Të jemi njerëz eukaristikë – të dhurojmë vetveten

Jun 3 • Meditimi i ditës

3 qershor 2018 – E diel, KORPI E GJAKU I KRISHTIT (e kremte), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Dal 24,3-8; Ps 115; Heb 9, 11-15; Mk 14, 12-16.22-26

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t`ju çlodh“, thotë Zoti.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lutem për hirin e shenjtë që të lejoj të çlirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Po i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Po pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke vepruar përmbi këtë tokë; ke duruar të nxehtët dhe të ftohtët.
Kohën që e ke kaluar në tokë ka qenë e mbushur me kujdesin për njerëz.
Ke shëruar të sëmurët, ke ngjallur të vdekurit; kurse ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 


Mk 14, 12-16.22-26

 

12 Ditën e parë të Pabrumeve, kur flijohej qengji i Pashkëve, nxënësit e tij i thanë:

“Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkëve?”

13 Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet dhe u tha:

“Shkoni në qytet e atje do t’ju takojë një njeri që mbart një katrovë uji: shkoni pas tij. 14 Ku të hyjë ai, thuajini të zotit të shtëpisë: ‘Mësuesi thotë: ku është salloni im, ku do të mund të ha Pashkë me nxënësit e mi?’ 15 Ai do t’ju tregojë në katin e sipërm një sallon të madh, të shtruar e të përgatitur. Aty na përgatitni darkën.”

16 Nxënësit u nisën, arritën në qytet dhe gjetën gjithçka ashtu si u kishte thënë dhe e përgatitën darkën e Pashkëve.

22 Ndërsa po hanin darkë, Jezusi mori bukën e bekoi Hyjin, e theu, ua dha e tha:

“Merrni, ky është trupi im!”

23 Pastaj mori gotën, u falënderua e ua dha. Të gjithë pinë prej saj. 24 U tha:

“Ky është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes, që derdhet për të gjithë. 25 Për të vërtetë, po ju them: nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri atë ditë, kur do ta pi të ri në Mbretërinë e Hyjit.”

26 Pasi kënduan himnin, u nisën drejt Malit të Ullinjve.

 


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri? 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Përgatitja për një vakt të rëndësishëm është shumë karakteristike për shkak të kujdesit dhe kohës së kërkuar. Udhëzimet e Jezusit ishin të thjeshta dhe të përditshme, jo luksoze dhe të sofistikuara. Darka ishte në kontekstin e Pashkës, me të cilën festohej çlirimi nga skllavëria e Egjiptit. Buka e ndorme (e pabrume) dhe vera ishin pjesë e festimeve rituale.
  • Jezusi për ne është bërë bukë e thyer. Kelku i bekimit është gjaku i besëlidhjes së re, që do të derdhet për ne. Jezusi merrte shembuj nga jeta e përditshme për të dhënë mesazhe të thella. Dorëzimi i tij është përfundimtar si buka kur hahet dhe vera kur pihet. Asgjë nuk lihet. Si njerëz eukaristikë edhe ne duhet të merremi, të bekohemi, të thyhemi dhe ta dhurojmë vetveten për të tjerët, siç ishte Jezusi. Prania e tij e vazhdueshme mesnesh na jep freskim, kurse ne nga ana tjetër i freskojmë të tjerët. 
  • I lejoj Zotit që t`i “lexojë” dëshirat e thella të zemrës sime që shkojnë përtej fjalëve të mia.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit të Shenjtë edhe njëherë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit ta shijojë atë moment.

 

Bashkëbisedimi

Jezus i dashur, po ta çeli zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,

Se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 


Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo frymëzim që të jetoj në ty nëpërmjet dashurisë – ndaj teje dhe gjitha krijesave tua.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »