Famullia e Llapushnikut përkujton 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbeut

Jun 2 • Kisha në Kosovë, Kulturë

Sot, në ambientet e Kishës “Shën Abrahami” në Llapushnik të Drenicës është mbajtur Takimi Letrar, Artistik dhe Shpirtëror “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, i dyti me radhë i kësaj natyre në këtë objekt kulti, por për dallim nga Takimi i parë që i është kushtuar Shën Nënë Terezës, takimi i sotëm u organizua për nder të 550 vjetorit të kalimit në amshim të njërit prej figurave më të ndritura shqiptare të të gjitha kohërave, Gjergj Kastriotit.

Fillimisht, u lexuan kumtesat nga dr. Besim Morina, prof. Hamdi Thaçi, publicisti Zeqir Bekolli dhe Don Domenik Qerimi, të cilët me punimet e tyre hodhën dritë në jetën dhe veprimtarinë e figurës së Skënderbeut. Në vazhdim të këtij takimi poetë të dëshmuar nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës dhe krijues të tjerë nga të gjitha viset tona, lexuan punimet e tyre.

Juria profesionale e përbërë nga Prend Buzhala, Halil Xani dhe Hajdar Fejzullahu vlerësuan poezitë që sot ishin në garë. Juria vendosi që çmimin e parë t’i ndajë poezisë “Në dhe të huaj” të Halil Gashit nga Llapushniku, me vendbanim në Prishtinë, por prej shumë vitesh jeton në Gjermani. Çmimi i dytë u nda për poeten Brikena Ceraja nga Mitrovica dhe Tafil Durakun nga Buroja, kurse çmimin e tretë e rrëmbyen po kështu dy poetë: Valdon Maloku nga Klina dhe Shaban Pllana nga Podujeva.

Ndërkaq, Juria profesionale për vlerësimin e veprave artistike pamore, kryesuar nga piktori Idriz Berisha ndanë tre shpërblime për artistët pjesëmarrës. Vendi i parë i takoi prof. Fatmir Carakut, i dyti Nazmi Hetës, kurse i treti Afërdita Currit.

Në fund, për të gjithë pjesëmarrësit u organizua një koktej./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »