Zoti na fton ta jetojmë pagëzimin tonë

May 27 • Meditimi i ditës

27 maj 2018 – E diel, TRINIA E SHENJTË, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Lp 4,32-34.39-40; Ps 32; Rom 8, 14-17; Mt 28, 16-20)

 

Prania e Hyjit

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri jashtë të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde. Gjatë këtyre momenteve reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.


Mt 28, 16-20


16 Ndërkaq të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal, ku u kishte urdhëruar Jezusi. 17 Kur e panë, e adhuruan, por disa dyshuan.

18 Jezusi u afrua e u tha:

“Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. 19 Prandaj, shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! 20 Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!”


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ungjilli i Mateut u shkrua për të krishterët të prejardhur nga judaizmi. Duke e zhvilluar historinë në këtë ungjill janë paraqitur “autsajderët/të jashtmit” siç janë dijetarët,centurioni romak dhe gratë e Kanaanit. Edhe ne kemi qenëdikur autsajderë/të huaj – kemi qenë jashtë, dhe tani jemi brenda. Jemi pagëzuar në bashkësi duke ndarë jetën e Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt.
  • Nxënësit ishin të ngadalshëm për tëbesuar në ngjalljen e Jezusit. Ai u dha atyre pushtetinpër të vazhduar atë që ai e kishtefilluar, për t`i sjellë të tjerët në bashkësinë e besimtarëve.
  • Jezusi na fton për të jetuar pagëzimin tonë, dhe mos t`i përjashtojmë të tjerët nga bashkësiaqë është e hapur për të gjithë.
  • Zot, po më frikëson me këtë urdhërim: “Shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt“. U ke thënë të Njëmbëdhjetëve – njerëzve që nuk kishin shkollë, para apo ndikim, në një provincë të braktisur të Perandorisë Romake. Ata të dëgjuan, sepse e dinin se ti ishe me ta.
  • Sot, të krishterët janë trupi më i madh i besimtarëve në këtë planet. Predikimi i sotëm është më ndryshe. Ne jemi të arsimuar, nganjëherë edhe tepër. E sot është më e vështirë se kurrë të bësh që të dëgjohet zëri ynë.
  • Megjithatë, nëpërmjet “Momentit të Shenjtë”, fjala jote potencialisht shkon te të gjithë popujt. Atje ku janë dy ose tre në emrin tënd edhe ti je me ta, me ne.I lejoj Zotit që t`i “lexojë” dëshirat e thella të zemrës sime që shkojnë përtej fjalëve të mia.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.

 

Bashkëbisedimi

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i/e gatshëm/e edhe të dëgjoj gjithë atë që ai dëshiron të më thotë.

Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës kur më vështron.

Mund të jem krejt i sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.

Ia hap zemrën kur i flas për frikën dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund të mbështetem në përkujdesjen e tij,

i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë di ç`është më së miri për mua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që më dhe gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »