Me buzëqeshje fillon dashuria

May 26 • Opinion

Nga Don Anton UKA

Një pjesë e madhe e të krishterëve, kur e mendojnë Hyjin, kam përshtypjen se e kanë para vetes imazhin e një Hyji me qëndrime shumë serioze. Pa dyshim që Hyji është serioz, po ashtu edhe qëndrimet e tij janë serioze dhe dinjitoze, por kjo nuk do të thotë se Hyji nuk qesh. Përkundrazi, Shkrimi i Shenjtë dëshmon se Hyji qeshet. Pra, Atë e karakterizon edhe kuptimi për humor.

Sipas fjalëve të psalmit të dytë: “Qeshet Ai që selinë e ka në qiell” (Ps 2, 4), qeshja e Hyjit, ndodh në një kontekst paksa të çuditshëm. Duke iu referuar vargjeve të psalmit të dytë, mund të themi: Si është e mundur që Hyji të qeshet, kur një popull i tërë është ngritur kundër tij? Si është e mundur që rebelimit, marrëzisë, arrogancës, shpirtligësisë, injorancës dhe dhunës së njeriut, Hyji t’i përgjigjet me buzëqeshje? Në aspektin njerëzor, kjo duket gati e pamundur, për faktin se, kur dikush ngrihet kundër nesh dhe na urren, na shpif, na mashtron, na gënjen, na tradhton, na mohon e ndoshta mundohet edhe të na eliminojë, ne nuk qeshemi; përkundrazi, bëhemi shumë nervozë, e humbasim qetësinë, harmoninë, paqen, durimin, ekuilibrin, përqendrimin; me një fjalë, e humbasim buzëqeshjen, që në këtë rast është sinonim i gëzimit. Ndërsa Hyji, edhe përballë këtyre situatave, qeshet! Pse? Cili është qëllimi i kësaj të qeshure të Hyjit?

Gjëja e parë që mund të themi, apo përgjigja e parë që mund t’iu japim këtyre pyetjeve është: Hyji edhe përballë kërcënimeve dhe rebelimeve të njeriut qeshet, jo pse i banalizon ato, por sepse dashuron; zemra e tij është e mbushur me dashuri. E di se fjalën e fundit nuk do ta ketë urrejtja, dhuna, padrejtësitë, lufta, por dashuria. E di se në fund të fundit gjithçka do të shkojë mirë, e di se e keqja nuk mund të ngadhënjejë mbi të mirën; prandaj edhe qeshet.

Stili i Hyjit apo mënyra sesi Ai i pranon dhe i përballon gjërat, duket se është një mësim jashtëzakonisht i rëndësishëm për jetën tonë njerëzore. Ka shumë njerëz, që për arsye të vuajtjeve, të padrejtësive, të problemeve, të sëmundjeve, të dyshimeve, të moskuptimeve, e kanë humbur buzëqeshjen, e kanë humbur gëzimin. Ato veprojnë sikur problemet të ishin më të rëndësishme sesa lumturia e tyre. Është më se e vërtetë që gjërat dhe njerëzit e këqij e prekin dhe e lëndojnë botën tonë emocionale dhe në njëfarë mënyre, vetvetiu, shkaktojnë emocione të kundërta. Por, besimtarit, falë besimit në praninë dhe fuqinë e Hyjit, i është dhënë një mundësi më shumë që t’i integrojë emocionet e veta, t’i edukojë ato dhe dalëngadalë t’i shndërrojë nga emocione kundër, në emocione drejtë (emocionet kundër janë: zemërimi, xhelozia, inati, zilia, smira, neveria, përbuzja etj.. Quhen kundër, sepse na nxisin të kemi qëndrim të kundërt; ndërsa, emocionet drejtë janë: të qenurit mirë me vetveten apo euforia, gëzimi, afërsia, dhembshuria, solidariteti, mirënjohja, simpatia, tërheqja, pasioni etj.. Quhen drejtë, sepse na nxisin të kemi qëndrime që çojnë drejt bashkimit dhe solidarizimit).

Mungesa e buzëqeshjes sikur e paralizon dashurinë dhe lumturinë e njeriut, e cila duhet të jetë e pranishme edhe atëherë kur ndodhin gjëra të pakëndshme dhe të dhimbshme. Me plot të drejtë Lino Pedron thoshte: “Kush nuk e kupton humorin e Hyjit, nuk arrin të kuptojë thellësinë, fuqinë dhe seriozitetin e dashurisë së tij”. Sipas Romano Guardinit: “Buzëqeshja është njëra ndër fuqitë më të mëdha të shpirtit njerëzor”. Kjo do të thotë se buzëqeshja është një ndër armët më të fuqishme të pakënaqësisë njerëzore, që duhet kultivuar vazhdimisht. Është fjala për atë buzëqeshje natyrore, që buron nga harmonia e thellë e zemrës së njeriut, e jo për atë buzëqeshje false, të sforcuar dhe të veshur me ngjyra hipokrizie.

Në lidhje me këtë, dëshiroj të shtoj diçka shumë interesante që kam lexuar pikërisht gjatë këtyre ditëve. Sipas një sondazhi të fundit të bërë në Itali, rezulton se përqindja më e madhe e atyre që kërkojnë ndërhyrje estetike, ka të bëjë pikërisht me aspektin e fytyrës dhe konkretisht me atë të buzëqeshjes. Ky fenomen shumë i pranishëm edhe në vende të tjera të botës. Le të kuptojmë se njerëzit dëshirojnë të jenë të lumtur dhe të transmetojnë gëzim, por problemi është se një pjesë e madhe e tyre ende nuk e ka kuptuar se buzëqeshja nuk është dhe nuk mund të jetë prodhim artificial, nuk mund të jetë prodhim i një ndërhyrjeje të jashtme, por ajo është çështje e brendshme harmonie, shprese, besimi, dashurie. Kështu që, vetëm një ndërhyrje e brendshme do të jetë e aftë të dhurojë atë buzëqeshje të bukur, të çiltër, të ëmbël, simpatike dhe tërheqëse.

Shenjtërit janë një shembull konkret i kësaj buzëqeshjeje. Zakonisht, personaliteti dhe fytyra e shenjtërve është shumë tërheqëse dhe shpresëdhënëse, jo për arsye të bukurisë së tyre fizike, por për arsye të bukurisë së brendshme, të shpresës, të besimit, të dashurisë që ata ndjejnë në shpirtin e tyre. Nënë Tereza ishte një prej tyre. Edhe pse fytyra e saj ishte e plot me rrudha, ajo transmetonte një qetësi dhe një gëzim të papërshkrueshëm.

Kam përshtypjen, se sot, shoqërisë tonë të digjitalizuar, e sidomos të rinjve dhe të rejave tanë, ndoshta më tepër se në të kaluarën, i mungon buzëqeshja. Prandaj e konsideroj shumë të nevojshme që kësaj shoqërie narciziste, të trishtuar në brendësi, të mbyllur, të frustruar dhe për shumë aspekte të dëshpëruar, t’ia dhurojmë buzëqeshjen ungjillore si ilaçin më të fuqishëm kundër të gjitha këtyre të këqijave që po e rëndojnë.

Humbja e buzëqeshjes, është humbja dhe plaga më e madhe e një shoqërie, e një Kishe dhe e një familjeje. Prandaj, jemi të ftuar ta marrim me buzëqeshje jetën, të tashmen, të ardhmen, familjen, punën, shoqërinë, vuajtjet dhe problemet, pa ia zbehur apo humbur atyre seriozitetin e merituar, por jo të tepruar, sepse serioziteti i tepruar nuk lejon ta shijojmë dhe ta gëzojmë jetën. Në lidhje me seriozitetin e tepruar po citoj psikologun e famshëm kosovar, Daut Demakun, i cili shkruan: “Jeta është lojë. Por – pa teprime. Serioziteti i tepërt është kancer i mendjes. Me një lojë e buzëqeshje fillon dashuria. Në lojë e buzëqeshje lirohet qarkullimi i energjisë së pastër që ndërton. Mos i mbyllni dyert e dritaret e trupit me seriozitet të tepërt. Kur e kaloni rrugën nga shtëpia në punë, ta zëmë, 5 km të gjatë, me detyrim e seriozitet – shkaktohet lodhja. Kur e kaloni të njëjtën rrugë, në lojë, në shëtitje – shkaktohet kënaqësia. Mos prisni dhurata nga të tjerët. Bëhuni kreativë: dhuroni vetes tuaj – dhuratën më të mirë në botë – që quhet buzëqeshje, lojë, dashuri…”./drita.info

(Shkëputur nga libri: Fuqia e besimit, i autorit don Anton Uka)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »