Etnonimet sporadike: Epriot, Makedon, Ilir (I)

May 29 • Kulturë

Nga Prof. dr. Engjëll Sedaj

 

Sinonimet e etnonimit arbëresh

Përdorimi sporadik i etnonimit epirot, siç e përdorin zakonisht humanistët shqiptarë (M. Barleti, M. Beçikemi), ose makedon, siç e përdorin disa autorë të letërsisë së vjetër shqiptare (P. Bogdani, N. Keta), zgjon interesim në një aspekt tjetër, në aspektin e vetëdijes së këtyre autorëve për antikën dhe fiset e lashta jo greko – romake,[1] duke i diferencuar “shqiptarët” nga popujt e tjerë ballkanikë dhe duke vajtur drejt konsolidimit të brendshëm në përcaktimin etnonimik, që do të thotë se ata synojnë edhe arkaizimin e etnonimit Albani, Albanenses (Albania), përkatësisht të etnonimit arbëresh, i cili do të jetë ekuivalent, si një emërtim paralel me sinonimet e tij.

Këtu duhet pasur parasysh edhe kohën kur kanë vepruar këta autorë dhe konceptin e tyre për kombin, i cili gjatë shekujve ka pasur evolucionin ideologjik të vetin[2], kurse në kohën e tyre ky koncept mbështetej kryesisht në momentet etnogjeografike,[3] me motivacion për të gjetur rrënjët historike të etnisë.

Ç’është e vërteta, sinonimet etnonimike ilir, makedon dhe epirot, vetëm sa e përforcojnë stabilizimin e etnonimit të vetëm arbanitë (arvanitë), i cili në asnjë periudhë nuk vihet në dyshim nga faktori i brendshëm, sado që homogjenizimi konfesional, sidomos para ardhjes së avarëve,[4] ishte i madh. Si shembull mjaft ilustrativ të vlerave etnike këtu mund të veçohen Shën Jeronimi (345-419) dhe Niketë Dardani (340-414), emra kulmorë të letërsisë dhe të kulturës që shënojnë këtë epokë, e që do të vazhdojnë jetën e tyre edhe në antroponiminë shqiptare, gati njësoj sikur patronimet e preferuara të Teutës dhe Agronit, sikurse që, bashkë me Niketën, është ruajtur edhe emri i Dardanisë. Pikërisht këta emra janë karakteristike, jo vetëm pse kishin origjinën nga vendet tona, Jeronimi nga Stridoni (i Dalmacisë) e Niketa nga Remesiana (e Dardanisë), por edhe pse kishin deklaruar origjinën e tyre ilire, duke thënë, njëri: Miserere mihi Domine, quia Dalmata sum (Më mëshiro, o Zot, se jam dalmatin), kurse tjetri Dardanus sum (Unë jam dardan).

Mjaft ilustrativ është evokimi i lashtësisë së popullit shqiptar edhe nga V. Dorsa, i cili në një mënyrë përmbledhëse e paraqet një etnonimi të tërë shqiptare, duke thënë: “Ja parimi që ma përkujton lashtësinë e famshme, duke bërë me dije pjesët e ndara të saj, duke dalluar nga historia e grekëve dhe historia e popujve të afërt. Dhe në këta të fundit unë shoh një popull të ri, i cili te historianët antikë quhet pellazgë, epirotë, makedonë, e ndonjë herë ilirë, kurse te bashkëkohorët shqiptarë”.[5] [6]

Një renditje më të zgjeruar kohore të etnonimisë shqiptare e ka paraqitur edhe S. Frashëri, duke thënë: “shqiptarëtë janë edhe sot ç’ ishin këtu e kaqë mijë vjet më parë: janë pellazgët e kohërave të përrallave, ilyrinjt’ e maqedonasit e kohëravet të vjetra, epirotët e kohës së Skënderbeut”,[7] kështu që në vijimësinë historike shfaqet vetëdija e autoktonisë së shqiptarëve në trojet e tyre me një etnonimi joshëse, kryesisht me përmbajtje historiko-gjeografike.

Duhet thënë se edhe përpjekjet e këtyre autorëve për ta emërtuar vendin e arbnorëve ishin të motivuara etnikisht drejt duke dalluar nga grekët dhe popujt e tjerë në rrethinë, por duke përfillur një terminologji joshëse, nga fakti se edhe në praktikën administrative, qoftë kishtare apo civile të Perandorisë Bizantine, janë përdorur emërtime të njohura krahinore dhe të qyteteve të njohura, por nuk njiheshin dhe nuk përdoreshin nga vendasit,[8] kështu që trajta vendëse arbër kishte mbetur e përhershme në altemativë dhe e pakontestueshme.

Ç’është e vërteta, në vazhdën e kësaj trajtese, e në lidhje me këto tri emërtime etnonimike, duhet pasur parasysh vazhdimisht edhe emërtimin arbër (Arbëri), si një proces, fillimisht drejt një etnonimi të vetëm gjeografik të vendit, ku jetonin shqiptarët, dhe në këtë proces paraqiten, grosso modo, katër emërtime gjeografike, prej të cilave, Makedonia dhe Iliria, do të shuan më parë, kurse tjetri emërtim, që është Epiri, do të përdoret një kohë më të gjatë,[9] për të dominuar plotësisht etnonimi arbëresh (Arbëri) me tipare më të theksuara etnike.

Ta ndjekim fillimisht paraqitjen e etnonimit epirot, pastaj makedon dhe ilir, për të parë se si do tërhiqen krejtësisht këto tri trajta, duke lëshuar vendin emërtimit të sanksionuar historikisht nga ekzistenca e formacioneve politike dhe administrative shqiptare të Arbërit në Shqipërinë e Mesme./drita.info

[1]Autorët antikë grekë (dhe romakë) i kanë paraqitur ilirët, epirotët dhe maqedonët e vjetër si fise barbare, që do të thotë jo greke, ndonëse afersia më e madhe e maqedonasve, sidomos gjatë kohës së Aleksandrit të Madh, kur është përhapur më së tepërmi helenizmi dhe kishte vajtur deri në Indi, ka pasur rëndësinë më të madhe në lidhje me kulturën greke. Këtu qëndron arsyeja që te disa autorë antikë shumë fise epirote, ilire dhe maqedone do të quhen shpesh edhe mixobarbaroi (gjysmëbarbarë), siç i quan Straboni atemantet, për të cilët mendohet se është emër fisi ilir.

[2]  Khs. K. Frashëri, Trojet e shqiptarëve, 8.

[3]  Më gjerësisht: E. Dulaj, Konceptet Epir dhe epirot, pp. 22-31.

[4]  Siç dihet, avarët, popullatë nomade e Mongolisë, në shek. VI e tutje, e kanë shkaktuar dyndjen e hunëve dhe sllavëve, dhe në lëvizjet e tyre drejt perëndimit kanë luftuar kundër frankëve, bavarëve etj., kështu që më në fund i ka mposhtur dhe zhdukur krejtësisht Karli i Madh në shek. IX

[5] Khs. Ramadan Sokoli, Niketa Dardani, te: ”Les letteres albanaises”, 3. Tiranë, 1989, pp. 107-167.

”Ecco il principio che mi strinse riandere la famosa antichita’, notomizzarla nelle sue parti distinte, sceverando dalla storia de’ Greci la storia de’ populi vidni. E’ in questi ultimi che io ritrovero un’ altra nazione, quale che presso gl’ Istorici antichi vien detta Pelasga, Epirotica, Macedone, e qualche volta Ilirica, e presso i modemi, nazione Albanese.”(Su gli Albanesi, p. 6.)

[7] Frashëri, Vepra, 2. 42.

67Khs. Stavri N. N açi, Pashallëku i Shkodrës (1796-1831), Tiranë, 1986,p.ll.

[9]  K. Frashëri, Trojet e shqiptarëve, 15.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »