Kisha, shtëpi lutjeje, jo tregtimi

Jun 1 • Meditimi i ditës

 1 qershor 2018 – E premte, Shën Justini, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Pjt 4,7-13; Ps 95; Mk 11,11-26)


Prania e Hyjit
Ndalem një moment, i/e vetëdijshëm/e se Hyji është këtu.
E marr me mend se si gjithçka rreth meje,
ajri të cilin jam duke e marrë, i tërë trupi im,
është duke e reflektuar praninë e Hyjit.

 

Liria
Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.
Përkundrazi, Shpirti i tij i jep frymën e jetës dëshirave të mia më të thella,
Duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.
Lutem për hirin e shenjtë që t`i lejoj Shpirtit që të më plotësojë.

 

Ndërgjegjësimi
E pyes veten, ç`po ndjej sot në vete?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?
Nëse vetëm diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provojë t`i largoj këto brenga që po më shqetësojnë?

 

Fjala
O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke vepruar përmbi këtë tokë; ke duruar të nxehtët dhe të ftohtët.
Kohën që e ke kaluar në tokë ka qenë e mbushur me kujdesin për njerëz.
Ke shëruar të sëmurët, ke ngjallur të vdekurit; kurse ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

Mk 11, 11-26
11 Jezusi hyri në Jerusalem, në Tempull, shikoi çdo gjë dhe, pasi dita ishte në të sosur, shkoi me të Dymbëdhjetët në Betani.

12 Të nesërmen, kur dolën prej Betanisë, Jezusi ishte uritur. 13 Prej së largu pa një fik me gjethe, shkoi për të gjetur ndonjë kokërr në të. Por, kur iu afrua, nuk gjeti në të asgjë përveç gjetheve, sepse nuk ishte koha e fiqve. 14 Atëherë i tha:

“Askush mos ngrëntë kurrë e për këtë jetë më fryt prej teje!” Nxënësit e tij i dëgjuan këto fjalë.

15 Dhe arritën në Jerusalem. Kur hyri në Tempull, filloi t’i dëbojë ata që shitnin e blenin në Tempull. Ndërruesve të të hollave ua përmbysi tavolinat e shitësve të pëllumbave ua rrëzoi bankat. 16 Askënd s’la të mbartë ndonjë gjë nëpër Tempull. 17 I mësonte dhe u thoshte:

“Po, a nuk thotë Shkrimi i shenjtë:

‘Shtëpia ime duhet të jetë shtëpi lutjeje për të gjithë popujt?’

e ju e bëtë shpellë cubash!

18 Kur dëgjuan kryepriftërinjtë e skribët, kërkonin mënyrën si ta vrisnin; por e druanin, sepse populli mbarë ishte i ngazëlluar me mësimin e tij.

19 Kur u bë natë, Jezusi e nxënësit po dilnin jashtë qytetit.

20 Kur, në mëngjes, kaluan andej, panë se fiku ishte tharë me gjithë rrënjë. 21 Atëherë Pjetrit i ra ndër mend e i tha:

“Rabbi, shiko! Qenka tharë fiku që ti nëme!”

22 Jezusi mori fjalën e u tha:

“Kini besim në Hyjin!

23 Përnjëmend po ju them: nëse ndokush i thotë këtij mali: ‘Çohu dhe hidhu në det!’ ‑ e nuk dyshon në zemrën e vet, por beson se do të ndodhë siç thotë, ashtu do t’i ndodhë!

24 Prandaj po ju them:

çkado që të kërkoni me lutje, besoni se e morët, e do ta fitoni me siguri. 25E, kurdo të ngriteni për t’u lutur, falni nëse keni ndonjë gjë kundër ndokujt, që Ati juaj që është në qiell, t’jua falë edhe juve fajet.” [26]

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi është në rrugën e tij drejt Tempullit për të bërë një veprim që do ta përshpejtojë kryqëzimin e tij. Ngjarja me pemën e fikut (që është simbol i popullit izraelit në Besëlidhjen e Vjetër) lidhet ngushtë me pastrimin e Tempullit.
  • Hidhërimin e Jezusit e ka shkaktuar tregtimi që ia kishte zënë vendin respektimit të vendit të shenjtë. Tregtarët dhe ndërruesit e të hollave i shfrytëzonin shtegtarët e varfër. Njerëzit kishin krijuar pengesa dhe ndasi.
  • A e nderoj kishën dhe atë çfarë ajo do të duhej të ishte? Shtëpi lutjeje, dhe jo tregtimi: për të gjithë popujt dhe pa ndasi, vend ku njerëzit e kërkojnë Hyjin.
  • Jezusi e dënon besimin që nuk sjell fryt. Çfarë fryti do të sjell unë sot?
  • C. S. Lewis [Klajv Luis] pat shkruar: “Të jesh i krishterë do të thotë të falësh të pafalshmen, sepse Zoti e ka falur të pafalshmen në ty.”I lejoj Zotit që t`i “lexojë” dëshirat e thella të zemrës sime që shkojnë përtej fjalëve të mia.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe njëherë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit ta shijojë atë moment.

 


Bashkëbisedimi
Nganjëherë nuk di çfarë të them në takimin personal me ty.
Ndoshta do të mund të thosha faleminderit, o Zot, që je gjithmonë këtu.
E di me siguri se ka pasur momente kur më ke mbartur
dhe me fuqinë tënde i kam përballuar dhe mbijetuar momentet e vështira në jetën time.

 

Përmbyllja
Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes sime në bazë të tekstit të Shkrimit Shenjt.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »