Dashuria e Zotit të kalojë në mënyrë jo egoiste nëpër mua

May 19 • Meditimi i ditës

19 maj 2018 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 28,16-20; Ps 10; Gjn 21, 20-25)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde që shëron.

 

Liria

I lutem Hyjit që të më ndihmojë

që të lirohem nga mërzitë dhe brengat e mia,

që t`i çelem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

ma kujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Asnjëherë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Gjn 21, 20-25

 

20 Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte nxënësi të cilin Jezusi e donte [posaçërisht], ai që në kohën e Darkës e mbështeti kokën në parzmën e Jezusit dhe e pati pyetur: “Zotëri, kush është ai që do të të tradhtojë?” 21 Kur Pjetri e vuri re këtë, i tha Jezusit:

“Zotëri, e çka do të ndodhë me këtë?”

22 Jezusi iu përgjigj:

“Nëse dua që ky të mbesë derisa të vij unë, ty ç’po të duhet? Ti eja pas meje!”

23 Këndej edhe u hap ndër vëllezër fjala se ai nxënës nuk do të vdiste. E pra, Jezusi nuk tha “Nuk do të vdesë!”, por “‘Nëse dua që ky të mbesë derisa të vij unë [ty ç’po të duhet?’]”

24 Ky nxënës është ai që i dëshmon këto gjëra dhe vetë ai i shkroi. Ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.

25 Ka edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat po të renditeshin një nga një, më thotë mendja se as mbarë bota s’do t’i zinte librat, që do të duhej të shkruheshin.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • E çka do të ndodhë me këtë?, pyeti Pjetri. A ka këtu shenja rivaliteti, kurioziteti xheloz? Jezusi ia kthen të kundërtën: Ty ç`po të duhet? Ose, kjo nuk është punë për ty – mos u përziej.
  • Zot, a thua do ta tejkaloj ndonjëherë këtë ndjenjën e rivalitetit, dëshirën për të qenë në qendër të vëmendjes? Bëj që dashuria jote në mënyrë jo egoiste të kalojë nëpër mua.

I lejoj Zotit që t`i “lexojë” dëshirat e thella të zemrës sime që shkojnë përtej fjalëve të mia.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?

Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?

Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?

Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Ati ynë …

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »