Në zemrën e Jezusit ka vend për mua

Jun 8 • Meditimi i ditës

8 qershor 2018 – E premte, ZEMRA E SHENJTË E JEZUSIT (e kremte), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Os 11,1.3-4.8c-9; Ps Is 12; Ef 3,8-12.14-19; Gjn 19,31-37)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment

dhe mendoj për dashurinë dhe hirin të cilin Hyji e ndikon mbi mua,

se si më krijon në shëmbëllesën dhe përngjasimin e tij, se si më bën tempull të tij…

 

Liria

Trungu i trashë dhe i shtrembër i pemës kurrë nuk do të besonte

se mund të bëhet përmendore, vepër e mrekullueshme artistike,

dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,

që me gjeninë e tij shqyrton se sa gjëra të shumta mund të nxirren e të bëhen nga ky trung. (Shën Injaci)

Lutem për hirin e shenjtë që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.

 

Ndërgjegjësimi

Vetëdijesohem që jam në praninë e Hyjit.

Do të kërkoj strehim në zemrën e tij që më do.

Ai është fuqia ime në momentet e dobësisë,

ngushëllues në momentet e pikëllimit.

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj Fjalën e Zoti me vëmendje,

dhe vërej çka po më flet Zoti.

 

Gjn 19, 31-37

 

31 Atëherë judenjtë, pasi ishte dita e Përgatitjes dhe, që trupat të mos mbeteshin në kryq të shtunën ‑ e ajo e shtunë ishte ditë e madhe ‑ i bënë lutje Pilatit që të kryqëzuarve t’u theheshin kërcinjtë dhe të uleshin prej kryqit. 32 Erdhën, pra, ushtarët e të parit e të dytit që ishin të kryqëzuar me të, ua thyen kërcinjtë. 33 Kur erdhën te Jezusi, si panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, 34 por njëri prej ushtarëve me heshtë ia shporoi kraharorin dhe menjëherë rrodhi gjak e ujë.

35 Dëshmon ai që pa, e dëshmia e tij është e vërtetë. Ai di se flet të vërtetën, që edhe ju të besoni. 36 Në të vërtetë, ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala e Shkrimit të shenjtë: “Asnjë asht nuk do t’i thyhet.” 37 E në një vend tjetër Shkrimi i shenjtë thotë:

“Do ta shohim Atë që shporuan.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Është e rëndësishme që t`i identifikojmë rrënjët biblike të devocionit ndaj Zemrës së Jezusit. Përndryshe mbetemi në një sentimentalizëm të jashtëm. Simbolika e tejshpimit të kraharorit të Jezusit është një bazë e fortë për devotshmëri. Zhyte veten në këtë skenë të njohur të Kalvarit dhe vështroje “Atë që shporuan”. Vështroje gjakun e ujin që rrjedhin nga kraharori i shpuar i Jezusit. Disa e interpretojnë se kjo paraqet Eukaristinë dhe pagëzimin.
  • Çfarë përfaqëson për mua kraharori i shporuar? Si ma komunikon mua sot Zemra e Shenjtë dashurinë e vet? A kam ndonjë përgjigje?
  • Mesazhi i të kremtes së sotme dhe leximit të sotëm është e vërteta themelore: Zoti na do. Hyji e dërgoi Birin e vet që na deshi deri në fund, duke derdhur gjakun e tij për ne. Ashtu si gjitha dashuritë, në të gjitha format dhe variacionet e saj të ndryshme, kjo është diçka që nuk mund të bluajmë me mend kurrë sa duhet, pasi shkon përtej kuptimit tonë.
  • O i lumi Jezu Krisht, bëj që zemra ime t`i përngjaj zemrës sate: të jetë e lirë dhe e mëshirshme.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe një herë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Shpirtin nuk e nginë dija e madhe, por shijimi i gjërave.

 

Bashkëbisedimi

Jezus i dashur, po ta çeli zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,

se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

Ati ynë…

O i lumi Jezu Krisht, zemër butë e i përvujtë.

Bëj që zemra ime t`i përngjaj zemrës sate.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »