ZOTI I GJALLË EDHE PAS VDEKJES

Jun 6 • Meditimi i ditës

6 qershor 2018 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2Tim 1,1-3.6-12; Ps 122; Mk 12,18-27)

 

Prania e Hyjit

E pranishme për mua është ajo që ndikon në ekzistencën time.

E kundroj praninë e Hyjit, i cili gjithmonë është pranë meje me dashuri,

në mesin e shumë gjërave që po ashtu ndikojnë në mua.

Ndalem dhe lutem që t`i lejoj

që të ndikoj në të jetuarit tim, në jetën time, në këtë moment.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke vepruar përmbi këtë tokë; ke duruar të nxehtët dhe të ftohtët.
Kohën që e ke kaluar në tokë ka qenë e mbushur me kujdesin për njerëz.
Ke shëruar të sëmurët, ke ngjallur të vdekurit; kurse ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.
E lexoj, e dëgjoj tekstin e Shkrimit Shenjt vëmendshëm, dhe shoh çka po thotë vetë teksti?

 

Mk 12, 18-27

 

18 Saducenjtë që mësojnë se nuk ka ringjallje, erdhën dhe e pyetën:

19 “Mësues, Moisiu shkroi për ne: ‘Po vdiq vëllai i ndokujt dhe e lë gruan pa fëmijë, vëllai i tij të martohet me gruan e tij e t’i lindë fëmijë vëllait të vet’.

20 Tashti, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe vdiq, por nuk la pasardhës. 21 I dyti e mori atë e vdiq, por nuk la trashëgimtar. Po ashtu edhe i treti. 22 Asnjëri prej të shtatëve nuk la trashëgimtar. Pas të gjithëve vdiq edhe gruaja. 23 Pas ringjalljes (kur të ngjallen) gruaja e cilit do të jetë? Sepse, të shtatë e patën grua.”

24 Jezusi u përgjigj:

“Po a nuk jeni në gabim pikërisht pse nuk e kuptoni Shkrimin e shenjtë e pushtetin e Hyjit? 25 Sepse, kur njerëzit të ngjallen prej së vdekuri, as burrat s’do të marrin gra, as gratë burra, por do të jenë porsi engjëjt në qiell. 26Për sa pastaj i përket çështjes së ringjalljes të të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut, në fragmentin mbi dukurinë e ‘Kaçubës’, se si i tha Hyji: ‘Unë jam Hyji i Abrahimit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit?’ 27 Hyji nuk është Hyji i të vdekurve, por i të gjallëve.

Jeni shumë gabim!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjtë:

 

  • Zoti, thotë Jezusi, është Zot i të gjallëve, jo i të vdekurve. Duke qenë plotësisht me Zotin pas vdekjes është një tjetër mënyrë ekzistence. Me anë të vdekjes ne hyjmë në një jetë të re; duke mos u rivendosur thjeshtë në formën ekuivalente (të barabartë) të jetesës tokësore. Meqenëse jemi transformuar nga Dashuria, ekziston vazhdimësia, por me një ndryshim radikal.
  • Hyji nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve. Bota jonë është aq e zënë me konkurrencën dhe dhunën që e grumbullon çdo ditë, sa që nuk e ndien nevojën ta dëgjojë këtë mesazh të mrekullueshëm.
  • Saducenjtë ishin të kufizuar me ligjin e vjetër dhe bindjet e tyre ishin një filtër që i bllokonte për të dëgjuar diçka të re. Edhe ne mund të bëjmë pyetje të gabuara, të dëgjojmë atë që na pëlqen të dëgjojmë dhe për këtë arsye të kufizojmë marrjen e porosisë së vërtetë të Jezusit.
  • Si duket besimtarët shpenzojnë shumë kohë duke diskutuar detajet, duke injoruar porosinë e jetës. Papa Françesku pat theksuar një herë se kur disa të krishterë flasin për ungjillin, ata flasin si të ishin kthyer nga një varrim. Kurse ungjilli është shpallje e gëzueshme e dashurisë së Zotit për botën.
  • A mos e kufizoj zemrën time në emër të Zotit para të tjerëve, se jam i krishterë? O Zot, bëj që jeta ime të tregojë, të dëshmojë se ti erdhe të na dhurosh të gjithëve jetën, jetën me bollëk.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe një herë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Shpirtin nuk e nginë dija e madhe, por shijimi i gjërave.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Ati ynë … Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »