Papa Françesku pret në audiencë Kryeministrin e Kosovës, z. Ramush Haradinaj

May 24 • Kisha në botë

Kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj ka qëndruar në vizitë dyditore në Vatikan (22-23 maj 2018). Pasi, në ditën e parë, u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, dhe me bashkësinë arbëreshe në Kishën e Shën Athanasit në Romë, në ditën e dytë, dje, 23 maj, u pritë në audiencë të mbyllur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.

Takimi me Papa Françeskun ndodhi para audiencës së përgjithshme që Papa i mban të mërkurave në Vatikan, kur i pret edhe personalitetet botërore të caktuar për atë ditë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit të sotëm me Atin e Shenjtë Papa Françeskun, kështu e përshkroi këtë takimi përmes një komunikate në profilin e tij zyrtar në FB:

“Takim në katër sy me Shenjtërinë e Tij, Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Të nderuem me pritjen e të bekuem me fjalët e Atit të Shenjtë.

Kosova është shembull i tolerancës fetare dhe i promovimit të paqes. Rruga jonë euro-atlantike fuqizohet me partneritetin strategjik me Vatikanin.

Shenjtërisë së tij, Papa Françeskut i shpreha përkushtimin e popullit tonë, që vlerat shpirtërore dhe demokratike t’i ruajmë e kultivojmë, në frymën e për të mirën përbashkët.

Kosova është mirënjohëse, që në Selinë e Shenjtë i ka gjetur gjithmonë dyert e hapura.

Bekimi i Papa Françeskut është një nxitje e mëtejshme për udhën që ndjek Kosova me popullin e saj, udhën e qytetërimit evropian!”

Kurse në një prononcim për Radio Vatikanin, Kryeministri u shpreh se “ishe një nder i madh për mua, por edhe për Popullin e Kosovës. E shfrytëzova këtë nder për me ia përcjell përshëndetjet dhe dëshirat më të mirat të popullit të Kosovës, që kanë për Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, për Selinë e Shenjtë – Vatikanin, dhe dëshirën për të vendosur marrëdhënie të përhershme strategjike me Vatikanin. Gjithashtu, e shfrytëzova për me ia dhanë një dhuratë nga populli i Kosovës, që ishte një letër-kërkesë për Atin e Shenjtë, për pranimin, njohjen, kujdesin ndaj Kosovës. Më bëri përshtypje – vazhdoi z. Haradinaj – se Papa Françesku ishte shumë njerëzor me një ngrohtësi të jashtëzakonshme, dhe ma tha një fjalë, që për mua ishte vërtetë fjalë shumë e madhe, kur më tha se “E kam në zemër popullin e Kosovës”.

“Vetë pritja e ngrohtë, theksoi Kryeministri, është një porosi e mirë se Ati i Shenjtë e ndien Kosovën, dëshirat e popullit të Kosovës, pritjet që i ka Kosova. Ai na tha se do të lutet për Kosovën e na kërkoj që të lutemi edhe ne për Papën, që të jemi afër e të jemi bashkë. Unë besoj se Kosova është më e afërt me vendet euro-atlantike dhe me vetë Selinë e Shenjtë. Takimi përfundoj duke më bekuar mua, delegacion dhe gjithë Kosovën, që ishte një ndjenjë e prekshme dhe një ndjejnë e veçantë dhe e papërshkueme. U ndjeva shumë i nderum dhe i respektum sot në këtë takim.”

Në pyetjen se cili është mesazhi për Kosovën që sjell nga kjo vizitë, kryeministri tha: “Ne e kemi shumë me rëndësi këtë marrëdhënie me Vatikanin. Selia e Shenjë, Vatikani, është pjesë e organizatave ndërkombëtare. Jam i bindur se në rrugëtimin tonë Vatikani do të na ndien.” Duke e vazhduar bisedën për rëndësinë e raporteve me Vatikanin,  kryeministri tha: “E shpreh mirënjohjen për Delegatin Apostolik për Kosovën, që e ka emëruar para disa viteve Selia e Shenjtë. Njëkohësisht, e kam shpreh respektin për Kishën Katolike Shqiptare në Kosovë dhe kam mirëpritur avancimin e Kishës tonë, si një porosi e mirë për Kosovën dhe popullin e Kosovës”./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »