Ballafaqim zemërgjerë me përgjegjësitë vetjake

May 29 • Meditimi i ditës

29 maj 2018 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Pjt 1,10-16; Ps 97; Mk 10,28-31)

 

Prania e Hyjit

Me gjithë krijimin,
jam i/e zhytur në Hyjin.
I lejoj vetes të lirohem nga e kaluara dhe e ardhmja,
në mënyrë që t`i lë të gjitha brengat e mia në duart e Zotit,
dhe që të jem thjesht me Zotin,
këtu dhe tani.

 

Liria

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.
Përkundrazi, Shpirti i tij i jep frymën e jetës dëshirave të mia më të thella,
Duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.
Lutem për hirin e shenjtë që t`i lejoj Shpirtit që të më plotësojë.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin ndaj meje.

 

Fjala

Tani e lexoj, e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj, dëgjoj me vëmendje dhe kuptim,

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet personalisht.

 


 Mk 10,28-31

 

28 Atëherë Pjetri mori fjalën e i tha:

“Ja, ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje.”

29 Jezusi iu përgjigj:

“Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babain, ose fëmijët, ose arat 30 e të mos marrë tani në këtë botë, edhe pse me salvime ‑ njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara ‑ e në botën e ardhshme Jetën e pasosur.

31 Shumë nga ata që janë të parët do të jenë të sprasmët, ndërsa shumë të sprasmë do të jenë të parët.”


Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi nuk kërkon që t`i lëmë pas dore detyrat/përgjegjësitë tona. Nëse e bëjmë këtë, atëherë nuk ndihmojmë ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Ai na fton të kultivojmë lirinëdhe bujarinë e shpirtit që bazohen në një të mirë më të madhe. Më me liri e ndjekim kur kujdesemi për të mirën e tjetrit dhe jemi tashmë pjesë e Mbretërisë së Hyjit.
  • A mund të kërkoj prej Jezusit të më ndihmojë që të ballafaqohem guximshëm dhe me zemërgjerësi me detyrat/përgjegjësitë prej të cilave ndoshta largohem? I lejoj Zotit që t`i “lexojë” dëshirat e thella të zemrës sime që shkojnë përtej fjalëve të mia.

E lexoje, e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe një herë, dhe shoh se çka po ngjan në zemrën time.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, ti nathërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë. Më ndihmo të shkoj përtej zonës sime të rehatisë dhe të jap fryt në shërbimin tënd.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »