Etnonimet sopradike: epriot, makedon, ilir (II)

Jun 5 • Histori, Kulturë, Letërsi

Nga Prof. dr. Engjëll Sedaj

 

Trajta sinonimike epirot

Ç’është e vërteta, epirotët dhe Epiri ndërlidhen me nocionin (gjeografik dhe) politik të ilirëve edhe në kuptimin etnik, që do të thotë se ata ndërlidhen me nocionin e arbëreshëve, sepse, qysh nga koha e Luftës së Peloponezit (432-404 para Krishtit), fiset kryesore të kësaj treve ishin kaonët, thesprotët, molosët (dhe disa fise të tjera më të vogla), të cilat fise do të shënohen në histori, sidomos (si shtet i Epirit) nën mbretin e Pirros (307-272 para Krishtit), si dhe në kohën e Lidhjes së Epirotëve, kurse më vonë, në fund të shek. II, Epiri del si provincë me vete[1], që do të thotë se në kohën e perandorit Dioklecian (283-305) u krijua Provinca e Epirit të Ri (midis Vjosës dhe Matit), kurse trevat tradicionale të Epirit u quajtën Epiri i Vjetër,[2] [3] kështu që edhe Pseudo-Skylaksi, thotë se “pas Molosisë vjen Ambrakia – qytet grek” dhe se “prej këndej fillon Hellada”.

Sidoqoftë, kur është fjala për etnonimin epirot, vazhdimisht duhet pasur parasysh kohën antike ose kohërat më të hershme legjendare (të popullit shqiptar), kurse toponimi etnonimik Epir shënonte Shqipërinë e Poshtme, që do të thotë, pjesën e Arbërisë dhe ishte sinonim me te,[4] [5] kështu që qendra e Epirit të Ri ishte Durrësi, kurse e Epirit të Vjetër ishte Nikopoja, duke i ofruar në këtë mënyrë gjeografike epirotët me ilirët, që do të thotë, duke i ofruar epirotët (dhe ilirët) me arbëreshët.

Ç’ është e vërteta, epirotët dhe makedonët edhe në kohën antike ishin jo grekë,[6] por ajo që është edhe më e rëndësishme për argumentin tonë, është se Makedonia dhe krahina të tjera, si Epiri, Etolia dhe Akamania, ishin të populluara prej ilirësh, pjesërisht të përzier me grekë dhe prej vetë grekëve quheshin mixobarbaroi, d. m. th. “gjysmëbarbarë,”[7] kurse sipas Hahnit, epirotët, makedonët dhe ilirët, në mes vete qëndrojnë në një afri, duke pohuar se “ne kemi arritur në përfundim se epirotët dhe maqedonët, të cilët ishin farefis, duket se formojnë një degë të madhe të mvetësishme të fisit ilir,”[8] dhe ky mendim sot është i pranuar, ndonëse nga rezultatet shkencore të gjertanishme nuk dihet saktësisht nëse me etnonimin ilir në kohën antike janë përfshirë të gjitha fiset ilire, meqë as gjuha ilire nuk njihet.

Së këndejmi, një vetëdije të thellë kombëtare, qoftë edhe në një terminologji në gjuhën latine, siç ishte e zakonshme për kohën kur ata vepronin, do ta shfaqin humanistët shqiptarë: M. Barleti, Dh. Frangu, K. Gj. Arianiti, Engjëllorët e Drishtit, etj. Kështu, për shembull, M. Barleti, para se të tregojë për Kuvendin e Lezhës, që më 1444 bëri bashkimin e forcave shqiptare në luftë kundër pushtuesve aziatikë, shkruan: “Nuk më duket pa vend të përmend këtu dhe të parashtroj një gjë, për të cilën u qan zemra shumë vetëve: se nga e ka zanafillën fisi i epirotëve ose i maqedonëve,“ s’do mend, duke menduar në origjinën e shqiptarëve, të cilët në kohën e tij quheshin arbnorë. Më 1460, vetë Skënderbeu, i cili zakonisht nënshkruhet Dominus Albaniae (Zot i Arbërisë)[9](për ta quajtur edhe të tjerët Zot i Arbërit dhe jo ndryshe), dhe bashkatdhetarët e vet i quan albanenses, albanesi, pra, arbër, në letrën e famshme që i dërgoi princit të Tarentos, shkruan: “Po të mos na gënjejnë kronikat tona, ne quhemi epirotë”,[10] që do të thotë se ekzistonte një traditë etnonimike në kronikat e vjetra, të cilën traditë do ta kenë vazhduar edhe humanistët shqiptarë,[11] si një terminologji e sferave erudite të humanizmit evropian, kurse vetëdija e Skënderbeut bazohej nga lidhjet që kishte me Epirin dhe Pirron,[12] [13] [14] por gjithsesi edhe me Aleksandrin e Madh të Makedonisë, i cili nënën e kishte epirotase, dhe kjo traditë do të vazhdojë edhe më vonë, ashtu siç shkruan edhe P. Bogdani “Pirri, mjeshtri i luftnave, regji i Arbënit poshtem,” kurse Gj. Fishta gjithashtu këndon në këtë frymë:

Burri, Leka e Kastrijota

Para t’cillve shuete bota.[15]

 

Etnonimi makedon (dhe epirot)

Në fakt, M. Barleti e quan Skënderbun më tepër se 50 herë Epiroti, Princeps Epirotarum, si për shembull: “Por këta u bënë shkak që t’i zinte tmerri edhe turmat e tjera, të cilat kishin frikë se mos Epiroti çante radhët e sulmonte nga prapa krahëve, duke mbyllur në mes e duke i shtypur egërsisht.”[16] [17] Ky autor edhe në titullin e veprës së tij (De vita ac gestis G. C. Scanderbeghi) Epirotarum principis, e përcakton Skënderbeun si “prijës të epirotëve”, që do të thotë të shqiptarëve, kurse, kur shkruan për vendbanimet e shqiptarëve, thotë se një pjesë e tyre “jeton në Peloponez, një pjesë në Maqedoni ose Arbëri dhe të tjerët në Epir”, që përsëri shfaqet botëkuptimi për shtrirjen (gjeografike) të arbërve në lindje me një nomenklature gjeografike joshëse,[18] [19] [20] duke dhënë edhe Peloponezin si krahinë të tyre, ku mendohet që në atë kohë të ketë qenë pjesa dërrmuese e popullatës shqiptare.

Në të njëjtën mënyrë do ta quajë Skënderbeun edhe Dh. Frangu “prijës i Epirit”, sikur edhe F. Bardhi, i cili përveç që Skënderbeun e emërton si “prijës të epirotëve”, e emërton edhe “popullin epirotas”.[21] kurse Fjalorin e tij latinisht – shqip (1635) e titullon madje: (Dictionarium) Latino – Epiroticum, siç do të veprojnë edhe pas tij dy rektorët e parë të Seminarit Arbëresh të Palermos, Gj. Guxeta (1682-1756) dhe P. M. Parrino, në shkrimet e tyre historiografike (të shkruara në gjuhën latine dhe italiane) me këto dy emërtime: epirot dhe makedon. Gj. Guxeta kishte shkruar edhe një Cronica della Macedonia fino ai tempi di Scanderbeg (Kronikë e Maqedonisë deri në kohën e Skënderbeut), duke përdorur toponimin “Makedonia” në vend të “Albania”, për të shfaqur botëkuptimin e tij mbi përzierjen e gjuhës shqipe me maqedonishten e lashtë, d. m. th. me një gjuhë të lashtë jo greke të Gadishullit Ballkanik, të cilën supozohet ta kenë folur makedonët vetë, epirotët dhe ilirët, që ishte ideal i përhershëm i shqiptarëve për të kaluarën e tyre të lavdishme, si pasardhës të një populli të njohur në antikë, [22] kështu që kjo gjuhë dhe ky vend në kohën e M. Barletit do të “quhet Arbëri, sepse banorët e atij vendi gati të gjithë flasin gjuhën arbërore”.[23] Në të njëjtën mënyrë duhet kuptuar edhe emërtimin epirot, si patronim etnonimik siç quhet Andreas Alexius Epirota.

Prandaj, kjo ndërlidhje në mes humanistëve shqiptarë dhe autorëve të letërsisë së vjetër në përdorimin e toponimisë etnonimike ka mbështetje të fuqishme në konceptet fundamentale gjeohistorike. Ç’është e vërteta, këto dy emërtime, epirot dhe makedon, nuk largohen nga përcaktimi gjeograflk i trojeve shqiptare, sepse edhe Albanopoli (antik), kryeqyteti i albanëve, gjendej në provincën (romake) e Makedonisë, bashkë me Shkupin (Scupi) dhe disa qytete të tjera, ashtu, siç shkruan edhe F. Bardhi: “Nomina Urbium nonnullarum, atque Castellorum, ad eam partem Macedoniae spectantium, quae Epirus, sive Albania dicitur.” (Emrat e disa qyteteve dhe të kështjellave që shtrihen në atë pjesë të Makedonisë, e cila quhet Epir ose Albani),[24] [25] dhe në këtë mënyrë shifet qart se Epiri quhet Shqipëri, përkatësisht Arbëni, kurse epirotus i arbëneshi. Trajtat e preferuara etnonimike epirot dhe makedon do të kenë qenë edhe ndërfutje stilistike, pa cenuar në asnjë pikëpamje nocionin etnik të arbëresh, i cili tanimë, d.m.th. në shek. XV-XVI, ishte stabilizuar plotësisht, siç dëshmojnë të gjithë faktorët relevantë faktografikë, prej të cilëve këtu po veçojmë dy kronikat, atë të Tokove (e gjysmës së parë të shek. XV) dhe të Janinës, në të cilat nuk ndeshet në asnjë rast koncepti Epir (epirot),[26] kështu që lirisht mund të supozohet se si edhe vetën do ta kenë quajtur banorët e këtyre viseve, të cilat aktualisht quhen arbëresh, ose sipas përcaktimeve krahinore: çamë dhe labë, kurse për një përkufizim me Thrakinë (antike) ndoshta mund të jetë fjala (e lashtë) fraq, që rrjedh nga emri i krahinës së Thrakisë – thrak dhe përdorej nga banorët e krahinave përgjatë luginës së Shkumbinit, të cilët e kanë njohur këtë si vend fqinj,[27] që do të thotë se kjo terminologji etnonimike do të ketë pasur shtrirje të konsiderueshme.

Prandaj edhe fshatarësia e lirë në Kuvendin e Dukagjinit të Matit më 1602 deshën të rikrijojnë “fort të bukurin shtet të Maqedonisë dhe të Arbërit”, duke vulosur kërkesën e tyre me një Sigillum regni Macedoniae et Albaniae,[28] (me një vulë të mbretërisë së Maqedonisë dhe të Arbërisë), kështu që përmbajtja e këtyre trajtave etnonimike sporadike jo vetëm që nuk largohet nga koncepti bazor i etnonimit arbëresh, me një mbështetje në trevat shqiptare, por i vëhet në shërbim të shumëfishtë, sikurse që i vëhet në shërbim edhe kur këta autorë përdorin emërtime të tjera, siç janë toponimet: Iliria dhe Pyloria, qoftë për të shpjeguar ndonjë koncept nacional apo me përmbajtje fiziogjeografike të Arbërit, siç do të veprohet edhe në gjithë kohën e romantizmit (shqiptar), kur do të ketë përpjekje[29] [30] për të dhënë shpjegime me mjete të gjuhës shqipe edhe për disa emërtime etnonimike nga lashtësia greke (dhe romake), siç janë: Eipir (Ipër, Hiper e Siper), pellazg (nga plak, pleq), ilir (i lirë), thrakas (trashë) etj., por që lidhje të tilla nuk kishin bazë shkencore.

Në këtë mënyrë bëhet dallimi edhe i gjuhës shqipe (në kohën kur kanë jetuar këta autorë) jo vetëm nga turqishtja, por edhe nga greqishtja dhe sllavishtja, kështu që aktualisht në përdorimin e kësaj nomenklature në përshtatjen (ose përkthimin) e këtyre veprave të humanistëve shqiptarë dhe të autorëve të letërsisë së vjetër shqiptare, me të drejtë përdoret terminologjia bashkëkohore etnonimike: shqiptar, Shqipëri, siç kemi vepruar edhe ne në përcaktimin kombëtar të Pjetër Bogdanit, i cili vetën e quan “makedon”, që do të thotë “shqiptar”.[31]Musachio jep për emër të Epirit ndër shqiptarë një emërtim tjetër, si të thuash, të shqiptarizuar, Pyloria, duke thënë: “Epiroch in lingua albanese si dice Pyloria” (Epirok thuhet në gjuhën shqipe Pyloria),[32] që është etimologji karakteristike dhe me interes të veçantë, pse mund të krahasohet me fjalën “pyll”,[33] sado që kjo trajtë nuk kishte ndonjë shtrirje të gjerë etnonimike dhe toponimike, ajo tregon interesimin e autorit për ta bërë sa më joshës këtë toponim (dhe etnonim) në frymën e romantizmit shqiptar, por pa ndonjë mbështetje shkencore. Në këtë drejtim, qysh më 3 shkurt 1595, kalorësi Tomë Plezha shkruan për “ish mbretërinë e Maqedonisë e të Shqipërisë”, por duke përmendur edhe “Epirin”, për t’ia kujtuar botës lashtësinë e popullit shqiptar. Në vitin 1638 Daniel Kortesi e këndon një “vjershë arbëreshe ose epirote”, përsëri për të përforcuar konceptin fundamental etnik të arbëreshëve (Carmen albaniensie).

Në këtë kohë mendohet dhe për rikëmbjen e një mbretërie me një emërtim të përbashkët,[34] [35] ngase edhe shtrirjet e këtyre toponimeve përpiqeshin, kështu që shihet qartë qëllimi i arkaizimit të terminologjisë etnonime para botës perëndimore (ku ishin botuar librat e tyre), ndonëse, bie fjala, edhe vetë M. Barleti Skënderbeun, në disa raste e quan arbën (‘Albanensis), kurse Gj. Muzaka, i cili gjithashtu i përfshin të gjithë shqiptarët pa dallim feje e krahine, i quan Albanesi, gjuhën e tyre lingua albanese,kurse emrin epirot nuk e përdor fare,[36]sado që ai vetën e quan me një krenari të lashtësisë së familjes së vet, Despot i Epirit (Despoto d’ Epiro).[37] Për të kuptuar situatën edhe më qartë nga një përshkrim anonim i shek. XVI, ku thuhet se nga gryka e Kotorrit e poshtë “fillon ai vend që sot quhet Arbëri dhe dikur quhej Makedoni dhe Epir,”[38] kështu që duke përcaktuar trevën ku jetonin arbërit e mëvonshëm, Epiri shënonte në një periudhë edhe etnonimin e shqiptarëve, sepse, siç thotë K. Biçoku, “në hartën e vitit 1689 të Giacomo Cantelli da Vignola dhe në të gjitha hartat e botuara para se Epiri i Jugut t’i aneksohej shtetit grek është shënuar “Epiri” ose Arbëria (Albania) e Poshtme.”[39]

 

Etnonimi ilir

Prandaj emërtimet sporadike epirot, mekedon dhe ilir duhet kuptuar si etnonime të mirëfillta të popullit shqiptar nga fusha e paraqitjeve të tyre në literaturë, si terminologji e trashëguar nga e kaluara, shpeshherë vetëm me kuptime historike dhe gjeografike të trevës së Epirit, Ilirisë dhe Makedonisë, kryesisht në një periudhë të afirmimit të popullit shqiptar dhe të diferencimit sa më të madh nga popujt fqinj.

Megjithatë, duhet thënë se nga këto tekste të humanistëve shqiptarë nuk mbulohen të gjitha viset shqiptare me emërtimin e arbëreshëve, përkatësisht me zëvendësimin e mundshëm të këtij emërtimi nga emërtimi epirot, sepse disa vise edhe më tutje do të quhen epirote,[40] kështu që edhe dallimi i mundshëm në mes epirotëve dhe arbërve, së paku formalisht, do të ketë ekzistuar, sado që edhe më vonë ky emërtim do të jetë mjaft i përdorur deri te zëvendësimi i plotë i tij me etnonimin arbëresh, kështu që koncepti epirot do të jetë i aktivizuar masovikisht kryesisht nga mesi i shek. XV, duke vazhduar edhe gjatë shek. XVI, kurse koncepti Epir do të qëndrojë më gjatë.[41]. Prandaj këtu duhet parë ngushtimin e vazhdueshëm të konceptit epirot, por jo edhe zëvendësimin klasik të tij me ndonjë emërtim etnonimik tjetër. Duhet pasur parasysh edhe një moment me rëndësi që emërtimi antik i Makedonisë dhe emërtimi mesjetar i Arbërisë shënohen si sinonime, duke cilësuar si pjesë të njëra tjetrës,[42] për dallim nga periudhat e mëparshme, kur këto diferencime nuk ekzistonin. Engjëllorët e Epirit (1215), të cilët kishin një shtrirje qeveritare deri në Shkodër, nuk e përdorin emërtimin Epir dhe nuk e quajnë vetën Despotë të Epirit, kurse M. Komneni e quan vetën Despot të Artës.[43] [44]

Prandaj, emërtimet epirot (Epir) dhe makedon (Makedonia), si dhe termi ilir (Ilirik), me përcaktim të territorit të Epirit të Ri, siç e përdor shumë herë autori bizantin i shek. XI, Gjergj Kedreni,[45] dhe disa emërtime të tjera,[46] paraqesin rrugën e konsolidimit të kombësisë shqiptare, si një proces mjaft të gjatë deri te shqiptarët “modeme”, i nisur shumë më parë, i zhvillimit të brendshëm në të gjitha fushat e jetës ekonomike dhe kulturore, kështu që, duke u mbështetur në këtë terminologji, do të ketë edhe paraqitje të mbështetura për origjinën ilire të shqiptarëve, ndër të cilët ndoshta më autoritativi ishte dijetari gjerman Lajbnici (Leibniz), i cili ndër të parët e ka paraqitur teorinë mbi origjinën e gjuhës shqipe (dhe të shqiptarëve).[47]

Prandaj, nuk mund të thuhet se këto emërtime janë përdorur pa vend nga autorët e letërsisë së vjetër dhe të kohës së Rilindjes Kombëtare, e as që mund të shkaktojnë huti te lexuesit e veprave të tyre. Përdorimi i këtyre emërtimeve, pra, nuk mund të jetë në kundërshtim me përdorimin e emërtimit arbën, e as me mohimin e tij[48] edhe për një arsye tjetër, pse në shek. XIV-XVI, sikundër edhe më vonë, me fjalën Iliria, Iliriku (Ilirida) kuptohej në përgjithësi Dalmacia,[49] e cila, sipas mendimit të disave, përfundonte diku te Tivari; e kjo hapësirë, si të thuash, i takonte botës dhe gjuhës sllave, kurse ky botëkuptim do t’i sjellë këta sllavë deri te “ilirizmi” i njohur i tyre, sepse në atë kohë edhe Sllovenia quhej Iliri, kurse “ilirski pokret” (Lëvizja Ilire) te kroatët në shek. XIX, që sot është krejt i pakuptimtë,[50] por në atë kohë me idenë e pansllavizmit[51] [52] qysh V. Pribojeviqi (Vincentius Priboevius, 1532) kishte shfaqë mendimin se jo vetëm Shën Jeronimi, por edhe Teuta, Agroni, Aleksandri i Madh dhe Diokleciani kishin qenë sllavë, pararendës të ilirëve, kështu që edhe gjuha kroate u quajt gjuhë ilire. Prandaj shqiptarët, kur dëshironin ta lidhnin botën e tyre dhe gjuhën shqipe me lashtësinë, përdorin emërtimin e Maqedonisë dhe të Epirit për Arbërin.

Autorët shqiptarë e kanë parë të arsyeshme të bënin diferencimin edhe në këtë drejtim, për ta theksuar etnitetin e tyre karshi sllavëve (perëndimorë). Prandaj Gjergj Bardhi në një relacion, dërguar Romës, më 1638, e duke i ndarë besimtarët sipas gjuhës, për ata që flisnin sllavishten, thotë “parlano in lingua Illirica” (flasin në gjuhën ilire), kurse për ata që flisnin shqip “parlano in lingua Epirotica” (flasin në gjuhën epirote, d. m. th. gjuhën shqipe), duke përcaktuar etnitetet përmes një terminologjie (antike) të kuptueshme në kohën e tij. Ky diferencim përsëri nuk e vënë në dyshim mendimin e vijimësisë iliro-arbnore, ndonëse në aspektin shkencor kjo teori do të afirmohet sidomos prej kohës kur historianët dhe gjuhëtarët gjermanë (Leibniz, Thunmann, Bop) e kishin paraqitur, ngase emërtimi i ilirëve përdorej në vijimësi prej kohës romake edhe për gjuhën ilire – Lingua Illyrica – jo vetëm të kohës së ilirëve të vjetër por edhe për gjuhën e atyre popujve që jetonin në viset ku kishin jetuar më parë ilirët.

Me fjalë të tjera, këtu theksi vihet në proceset gjuhësore në lidhje me ato historike dhe në faktin se, po të kemi parasysh që emri Arban – Arbër lidhet me etnonimin e fisit ilir të albanëve, të cilët atëbotë banonin në viset e Shqipërisë së Mesme, atëherë do të pranohet se ky, së paku, është përdorur nga banorët e hershëm të këtyre viseve, kurse, më vonë, do të jetë përhapur edhe në viset e tjera, ku flitej e njëjta gjuhë,[53] [54] [55] duke i zëvendësuar të gjitha emërtimet sporadike, siç janë, ilir, makedon, epirot, që përdoreshin për të mbuluar vetëm ndonjë segment të qenësisë së emërtimit të albanëve, përkatësisht të arbëneshëve. Prandaj, siç shkruan historiani gjerman J. Tunmani, “pasardhësit e banorëve të stërlashtë të kësaj pjese të Ilirisë do të përmenden me emrin albanë ose arbanët. Lidhur me këtë çështje, në këtë shkallë të zhvillimit të shkencave ilirologjike, një paraqitje e zgjeruar e eponimit dhe etnonimit Ilir vetëm mund ta bëjë edhe me të qartë konceptin e albanëve antikë.[56] [57] Kjo ka rëndësinë e vet sidomos në konceptimin e shprehjes, tanimë të përhapur edhe në ilirologji, lllyrii proprie dicti (Ilirët e vërtetë), “ si fis me vete që sipas autorëve antikë, Plinit dhe P. Mella, jetonte në një pjesë bregdetare, dhe të lidhjeve etnike të këtij fisi me ilirët që jetonin në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik,[58] [59] kështu që ky emër është përhapur duke i përfshirë fiset e tjera me një bazë të përbashkët në kulturën shpirtërore, materiale dhe gjuhësore.

Natyrisht, diferencimi në mes emërtimeve makedon, epirot dhe alban do të bëhet jo vetëm mbi baza të zhvillimit të vetëdijes kombëtare, por edhe të zhvillimit të shkencave mbi gjeografinë historike tek autorë të ndryshëm bizantinë dhe latino – perëndimorë, kurse te autorët shqiptarë, qofshin ata historianët e parë (M. Segoni, M. Barleti, Dh. Frangu), që shkruajnë në gjuhën latine, ose ata që shkruajnë në gjuhën shqipe, me plot arsye i përdorin këto emërtime, që më në fund, të japin konceptin Arbëri dhe arbër, kështu që funksionet etnike dhe të lavdisë historike të etnonimisë shqiptare do të jenë sporadike, kurse aktualisht patronimia etnonimike do të jetë e pëlqyeshme jo vetëm në përdorimin e antroponimeve, Arbën, Arbnore, por edhe të emërtimeve të lashtësisë, duke filluar nga antroponimi Ilir dhe Dardani dhe duke vazhduar me emra të tjerë të antikës ilir, siç janë: Agron, Gent, Teutë etj. Më rëndësi është që ky emërtim nuk mohohet, e as nuk dobësohet fare nga përdorimi i emërtimeve të tjera etnonime sekondare, të cilat kanë tendencën e arkaizimit të popullit shqiptar, si një tendencë pozitive, e jo si mohim i elementeve etnonimike, sepse rrjedhat e zhvillimit të emërtimit albanë mund të ndiqen gjithashtu që nga koha antike deri më sot. Në lidhje me rrjedhat e këtij zhvillimi vazhdimisht shtrohet edhe një çështje me rëndësi përse etnonimi arbën e jo ndonjë tjetër etnonim u përgjithësua për të gjithë shqiptarët. Për të dhënë përgjigje në këtë pyetje, duhet të ndiqet ky zhvillim nga albanët antikë dhe Albanopoli i tyre deri më sot, për të cilat çështje do të flitet në vazhdim./drita.info

  – – – – – – – 

[1]   Epiri antik shtrihej nga malet Akroneraune (Malet e Vetëtimës – Llogara) në veri, e deri te gjiri i Ambrakisë në jug, dhe prej brigjeve të detit Jon në perëndim e deri te Vargu i Pindit në lindje. (S. Islami, Epiri antik, 5.)

[2]  Krh. S. Islami, Epiri antik, 5-6.

[3]   Ilirët dhe Iliria, 37.

[4]  K. Biçoku, Viset etnike, 30.

[5]   F. Drini, Ilirët dhe epirotët, 59.

[6]  Krh. R. Katičić, O jeziku i narodnosti starih Makedonaca, Godišnjak CBI, II, Sarajevë, 1976, 330, ss.

[7]  Giuliano Bonfante, Shqipja edhe ilirishtja, te: Studime ilire, II, 93.

[8] Albanesische Stud. I, p. 219.

[9] J. Radonic, Gjuragj Kastrioti, p.122.

[10] Cituar sipas: Shuteriqi, Fjalë të shqipes, 313.

[11] Një traditë e ngjashme ka ekzistuar edhe te popujt e lashtë, të cilët madje krijojnë (mite dhe) legjenda për pararëndësit e tyre, por edhe me një arsyetim të bindshëm se „grekët, romakët, epirotët dhe makedonët nuk donin që të kishin pararëndës të tyre barbarë të egër.“ (Paulys Realenziklopaedie des classischen Altertumsvvissenschaft, IV, Stuttgart, 1901, col. 2177.)

[12]Në këtë vetëdije duhet parë edhe faktin se Piroja (nga Jeta Paralele të Pëutarkut, përkthyer nga S. Papahristo, Tiranë, 1934) është venë në listën e librave të laktyrës shkollore. (Krh. Zalvi, Bibliografi, te: Lika, VI, 10 (1934), p.363.

[13] Burime të zgjedhura për hist. e Shq. 1,241.

[14] P. Bogdani, Çeta e profetëve, I,VI.

[15] Lahuta e Malcis, IV, 20-21.

[16]  M. Barleti, Skënderbeu, Historia e jetës dhe e veprave, 149.

[17] M. Barleti, Historia e Skënderbeut, p. 92.

[18] Për praninë masive të shqiptarëve gjatë mesjetës në viset lindore të Gadishullit Ballkanik më gjerësisht: P. Xhufi, Migrimet e shqiptarëve në Greqi në shek. XIV, pp. 3-30.

[19] Krh. R. Stoikov, Th. Kaçorri, Një regjistër osman turk I shek. XV për shqiptarët e

Peloponezit, te: Studime historike, 3/1966, Tiranë, 1966, pp. 149-163.

[20] D. Franco, Commentario de le cose de Turchi et del Giorgio Scanderbegh, principe di Epiro, Venetia, 1539 (Dhimitër Frangu, Skënderbeu, “Globus R”, (Përkth. Hysen Hidri), Tiranë, 2000

[21]   Fransicus Blanchus, Georgius Castriotus Epirensis vulgo Scanderbegh Epirotarum principis, Venetiae, 1636

[22]  Në mënyrë të ngjashme vepron edhe P. M. Parrino në veprën e tij Tesoro di notizie su dei Macedoni, progressi e colonie degli Albano – Epiroti dai Podiluviani fin ai nostri secoli … (Thesar shënimesh mbi makedonët, në të cilin janë paraqitur fillimet, zhvillimi dhe ngulitjet shqiptaro – epirote prej parahistorisë deri në ditët tona …) (Krh. më gjerësisht: Engjëll Sedaj, Një vepër më pak e njohur historike e N. Ketës nga viti 1777, pp. 173-190.)

[23] Shkruan M. Barleti, Rrethimi Shkodrës, 32.

[24] Krh. Andrija Mutnjakoviq, Andreas Alexius Epirota, “Rilindja”, Prishtinë, 1981, p. 17.

[25] B ar dh i, Fjalor latinisht – shqip, 197.

[26] Krh. E. Dulaj, Konceptet, 27.

[27] Krh. E. Çabej, Studime etim. II, 194.

[28]Shuteriqi, Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera, Tiranë, 1987, p. 79.

[29] Sa për ilustrim, këtu po veçojmë De Radën dhe studimin e tij “Identititi i pellazgëve me shqiptarët”, në të cilin i shqyrton emrat nga mitologjia greke me mjete të gjuhës shqipe, si dhe punime të tjera të tij, siç janë: Hyjnizime pellazgjike, Lashtësia e kombit shqiptar dhe afria e tij me grekët dhe romakët, Pellazgë dhe helenë etj. (Më gjerësisht: Jup Kastrati, Studime për De Radën, Gjonlekaj Publishin Company, Nevv York, 2003, pp.31-61.)

[30] Krh. Idriz Ajeti, Studime gjuhësore në fushë të shqipes, IV, Prishtinë, 1989, p.20.

[31] Nga tituli! i veprës (latinisht): Cuneus prophetarum … a Petro Bogdano Macedone, është përkthyer Çeta e profetëve… nga Pjetër Bogdani, Shqiptar. (“Rilindja”, Prishtinë, 1990, p. 61).

[32]G. Musachio, Historia e geneologia della casa Musachia, 1510. (Krh. Shuteriqi, Fjalë nga leksiku i shqipes, 353.)

[33] Epiri është fjalë burimore greke (Epeiros) me kuptim “tokë”.

[34] Dhimitër S. Shuteriqi, Një tekst i panjohur shqip i viti 1638 (Carmen albaniensie seu epiroticum Danielis Cortessi) te: “Nëntori”, 6 (1958), p. 148-154.

[35] Z a m p u t i, Dokumente II, 28.

[36]Frashëri, Trojet e shqiptarëve, 14.

[37] Gj. Muzaka, Historia e gjenealogjisë së shpis së Muzakajve, te: Leka, 4,5,6 (1930), 2,3,4,6,9,11 (1931).

[38]Frashëri, Trojet e shqiptarëve, 18.

[39] K. Biçoku, Viset etnike, 30-31.

[40]  K. Frashëri, Trojet e shqiptarëve, 109.

[41]  E. Dulaj, Konceptet, 25.

[42]  J. Radonić, Gjuragj Kastriot Skenderbeg i Arbanija u XV veku, Beograd, 1942, p. 226

n‘ Krh. Dokumentet të periudhës bizantine për hist. E Shq., Tiranë, 1978, dok.

3738,40,41,42.

[44]D r i n i, Ilirët dhe epirotët, pp. 55-64.

[45]Burime tregimtare, p. 32 et passim.

[46]   Këtu duhet dalluar fiset epirote, si dhe përhapjen e etnonimit ilir në viset perëndimore të Gadishullit Ballkanik, nga trevat lindore ku dëshmohet prania e thrakasve, që kufizoheshin me dakët dhe mizët (në veri).

[47]   Siç dihet, qysh në letrën e parë të tij (më 24.01.1705) G. V. Lajbnici (Leibniz, 1646-1716) ka shprehur mendimin se gjuha e ilirëve të lashtë do të ketë ekzistuar diku në Epir, kurse në letrën e dytë (më 10.12.1709), pasi që i kishte ra në dorë Fjalori i F. Bardhit, ai shkruan se “nga kjo mësojmë se kjo ishte gjuha e ilirëve të lashtë.” (Autoktonia e shqiptarëve, 44.)

[48]Një renditje mjaft interesante e ka bërë edhe V. Dorsa kur thotë”…i padri de’ successivi abitatori, riconosciuti nelle varie epoche delta storia sotto i nomi di Tessali, Macedoni, Epiroti, Arnauti, Schipetari, Albanesi”. (Studi etimologici della lingua albanese, Cosenza, 1862, p.13.).

[49]Krh. Faust Vrančić, Dictionarium quinque nobilissimarum Europae linguarum, Latinae, Italicae, Germanicae, Dalmaticae et Ungaricae, Venetiis, 1595, “Liber”, Zagreb, 1971

[50]Bogdanović, Knjiga o Kosovu, 16.

[51]Krh. S. Antoljak, Hrvatska historiografija do 1918,1, Zagreb, 1992, pp. 81-86.

[52]A. Stipçeviq, Problemi i vazhdimësisë iliro- shqiptare, 13.

[53]J a k o v , Spisi Kongregacije za propagandu vere u Rimu o Srbima 1622-1644, 362.

[54]D e m i r aj , Gramatike historike, 49.

[55]Autoktonia e shqiptarëve, 60.

[56]Sa i përket përdorimit të toponimit Ilirik dhe të shtrirjes së tij në kohën antike, mund të ketë dallim ndërmjet autorëve grekë (kryesisht Apiani) dhe romakë (Plini, Livi, P. Mela). Sipas grekëve Iliriku përfshinte kryesisht territorin në pjesën perëndimore, të kufizuar me Detin Adriatik dhe në veri me Danubin, kurse në jug me Makedoninë. Ndërkaq, sipas romakëve, Iliriku përfshinte edhe Panoninë, Dalmacinë, Bosnjën etj.

[57]Krh. R. Katičić, Illyrii proprie dicti, te: Živa antika, XIII-XIV (1964), pp. 87-97.

[58]Krh. Stipçeviq, Ilirët, 26.

[59]Krh. D u 1 aj , Konceptet “Epir” dhe “epirot”, pp. 22-31.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »