Kisha Katolike në Kosovë, të shtunën shtegton në Shenjtëroren e Letnicës

May 23 • Kisha në Kosovë

Tashmë tradicionalisht, besimtarët katolik të Kosovës, të shtunën e fundit të muajit maj – muaj kushtuar Virgjërës Mari – shtegtojnë në Shenjtëroren e Letnicës, për t’u gjetur bashkë në lutje falënderimi Zojës së Bekuar.

Shtegtimi sivjet do të jetë të shtunën, më 26 maj 2018. Mesha solemne do të jetë në ora 11:00, të cilës do t’i prijë ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me gjithë meshtarët.

Letnica, me shenjtëroren e saj kushtuar Virgjërës Mari, është një oazë lutjeje, përkushtimi dhe shtegtimi shekullor i kishës ndër shqiptarë. 
Shën Nënë Tereza, pikërisht në këtë Shenjtërore, para trupores së Virgjërës Mari, pati vendosur që t’i kushtohet Zotit e të bëhet misionare në shërbim të të varfërve. Edhe shumë martirë të trevave tona kanë thënë besën për të qenë besnik fesë dhe atdheut pikërisht në këtë vend të shenjtë. 

Duke i pasur parasysh të gjitha këto arsye e shumë të tjera, me dashuri i ftojmë të gjithë besimtarët dhe njerëzit vullnetmirë që të na bashkëngjiten në shtegtimin tonë në Letnicë për ta nderuar Virgjërën Mari, Nënën Tonë dhe Nënën e Kishës.  Zoja e Letnicës – lutu për ne!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »