Zemër e hapur dhe e gatshme për të mësuar
9 qershor 2018 – E shtune, Zemra e Papërlyer e Shën Marisë Virgjër, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Is 61,9-11; Sam 2, 1.4-8; Lk 2,41-50)
Prania e Hyjit
Ndalem një moment e mendoj për praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke u dhënë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke ua dhuruar jetën; në kafshë duke bërë që të ndiejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto, edhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit të Shenjtë.
Liria
Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;
zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.
Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.
Ndërgjegjësimi
Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?
Fjala
Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.
Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm
Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.
Lexoje, dëgjoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.
Lk 2, 41-51
41 Prindërit e tij për çdo vit shkonin në Jerusalem për të kremten e Pashkëve. 42 Kur Jezusi i mbushi të dymbëdhjetat, u ngjitën sipas zakonit të festës. 43 Si kaluan ato ditë, ata u kthyen, kurse Jezusi ende fëmijë, u ndal në Jerusalem pa dijen e prindërve të tij. 44 Duke qenë të bindur se është me turmën, ecën ashtu një ditë rrugë e atëherë zunë ta kërkojnë ndër kushërinj e të njohur. 45 Pasi nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar.
46 Pas tri ditësh e gjetën në Tempull mes dijetarësh duke i dëgjuar ata dhe duke u bërë pyetje. 47 Të gjithë ata që e dëgjonin, i mrekullonte dija dhe përgjegjet e tij. 48 Kur e panë, u çuditën dhe e ëma i tha:
“Ç’na bëre kështu, o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!”
49 Ai iu përgjigj:
“Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?”
50 Por ata nuk morën vesh çka deshi t’u thotë.
51 Atëherë Jezusi u kthye me ta, erdhi në Nazaret dhe i dëgjonte. E ëma i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje.
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Në këtë takim ndjehet tensioni mes Marisë, e cila është e shqetësuar, dhe Jezusit, i cili i thotë që të mos shqetësohet, se është rritur mjaft për t’u kujdesur për veten e vet. Zemra e nënës është e zgjuar dhe e ndjeshme, e mbushur me kujdes dhe dashuri. Maria ende nuk i kupton të gjitha se çfarë po ndodh me Jezusin, por zemra e saj është e hapur dhe e gatshme për të mësuar.
- Si çdo nënë tjetër, Maria ishte personi që kishte më shumë ndikim në zemrën e birit të vet. Ajo e mësoi atë se si të donte, të ndante, të lutej, të ishte i butë dhe të kishte dhembshuri. E para ishte që i foli për Hyjin. Jezusi mund të shihte te nëna e vet vlerat që rigjallëronin – jepnin jetë. O Zojë, ma formo dhe mëso zemrën time të jetë sa më afër zemrës së Jezusit, ashtu siç ishte e jotja.
- Ungjilli thotë hapur se Maria dhe Jozefi nuk e kuptuan përgjigjen e të birit. As prindërit e shumë adoleshentëve të sotëm nuk e kuptojnë. O Mari, ndihmoi prindërit t`iu besojnë fëmijëve të vet, t’i ndihmojnë ata në përpjekjet e tyre të përditshme për t’i dashur ata pa kushte – edhe atëherë kur nuk i kuptojnë.
- O Zot, më jep një zemër të hapur dhe të gatshme për të mësuar si zemra e Marisë. Po të lus edhe për të gjithë prindërit që shkojnë në ekstreme duke i mbajtur fëmijët e tyre në izolim dhe kontrollim të egër, dhe për të gjithë fëmijët në zhvillim që dëshirojnë me padurim të bëhen shpejt e shpejt të rritur.
Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe një herë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Shpirtin nuk e nginë dija e madhe, por shijimi i gjërave.
Bashkëbisedimi
O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.
Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.
I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.
Po lëshohem në duart e tua.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi në bazë të Shkrimit Shenjt.
Ati ynë… Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Në zemrën e Jezusit ka vend për mua Gënjeshtra dhe shpifja nuk mund të mbijetojnë gjatë »