Shtëpia Botuese “DRITA” me tituj të ri në Panairin e Librit Prishtina 2018

Jun 7 • Kisha në Kosovë, Kulturë

Më 5 qershor është hapur Panairi i Librit – Prishtina 2018, i njëzeti me radh, në cilën botuesit shqiptarë ekspozojnë botimet e tyre, në mesin e të cilëve edhe Sh. B. “Drita” organ zyrtar i Kishës Katolike në Kosovë. 

Stenda  e  Dritës ekspozon sivjet 73 tituj nga këto seri: bibël, liturgji, katekistikë, përshpirtëri, monografi, histori, shkencë, muzikë, të veçanta, zëri i kishës, online me Zotin (seri e re e hapur këtë vit).

Kësaj larmie të botimeve të Dritës, janë shtuar edhe disa botime të krishtera nga botues tjerë nga Kosova dhe Shqipëria.

Përveç librave klasik, tashmë të njohur për lexuesin shqiptar, si “Bibla”, “Çeta e Profetëve”, “Ipeshkvia Shkup-Prizren gjatë shekujve”, “Islamizimi i shqiptarëve gjatë shekujve”, “Nëna e Dashurisë”, Drita prezantohet në Panairin e sivjetëm me 5 tituj të rinj, me tematika të ndryshme:

  1. Në Twitter me Zotin”, e priftit holandez Michel Remery, i cili përdorë një metodë dhe gjuhë e re për të shqyrtuar pyetjet më për fenë, biblën, lutjen, abortin, seksin, kryqëzatat e të tjera, që të rinjtë, e jo vetëm, i shtrojnë e kërkojnë përgjigje adekuate. Edhe pse libri është i dedikuar kryesisht të rinjve, struktura, përmbajtja dhe metoda i shkon për shtati çdo moshe që kërkon përgjigje të kënaqshme për shumë çështje rreth krishterimit. I punuar me një kujdes të veçantë, i ilustruar me fotografi të përzgjedhura, në 432 faqe, ky libër do të jetë një dhuratë e bukur për çdo lexues.
  2. Gruaja në veprën e Atë Anton Harapit” e studiueses Gjustina Caca- Shushka, e cila me pasion të veçantë e ka studiuar shpirtin dhe fytyrën e gruas shqiptare në veprën e pashoqe të të madhit Atë Anton Harapit. Është i vetmi studim që kemi për këtë tematike.
  3. Fuqia e besimit. Reflektim psiko-shpirtëror mbi Psalmet 1-19 i meshtarit Don Anton Uka, i cili me dashuri dhe përkushtim ka reflektuar mbi psalmet e biblës, njëra ndër librat më të bukura të Shkrimit të shenjtë. Ky libër e shënon të parin libër në serinë e disa librave që autori do të botojë për 150 psalmet.
  4. Virgjëra Mari në histori dhe në përshpirtëri dhe
  5. Shenjtëresha e Dashurisë. Prej Shën Palit te Shën Nënë Tereza të Don Lush Gjergjit, i cili tashmë për lexuesin njihet si autori më i frytshëm në fushën e shkrimeve dhe botimeve ndër shqiptarë. Dy veprat tregojnë një kujdes të rafinuar të autorit për personazhe që kanë lanë shenja të pashlyera në shpirtin e kulturës shqiptare të krishterë.

Si e do tradita, librat në panair kanë një zbritje nga çmimet standarde nga 10-70 %, me qëllim që lexuesi të arrijë të ketë ata tituj që i interesojnë. /drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »