A i pranoj njerëzit të tillë siç janë?

May 22 • Meditimi i ditës

22 maj 2018 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jak 4, 1-10; Ps 54; Mk 9, 30-37)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment dhe provoj të ndërgjegjësohem se Zoti është i pranishëm:

në afërsinë time, në atë çfarë bëj, në njerëzit të cilët i takoj,

në rrethanat e përditshme në të cilat ndodhem.

Si mund ta bëj këtë realitet edhe më të gjallë?

 

Liria

Trungu i trashë dhe i shtrembër i pemës kurrë nuk do të besonte

se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,

dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,

i cili me gjeninë e tij depërton për të nxjerr gjithë atë çfarë mund të bëhet prej këtij trungu (Shën Injaci)

Lutem për hirin shenjtë që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, si po e ndiej veten sot?

A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?

Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,

a mund të provoj t`i largoj këto brenga që po më shqetësojnë?

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


Mk 9, 30-37

30 Si u nisën prej andej, kaluan nëpër Galile, por nuk donte ta dinte kush, 31 sepse i mësonte nxënësit e vet.

U thoshte:

“Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve e ata do ta vrasin, por kur ta kenë vrarë, ai do të ngjallet pas tri ditësh”

32 Ata nuk e morën vesh këtë fjalë e kishin frikë ta pyesnin.

33 Arritën në Kafarnaum. Si hyri në shtëpi, i pyeti:

“Mbi çka biseduat rrugës?”

34 Ata nuk bënë zë, sepse udhës kishin biseduar kush ishte më i madhi. 35 Jezusi u ul, i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u tha:

“Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i sprasmi i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.”

36 Pastaj mori një fëmijë të vogël, e vuri në mes të tyre, e përqafoi dhe u tha:

37 “Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua; e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua.”


Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nxënësit diskutonin në mes veti, duke u përpjekur të kuptonin se çfarë kishte thënë Jezusi. Megjithatë, ata kishin frikë ta pyesnin.Kush prej nesh nuk ka pasur luftëra tëbrendshmeduke u përpjekur për të kuptuar disa mësime të caktuara të fesë sonë, por edhe ka ngurruar të pyeste për shkak të frikës se mos po tregonte padijeni, injorancë?
  • A sillem në atë mënyrëqë njerëzit ndihen më të vegjël për shkak të asaj çfarë ata janë? Apo u jap zemër dhe i pranoj të tillë siç janë, sikurse ka bërë kështu Jezusi me fëmijën e vogël? 

    I lejoj Zotit që t`i “lexojë” dëshirat e thella të zemrës sime që shkojnë përtej fjalëve të mia.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët tua, o Zot, më mësojnë  se si duhet të lus.

Urata e mrekullueshme Ati ynë

përmban  gjithçka dua të them.

Ati ynë…

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »