Kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj pritet në vizitë nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit

May 22 • Kisha në botë

Kryeministri i Kosovës, z.Ramush Haradinaj u prit sot në vizitë në Vatikan nga Sekretari i Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Parolin. Gjatë bisedimeve të përzemërta u trajtuan tema të ndryshme si situata aktuale e Kosovës, aspiratat e saj drejt familjes evropiane, dialogu e stabiliteti në rajon, “kërkimi i partneritetit diplomatik me Shtetin e Vatikanit, për këtë, njohja nga Selia e Shenjtë është hap i nevojshëm” – u shpreh Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se “Shteti i Kosovës është faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit si dhe promovues i fqinjësisë së mirë. Liria fetare dhe orientimi ynë euro-atlantik janë vlera të pacënueshme”. 

Po kështu, u fol për vlerën e familjes e për rolin e komuniteteve fetare në vend e për kontributin e Kishës katolike në veçanti. Kardinali Parolin tha se Selia e Shenjtë përcjell nga afër e me vëmendje zhvillimet në vend, vlerëson arritjet e siguron mbështetjen në rrugën euro-atlantike e në kultivimin e vlerave, që afrojnë, bashkojnë e çojnë përpara bashkëjetesën mes entiteve të ndryshme të vendit. Kryeministri i Kosovës Haradinaj kujtoi edhe 10-vjetorin e pavarësisë së vendit, arritjet e sfidat që ka shoqëria e re demokratike, me vokacion evropian.

Kryeministri Haradinaj tha, mes tjerash, se “Kardinalit Parolin i shpreha përkushtimin e vendit që të ruajmë dhe t’i avancojmë marrëdhëniet tona, ndërsa Hirësia e Tij, na inkurajoi për rrugën tonë euro-atlantike”.(www.radiovaticana.va)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »