tiparet e veta për përparimin e gjithëmbarshëm të shoqërisë shqiptare”, ka deklaruar autorja Gjystina Cacaj – Shushka.

Për tre librat tjerë, “Shenjtëresha e Dashurisë. Nga Shën Pali deri te Shën Nënë Tereza”,Virgjëra Mari në histori dhe përshpirtëri” dhe “Fuqia e Besimit. Reflektim psiko-shpirtëror mbi Psalmet 1-19”, foli Mons. Lush Gjergji, i cili theksoj rëndësinë e tyre, duke i renditur si, memorie që e mban gjallë kujtesën e ngjarjeve të rëndësishme dhe reflektime shpirtërore që e ndihmojnë njeriun e sotëm për të thelluar njohjen mbi  Virgjërën Mari dhe Psalmet. 

Në fund, të gjithë të pranishmit i ka përshëndetur dhe falënderuar Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Mons. Dodë Gjergji, i cili ka thënë së kisha përmes këtyre botimeve dëshiron të lëshojë një zë, një përshpërimë në zemrën e njeriut të ri, njeriut të sotëm. Duke folur për librin “Në Twitter me Zotin”, dhe duke e kontestualizuar atë me botën virtuale, mons. Dodë Gjergji, ka bërë thirrje që të krishterët të jenë përdorues të jashtëm të internetit, sepse, sipas tij, duke qenë përdorues të jashtëm ne dimë të notojmë e të lundrojmë në oqeanin e botës virtuale dhe arrijmë deri të zemrat e njerëzve.

“Interneti, ky oqean i tmerrshëm, i cili ka përdorues nga brenda dhe përdorues nga jashtë. Përdoruesit nga brenda janë ata që mundohen të mbijetojnë, e hanë njëri-tjetrin, nuk din as çfarë ndodhë dhe ata gjenden atje në fund të oqeanit, ndërsa përdoruesit nga jashtë janë ata që dinë të notojnë, të lundrojnë, prandaj ne të krishterët duhet të jemi përdorues të jashtëm të internetit, sepse ne nuk dëshirojmë të bëhemi pjesë e luftës së brendshme të virtualitetit, por përdorues të kësaj mundësie që na e ofron koha që ta dërgojmë mesazhin tonë të njeriu dhe të lundrojmë nëpërmjet virtualitetit për të kapërcyer në zemrat e njerëzve, por jo pa e prekë zemrën e njeriut”, është shprehur Mons. Dodë Gjergji.

Gjatë këtij evenimenti janë luajtur edhe disa vepra artistike me flahutë dhe piano nga të rinjtë e Famullisë së Prishtinës./drita.info

Fotografitë: Antigona Pjetraj – Gegaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »