Dyshimi mund të jetë një pjesë e rëndësishme e besimit në Zotin
21 maj 2018 – E hëna e Rrëshajve, Momenti i shenjtë – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Jak 3, 13-18; Ps 18; Mk 9, 14-29)
Prania e Hyjit
Ndalem një moment
dhe e marr me mend praninë gjallëruese dhe shpirt-dhënëse
në secilën pjesë të trupit tim, në të gjitha gjërat rreth meje,
në tërë jetën time.
Liria
O Hyj, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë jetë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit në jetë.
Ndërgjegjësimi
Duke e ditur se Hyji më do pa kushte,
mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se çfarë jam.
Si kaloi dita e djeshme? Si jam duke e ndier veten tani?
Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Zotin.
Fjala
Tani e lexoj, e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.
Lexoj, dëgjoj
dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.
Mk 9, 14-29
14 Kur arritën te nxënësit, panë mori të madhe njerëzish rreth tyre dhe skribët që po rrahnin çështje me ta. 15 Tërë ajo mori, kur e pa Jezusin, u habit dhe me nxitim vrapoi për ta përshëndetur. 16 Ai i pyeti:
“Mbi çka diskutoni me ta?”
17 Dikush prej morisë iu përgjigj:
“Mësues, e solla te ti djalin tim që ka në trup një djall që s’e lë të flasë. 18 Kudo e kap, e shkapet andej këndej e djali shkumon e kërcëllon dhëmbët dhe i ngrihen gjymtyrët. U thashë nxënësve të tu ta dëbojnë, por ata nuk mundën.”
19 “O brezni e pafe ‑ u përgjigj Jezusi ‑ deri kur do të jem me ju? Ma sillni këtu!”
20 Ia sollën. Shpirti i ndytë, posa e pa Jezusin, menjëherë e shkapeti djalin; djali, i rënë ashtu për dhe, rrokullisej e shkumonte.
21 Jezusi e pyeti babanë e tij:
“Tani sa kohë i ndodh kështu?”
22 “Që në fëmijëri ‑ iu përgjigj ‑ Shpeshherë e ka hedhur herë në zjarr e herë në ujë për ta mbytur. Nëse mund të bësh gjë, na ndihmo! Ki mëshirë për ne!”
23 “Nëse mund të bësh gjë… ! ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Gjithçka është e mundshme për atë që beson!”
24 Menjëherë babai i djaloshit tha me zë të lartë:
“Besoj, por më ndihmo ti të besoj!”
25 Kur Jezusi pa se po afroheshin përherë e më shumë njerëz, i urdhëroi shpirtit të ndytë dhe i tha:
“Shpirt memec dhe i shurdhër, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos u kthe më në të!”
26 Ai bërtiti, e shkapeti fort djalin dhe doli prej tij. Djaloshi mbeti menjëherë, porsi i vdekur, kështu që shumë thoshin: “Vdiq!” 27 Jezusi e kapi për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë.
28 Kur Jezusi shkoi në shtëpi, nxënësit e tij e pyetën veçmas:
“Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?”
29Ai iu përgjigj:
“Ky lloj nuk mund të dëbohet me asgjë tjetër, përveçse me lutje.”
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Vëreje padurimin e Jezusit në këtë rast. Në të mund të gjendemi në të njëjtën gjatësi vale me padurimin tonë njerëzor, por edhe për të gjetur forcë për qëndresë.
- Dyshimi mund të jetë një pjesë e rëndësishme e besimit në Hyjin. Nëse nuk ka momente dyshimi, hapësira për rritjen tonë në besim mund të reduktohet.
I lejoj Zotit që t`i “lexojë” dëshirat e thella të zemrës sime që shkojnë përtej fjalëve të mia.
Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.
Bashkëbisedimi
Jezu, po më flet në tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që të përgjigjem në këtë thirrje të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde në vepër
në jetën time të përditshme.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kohës së lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Ati ynë …
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash e
përgjithmonë e jetës. Amen.
« Studim për ndriçimin e fytyrës së gruas shqiptare A i pranoj njerëzit të tillë siç janë? »