Kisha në Kosovë e përmbyll muajin kushtuar Zojës së Bekuar në Shenjtëroren e Letnicës

May 30 • Kisha në Kosovë

Besimtarët katolikë të të gjitha famullive të Kishës Katolike në Kosovë kanë shtegtuar në Shenjtëroren e Zojës në Lenticë (e shtunë, 26 maj) për ta përmbyllur bashkërisht muajin Maj kushtuar Marisë Virgjër. Pas një muaji përshpirtërie të begatë nëpër të gjitha kishat, katolikë të rinj e të reja, pleq e plaka, fëmijë e të rritur, u gjendën në hapësirën e gjelbëruar të shpatit të Letnicës, ku ngritët Shenjtëroja shekullore, që bashkë me barinjtë e tyre shpirtëror të falënderojnë Marinë për kujdesin amnor që e tregon ndaj tyre.

Mesha solemne e prirë nga Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Kosovës, në bashkëmeshim me shumë meshtarë, filloi në ora 11:00, e përcjellë me këngët e korit të famullisë së Binçës.

Imzot Dodë Gjergji, në homelinë e tij të përqendruar te figura e Marisë, përshpirtëria ndaj saj dhe rolin që ai e luan në jetën e të krishterëve, i përshëndeti të gjithë të pranishmit duke i falënderuar për devocionin e bukur që e ushqejnë ndaj Nënës së Zotit tonë Jezu Krishtit dhe Nënës sonë: “Si bari i kësaj Kishe ju përshëndes të gjithëve dhe shpirtërisht ju marr në grykë. Dua sot të falënderoj Hyjin së bashku me ju për mundësin e madhe që na e ka dhënë të jetojmë në fenë e Zotit tonë Jezu Krishtit; që të mund ta shpallim e ta dëshmojmë vdekjen dhe ngjalljen e Tij, që të veprojë Shpirti i Rrëshajëve në ne. Këtu, si bijtë e bijat e dëgjueshëm ndaj fjalës së Zotit, ndaj Ungjillit, ndaj Kishës së Tij dhe ndaj Shpirtit që e kemi marrë, dëshirojmë ta përjetojmë uratën në prani të Zojës së Bekuar, Nanës së Zotit tonë, e cila gjithmonë ndërmjetëson për ne, na strehon tek vetja, na paraqet para Birit të vet, na ngushëllon, na nxit, bëhet mbrojtëse për ne, e në këtë mënyrë na frymëzon ta duam Birin e sajë, Zotin tonë Jezu Krishtin.” – ishin fjalët e ipeshkvit, që e tregojë njetin tashmë tradicional të këtij shtegtimi vjetor të Kishës sonë.

Maria Virgjër, bija e zgjedhur e popullit të Zotit, u bë dhuruesja e shpëtimtarit, bashkëpunëtorja më kulminate me planin e shpëtimit që Hyji e kishte filluar që në kohë të lashta. Historia e shpëtimit  – tha Imzoti – e përjetoi kumtin e madh kur qe dhënë kësaj bije për ta lindur Shpëtimtarin e njerëzimit, që në kraharorin e saj të ngjizej e të linde Jezu Krishtin. Maria, me fenë e saj të pakusht, ka gjetur te Ati qiellor besim dhe dashuri që të bëhet lindësja e Krishtit, Mesisë. E jo vetëm i ka dhuruar shpëtimtarin, por Ajo ka qëndruar bashkë me Kishën, që nga apostujt e deri në ditët tona, Nënë e mirë, kujdestare e familjes së Birit të saj, që kjo familje të bëhet pranuese dhe dëshmuese e dhuratës së Shpirtit Shenjt, të shpall e të dëshmojë praninë e Krishtit në historinë e njerëzimit.

Prandaj – vazhdoi homelinë e tij ipeshkvi – ne e kemi marr misionin e shenjtë në pagëzim që të mbesim besnik e në dëgjesë ndaj Zotit tonë, sipas shembullit të Marisë. Ky misionin i dhuruar në pagëzim, na grish t’i mbetemi besnik thirrjes sonë pagëzimore, t’i mbetemi besnik thirrjes sonë rregulltare, meshtarake dhe ipeshkvnore, sepse asnjëri nga ne s’mund të çoj kokën e të thotë: unë jam i pa mëkat. Në anën tjetër, asnjëri nga ne s’ka nevojë të përvujtërohet e të frikësohet duke e futur kokën nën rërën e mëkatit të vet, por me kurajën e fesë të qëndrojë drejt sepse e shpëton Ai, Krishti që ka vdekur dhe është ngjallur për neve. Për këtë arsye ne e shohim njëri-tjetrin në sy si vëlla e si motër, me fuqinë e fesë, shpresën e shpëtimit tonë dhe faljes së mëkatit e gabimit tonë.

Nga dhurata e pagëzimit dhe misioni që buron prej tij, ipeshkvi i grishi të gjithë që të vazhdojnë të kryejnë me ndershmëri e përkushtim këtë mision edhe në ditët e sotme, si një vazhdimësi e historisë së shpëtimit që Shpirti i Rrëshajëve e udhëzon dhe e forcon Kishën: “Ju e dini që në këtë kohë, na u është dhënë një mundësi e re, mundësia për ta jetuar fenë pa frikë. Na është dhënë mundësia e re për me e shpall lajmin e mirë të Ungjillit të gjithë njerëzve. Na u është dhënë mundësia e re për të pagëzuar të bijtë e bijat e popullit tonë, ashtu si i pagëzojmë në këtë Shenjtërore në vigjiljen e Zojës së Madhe dhe si i pagëzojmë në Katedralen e Prishtinës në vigjiljen e Pashkëve, por edhe në të gjitha Kishat tona. Prandaj, vëllezër dhe motra – theksoj ipeshkvi – secili prej nesh, prej më të voglit e deri te plaku, prej ipeshkvit e deri te i pagëzuari, e kemi këtë mision të shenjtë të kësaj kohe, që ta ndihmojmë popullin tonë që t’i kthehet besimit të vjetër – besimit të vet dhe ta ripërtërijë edhe njëherë atë besnikëri që të parët e tyre i kanë dhënë Krishtit dhe Zojës së Bekume, si në këtë vend, por edhe kudo nëpër Kosovë ose në trojet shqiptare. Ky është misioni më i shenjtë që i kemi vë vetes përpara.”

Por, misioni i dytë – nuk harroi të theksoi me qëndrueshmëri ipeshkvi – është që të përballemi me mëkatin tonë, me mangësitë tona, me ligështitë tona, me krejt paaftësinë tonë, me plogështit e shpirtit. Sepse po nuk e ngjallem këtë nuk mundemi ta mbërrimë atë të parën.

Në përfundimin e fjalës së tij, Imzot Doda, e rikujtojë traditën e shtegtimit tonë në këtë Shenjtërore kombëtare: “Me iniciativën e Ipeshkvit tonë të dashur Mons. Mark Sopi, dritë pastë, por edhe me qëndrueshmërinë e meshtarëve në këtë iniciativë dhe me njetin tim personal, në të shtunën e fundit të muajit maj, vijmë këtu për t’i bashkuar uratat dhe njetet tona e për t’i dorëzuar para Zojës, që ajo t’i paraqet në altarin e Zotit, në mënyrë që përmes tyre të gjithë ta gjejnë mbrojtjen dhe ngushëllimin.”

Me këtë qëllim – vazhdoi bariu i Kishës sonë – e lus Zojën e Bekuar për ju të gjithë, që Ajo ta pranoj çdo njet dhe çdo dhimbje të zemrës që ka ardhur prej jush, prej famullive dhe shtëpive tona, për t’i thënë kësaj Nëne, na ndihmo, pranoje këtë njet tonin, vëje përpara Krishtit Zotit tonë e Birit tënd këtë uratë, sepse si bijtë dhe bijat e Birit tënd që jemi, duam ta kemi ndihmën e Zotit për jetën tonë, për familjet tona për popullin tonë, për çdo njeri.”

Ky shtegtim tradicional i kishës sonë në Kosovës, u transmetua edhe përmes Radio Marisë në Kosovë, që të mund të bashkëngjiten në uratë edhe ta të sëmurë, pleq e tjerë që nuk kanë mundur të jenë të pranishëm fizikisht në Shenjtëroren e Letnicës./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »