Të përforcuar në shpirt – Krezmimi

May 19 • Këndvështrime

“Ju nuk keni marrë shpirtin që bën robër në mënyre që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë!”. (Rom 8, 15)

“Virgjëra Mari është kryevepra e Shpirtit Shenjt, i cili zbriti mbi atë qysh në çastin e lajmërimit, pas Po-së të Marisë. Ajo e ngjizi Jezusin për virtyt të Shpirtit Shenjt në kraharorin virgjëror, lindi Jezusin me virtyt të Shpirtit Shenjt, e përcolli besnikërisht deri në vdekje… Ajo bashkëpunoi me Shpirtin Shenjt në mënyrë të përsosur, me aq dashuri edhe në jetën e Kishës së kohës së hershme. Ajo, së bashku me apostuj, në uratën e përbashkët përgatitej dhe kishte pranuar Shpirtin Shenjt”. (Nëna Tereze)

 

Nga Don Lush Gjergji

 

Sakramenti i dytë i iniciacionit të krishterë është përforcimi apo krezmimi. Quhet përforcim sepse vërteton, përforcon atë çka kemi marrë në pagëzim. Për këtë arsye shumë njerëz e quajnë edhe “pagëzimi personal” apo edhe “pagëzimi i dytë”. Ky sakrament duhet të përgatite sa më mirë, me përgjegjësi, pjekuri dhe angazhim më të madh, për të na aftësuar për dëshminë e krishterë.

“Me sakramentin e përforcimit lidhen në mënyrë më të përsosur me Kishën, pasurohen me një forcë të veçantë prej Shpirtit Shenjt dhe në këtë mënyrë janë të detyruar më shumë që të përhapin fenë me fjalë dhe me vepra, si dëshmitarë të vërtetë të Krishtit”. (LG 11; khs. LG 33)

Jezusi na vërteton praninë e Shpirtit Shenjt edhe në jetën dhe misionin e tij. “Shpirti i Zotit është mbi mua sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit, të shpall vitin e hirit të Zotit”. (Lk 4, 18-19)

Jezusi kështu i paraqitet popullit: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjt që e dëgjuat me veshë tuaj!” (Lk 4, 21)

Shpirti Shenjt paraqitet në pagëzimin e Jezusit si dhe gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë publike. Ai është protagonisti i Kishës apostolike, si dhe gjatë gjithë shekujve. Kështu të krishterët, të “lyrët”, përpos pagëzimit marrin edhe sakramentin e përforcimit. “Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata e morën Shpirtin Shenjt”. (Vap 8, 17)

Më herët pagëzimi dhe krezmimi merreshin së bashku, kështu që Shën Cipriani i quante “sakramenti i dyfishtë”. Më vonë janë ndarë për arsye baritore, duke i dhënë një rëndësi të veçantë sakramentit të përforcimit, me praninë e ipeshkvit – apostullit që nga shekulli III pas Krishtit, edhe pse në “Ordo Romanus XI” gjendet zyrtarisht nga shekulli VII pas Krishtit.

Shën Tomë Akuini shkruante kështu: “Pagëzimi dhe krezmimi janë si lindja dhe rritja; me përforcim arrihet te plotësimi ose zbatimi i pagëzimit”.

Në Kishën ortodokse, si dhe në Kisha katolike të ritit lindor apo bizantin, edhe sot pagëzimi dhe përforcimi ndahen së bashku.

Janë dy shenja të jashtme  të përforcimit: lyrja me vajin e shenjt të krezmimit dhe shtrirja e duarve të ipeshkvit, ose personit të autorizuar, për marrjen e Shpirtit Shenjt.

Jezu Krishti u kishte premtuar dhe dërguar Shpirtin Shenjt apostujve, Kishës, duke thënë: “Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk ju falen”. (Gjn 20, 22-23)

Kisha lind dhe jeton nga Shpirti Shenjt dhe kështu vazhdon vepra e shëlbimit. Apostujt, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, dëshmonin ngjalljen e Krishtit. “Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jenë me ju përgjithmonë: Shpirtin e së Vërtetës, që bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh as nuk e  njeh. Ju e njihni sepse Ai është banon me ju e është në ju”. (Gjn 14, 16-17)

Kjo është realizuar për festën e Rrëshajëve, kur Shpirti Shenjt zbriti mbi apostuj: “E shpirti Shenjt – Mbrojtës, të cilin do t’ju dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’ju mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka (unë) ju thashë”. (Gjn 14, 26)

Shën Pali i shpjegon frytet e Shpirtit Shenjt kështu: “Kurse fryti i Shpirtit është dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria, Kundër këtyre nuk ka ligj”. (Gal 5, 22)

Në Besojmën apostolike ne dëshmojmë: “BESOJ NË SHPIRTIN SHENJT…”

Kisha, që të mbesë besnike Jezu Krishtit, dhe që ta shpallë Atë, ka nevojë për praninë dhe përkrahjen e Shpirtit Shemjt. (khs. Vap 4, 30; 5, 42; 6, 7; 9, 20) Ai është sot dhe gjithnjë i pranishëm në Trupin mistik, në Kishë, për ta vazhduar veprën e shëlbimit “gjer në skajin e botës”. (Vap 1, 8)

Virgjëra Mari është shembulli i dëgjesës dhe bashkëpunimit, veprimit të Shpirtit Shenjt, sepse në çdo moment të jetës së saj ishte e gatshme për bashkëpunim në planin e shpërblimit.

Edhe ne kemi shumë nevojë për Shpirtin Shenjt, që të jemi të krishterë të vërtetë me jetë dhe me vepra. “Të gjithë të krishterët, kudo që jetojnë, kanë detyrën ta shfaqin me shembullin e jetës së tyre dhe me dëshminë e fjalës së tyre njeriun e ri, me të cilin janë veshur në pagëzim, dhe forcën e Shpirtit Shenjt, prej të cilit janë përforcuar në krezmim”. (AG 11)

Të krishterët e parë vdisnin për Zotërinë të udhëhequr dhe përkrahur prej Shpirtit Shenjt. Ata ishin të njohur me faktin se duheshin me njëri-tjetrin. Bota nuk ka pasur kurrë kaq nevojë për dashuri si sot. Shi për këtë ne kemi shumë nevojë për Shpirtin Shenjt, për të na mësuar që ta pranojmë, duam Jezusin në të afërmin tonë… Që të mund të bashkëpunojmë mirë me Shpirtin Shenjt, kemi nevojë për heshtje, uratë, kundrim, siç bëri Zoja Mari… Të lutemi edhe ne me mbarë Kishën: “Eja, o Shpirti Shenjt, dhe përtërije fytyrën e tokës”, zemrat tona, ne, botën mbarë. “Motori” i vërtetë i jetës sonë shpirtërore, ndërrimi është Shpiri  Shenjt”. (Nëna Tereze)/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »