Virgjëra Mari – Ndihma e të krishterëve

May 26 • Kisha në Kosovë

Në katedralen e Prizrenit, më 24 maj, u kremtua festa e Zojës Ndihmëtare, pajtorja e kësaj katedrale. Meshën kryesore e udhëhoqi Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi ynë, në bashkëmeshim me argjipeshkvin e Tivarit, Imzot Rrok Gjonlleshaj, shumë meshtarë të Ipeshkvisë. 

“Jemi bashkuar sot për të kremtuar festën e madhe të Zojës Ndihmëtare, që paraardhësit e mi e kanë zgjedhur si engjëllin mbrojtës, si nënën që i mbron fëmijët e vet, për të qenë pajtore e Katedrales, të familjeve tuaja dhe e gjithë neve” – ishin fjalët e para të ipeshkvit në homelinë që e mbajti, duke u ndalur në shtjellimin e ungjillit të festës dhe rolin e Zojës Ndihmëtare në jetën e Kishës.

“Zoja e Bekume ishte zgjedhur prej Hyjit për të sjell në botë Fjalën e Zotit, për ta mishëruar në kraharorin e vet për virtyt të Shpirtit Shenjt dhe për të ma e dhuruar neve shpëtimtar. (…) Nga përvoja e fesë e dimë se Zoja e Bekume është Nëna e Zotit tonë Jezu Krishtit, Nënë e Kishës, është mbretëresha e qiellit e tokës. Është nëna e Atij që na ka shpëtuar neve, ne e duam dhe e kemi pranuar ashtu siç Shën Gjoni e ka pranuar nën kryq, kur vet Krishtit nga Kryqi thoshte Gjonit: ‘Qe nana jote’. Me të njëjtin gëzim dhe dashuri e pranojmë edhe ne këtë Nënë që Krishti na e dhuron.”

Se Virgjëra Mari me kujdesin amnor vazhdon të jetë e pranishme në Kishë, sikur me apostujt, kishën e parë të krishterë, e kuptojmë nga përshpirtëria gjithnjë në rritje e Kishës në vendet e ndryshme të botës, në kohëra dhe rrethana të ndryshme historike. Nga kjo përvojë e krishterë është rritur një ndjenjë e veçantë e ndërmjetësisë së Saj duke e quajtur sa Zoja e Mëshirshme, sa Zoja e dhimbshme, sa Zoja Mbretëresha e Qiellit, ndonjëherë Zoja e Këshillit të Mirë, që populli shqiptar e ka për pajtore të veçantë, e gjithashtu edhe Zoja Ndihmëtare, festa e së cilës kremtohet sot.

Ipeshkvi duke e kujtuar si ka ardhur kjo përshpirtëri në Kishën tonë, përmend përvojën e Kishës ndër shekuj, që nga të krishterët është lutur si ndërmjetësuese e ndihma e tyre. Edhe sot, theksoj ipeshkvi, sikur në të kaluarën, kemi nevojë për mbështetjen dhe ndihmën e saj amnore ne si besimtarë e si kishë, që të na përcjell në takim me Birin e saj Jezu Krishtin.

Në lutjet e të krishterëve drejtuar Marisë, ka shumë dashuri dhe kërkim ndihme, por ipeshkvi e zgjodhi një lutje të Papa Piut XII, e cila shpreh dëshirën e fesë për ta pasur Virgjërën Nënë dhe mbrojtëse të jetës në ndeshtrashat e kësaj jete tokësore: “O Virgjër e Bekume, Nana e Zotit tonë Jezu Krishtit, mos pusho kurrë duke i kujtuar të përshpirtshmit e tu dhe mbroj derisa të sigurohesh se i ka përfshirë mbrojtja jote amnore, shtrije shikimin tënd të dhimbshëm mbi nevojat tona, mjerimin tonë, dhe na jep një ndihmë të ngjashme me atë që i ke dhënë Kishës gjithmonë.”

Kjo uratë – tha ipeshkvi –shtrihet në zemrën e secilit prej nesh, sepse ne me afshin e zemrës e duam vështrimin dhe shikimit e Nanës sonë, edhe kur ky shikim është i dhimshëm edhe kur është plot dashuri, edhe kur është qortues, edhe kur na konfirmon gëzimin e zemrës së vet. Duhet të vazhdojmë  – theksoj bariu ynë – t’i lutemi asaj në jetën e përditshme, nëpërmjet Rruzares dhe lutjes personale, duke kërkuar prej saj që të jetë shpresë për ata që janë duke e kërkuar copën e bukës për vete e për fëmijët e vet, për ata të cilët janë në shtratin e sëmundjes ose të pleqërisë, që ajo të jetë ngushëllimi i tyre. Për të gjithë, le të jetë kjo Nënë ndihma, mbrojtja dhe shpresa. Le të na ndihmojë Zoja e Bekume, që të bëhemi të ngjashëm me Birin e saj, sepse pa Të jeta jonë nuk ka kuptim, feja jonë mbetet e thatë, dhe gëzimi ynë bëhet i zbehtë.”

Duke shpreh një falënderim të thellë për paraardhësit e tij për vendimin për ta pasur këtë festë në Katedralen e Prizrenit, Shkëlqesia e Tij tha: “E falënderojë Zotin tonë Jezu Krishtin edhe paraardhësit e mi të cilët e kanë përzgjedhur Zojën Ndihmëtare për pajtore. Kjo kishë, në atë kohë kur është përzgjedhur, vërtet ka pas nevojë për ndihmë, sepse ka qenë kishë e dërmuar dhe e shtypur. Sot kisha jonë është e lirë, por asaj gjithmonë i nevojitet ndërmjetësia e kësaj Nënë  për të qenë besnike dhe dëshmitare e Zotit, besnike ndaj fesë, e gatshme për sakrificë.” Në përfundim ipeshkvi i grishi të gjithë pjesëmarrësit që të mos pushojnë ta lusin Zojën e Bekume, që të na jep paqen dhe guximin për ta jetuar fenë në këtë kohë moderne.

Mesha është transmetuar drejtpërdrejtë nëpërmjet Radio Marisë së Kosovës, e cila përmes valëve të saj mundëson të shkoj Fjala e Zotit edhe në shtëpitë e shumë besimtarëve që nuk kanë pasur mundësi të jenë të pranishëm në këtë festë të bukur./drita.info

Fotografitë: Lekë Laçi

Shpërndaje

Comments are closed.

« »