Grumbullim pasurie apo marrëdhënie të mirëfillta
5 qershor 2018 – E martë (Java 9), Shën Bonifaci, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 2 Pjt 3, 12-15a.17-18; Ps 89; Mk 12,13-17)
Prania e Hyjit
Në heshtjen e qenies sime më intime,
në fragmentet e unitetit tim shumë të dëshiruar,
a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?
A mund të më kujtohet kur e kam ndier afërsinë e Zotit;
kur kemi ecur bashkë, duke i lejuar që të jem i përqafuar nga dashuria e Zotit?
Liria
Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.
Përkundrazi, Shpirti i tij i jep frymën e jetës dëshirave të mia më të thella,
Duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.
Lus për hirin e shenjtë që t`i lejoj Shpirtit që të më plotësojë.
Ndërgjegjësimi
Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.
Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.
Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente
kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin tënd ndaj meje.
Fjala
Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.
Lexoj me vëmendje dhe kuptim,
dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet personalisht.
Mk 12,13-17
13 Pastaj i dërguan disa prej farizenjve e herodianëve me qëllim që ta zënë në fjalë. 14Këta erdhën e i thanë:
“Mësues, e dimë se je njeri që flet të vërtetën. Nuk shqetësohesh për askënd, se ti nuk e merr parasysh pozitën që kanë njerëzit kur është puna të mësosh të vërtetën ashtu si kërkon Hyji të jetojmë. A është e lejueshme t’ia paguajmë Cezarit tatimin apo jo? A t’ia japim apo të mos ia japim.”
15 Ai e hetoi dredhinë e tyre dhe u tha:
“Pse po më sprovoni? Ma bini ta shoh një denar!”
16 Ata ia sollën. Ai i pyeti:
“ E kujt është kjo fytyrë e ky mbishkrim?”
“ Të Cezarit.” ‑ iu përgjigjën ata.
17 Jezusi u përgjigj:
“Çka i përket Cezarit, jepjani Cezarit e çka i përket Hyjit, jepjani Hyjit!”
I la me gojë hapur.
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Hipokrizia fillimisht do të thotë “aktrim në skenë.” Kurse në Bibël, kjo do të thotë mashtrim, gënjeshtër, dyfytyrësi. Këtu grumbullimi i pasurisë shtrembëron marrëdhëniet e mirëfillta. Vizitorët e Jezusit donin vetëm ta ngashënjenin atë, t`i kurdisnin grackë, e vërteta atyre nuk u interesonte.
- Hipokrizia e farisenjve dhe herodianëve nuk ishte pse bënin pyetje, por në motivet e bërjes së pyetjes. Ata donin ta mashtronin Jezusin. A mos veproj edhe unë pandershëm? A mos jam hipokrit?
Si e kuptoj deklaratën përfundimtare të Jezusit në rrethanat e jetës dhe kohës sime? “Çka i përket Cezarit, jepjani Cezarit e çka i përket Hyjit, jepjani Hyjit!”
- Të gjithat i kemi marrë nga Hyji – madje edhe jetën. Çka mund t`i japim bujarisht Hyjit si shkëmbim?
Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe një herë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.
Bashkëbisedimi
E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërisht e lexova.
Çka më nxiti më së shumti të mendoj?
Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të tekstit në sipërfaqen e vetëdijes sime
Ngadalë nga kujtesa dalin fjalët e mikut, apo ndonjë tregim që e kam dëgjuar para pak kohe.
Nëse është ashtu, a po e ndriçon tregimi atë çfarë mundohet të më thotë teksti i Shkrimit Shenjt?
Përmbyllja
Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.
Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Lakmia për pushtet çon drejt vrasjes Etnonimet sopradike: epriot, makedon, ilir (II) »