Motra e Vogël Magdalena e Jezusit (1898 – 1989) dhe misioni ndër shqiptarë

Jun 11 • Kisha ndër Shqiptarë

Nga Mons. Lush Gjergji

 

Disa herë e kam takuar  Motrën e Vogël Magdalenën e Jezusit në jetën dhe shërbimin tim meshtarak. Hera e parë ishte në Romë, në qendrën “Tre Fontane”, në janar të vitit 1981. Isha në përcjellje të Imzot Nikë Prelës (1918 – 1996), atëherë i vetmi ipeshkëv shqiptar, për disa takime zyrtare në Dikasteret e Vatikanit, si dhe për audiencë të parë private me Papën e atëhershëm Gjon Pali II.

Takimi ynë me Motrën e Vogël Magdalena ishte aq i ngrohtë, i përzemërt, i thjeshtë, i sinqertë, që më përkujtonte takimet e mia të shumta që i kisha pasur me Shën Nënën Tereze. Dy shpirtra të mëdhenj, të dashuruara tërësisht në Jezu Krishtin, në Kishën Katolike, në njeriun dhe njerëzimin, sidomos në të vegjël dhe të përbuzur.

Ajo na priti me shumë miqësi dhe dashuri. Ishte vërtet një nënë e mirë dhe tejet e vëmendshme. Njohuritë e saja për popullin Shqiptar, për Kishën tonë, sidomos kujdesi për Shqipëri ishte i madh, aq sa kishte mundësi dhe informata, mjaft të sakta. Në tavolinë të punës, së bashku me disa bashkëpunëtore të ngushta, kishte një hartë gjeografike me shënime të pranisë së Motrave të Vogla të Jezusit në botë. Dorën dhe gishtin, mendoj edhe mendjen dhe zemrën, e kishte në Shqipëri. Na tregoi me fjalë të zgjedhura “ëndrrën” që ajo dhe bijat e saja shpirtërore, Motrat e Vogla të Jezusit, një ditë të depërtonin në Shqipëri për ta dhuruar dhe dëshmuar dashurinë e Jezu Krishtit për të gjithë.

Së bashku me ne, ndër tjera, ishte edhe një Motër e Vogël, zezake. Tash kam harruar nga ishte. Me shëndet dukej e dobët, e sëmurë, që tërë jetën e saj rregulltare ia kishte kushtuar Zotit për kthimin dhe lirinë e Shqipërisë.

Aty e përjetuam mrekullinë e Kishës Katolike, katolicitetin, që na bashkon me Zotin dhe me njëri-tjetrin, në fe dhe dashuri, pa kurrfarë dallimi dhe përjashtimi.

Këto tregime, dëshmi kaq të bukura, të prekshme dhe bindëse e prekën “telin” dhe damarin e zemrës së Imzot Nikë Prelës, i cili po ashtu tërë jetën meshtarake, pastaj edhe ipeshkvore, ia kishte kushtuar këtij njeti dhe ideali: hapjes së Shqipërisë, lirisë fetare, demokracisë, si të gjithë popujt dhe shtetet tjera të Evropës dhe botës. Ai në çdo meshë dhe pretk publik e nxiste popullin tonë që të lutej dhe flijohej për kthimin e Shqipërisë. Thoshte me shumë bindje dhe vegim profetik: “Shqipëria do të hapet. Komunizmi dhe ateizmi nuk ka jetë të gjatë, por ne a do të jemi të përgatitur për një mision dhe dërgim të tillë?”.

Motra e Vogël e Jezusit Magdalena dhe këshilli i saj kishin një para-projekt dhe para-përgatitje për misionin e ardhshëm në Shqipëri. “Para se të vinte kjo ditë kaq e dëshiruar dhe e pritur”, thoshte ajo, “ne duhet të jemi të pranishme në dy vende ku ka Shqiptarë, ndër Arbëreshë të Italisë dhe në Kosovë”.

Ky plan dhe kjo dëshirë e saja për ne ishte një shenjë dhe dëshmi që Zoti po përgatiste kohë më të mira, më të volitshme, për kthimin e Krishtit dhe të lirisë në Shqipëri. Në Itali, Ejanina, ndër arbëreshë, janë që nga viti 1972, ndërsa në Shqipëri, Tiranë, që nga viti 1998.

Dhe prapë një dualizëm, një krahasim, paralelizëm mes dy motrave, Nënës Tereze, shqiptares së madhe në botë, dhe Motrës së Vogël  Magdalena të Jezusit, franceze, të cilat e kishin shpirtin e Zotit, mendonin, flisnin, luteshin, vepronin në sintoni dhe në harmoni të plotë me Zotin dhe planet e tija, si dhe me njëra-tjetrën, për një qëllim dhe synim të përbashkët dhe kaq të lartë, të shenjtë, kthimin e Shqipërisë.

Pas bisedës së gjatë dhe tipike shpirtërore, vizitave të “Vëllazërive”, Motra e Vogël Magdalena na tha kështu: “Tash do ta takojmë Jezu Krishtin në Eukaristi. Atij do t’ia tregojmë dhe besojmë planet, dëshirat, kërkesat, nevojat e Kishës së përndjekur në Shqipëri, si dhe kudo në botë”.

Fytyra dhe sytë e saj rrezatonin fe dhe dashuri. Takimi dhe adhurimi ynë në shpellë dhe kapelë, pas bisedës që patëm më parë, ishte kulmi i kësaj dite dhe përjetimi. Të thelluar dhe të ngushëlluar nga Prania dhe Dashuria e Krishtit, dolëm të ngazëlluar, të lumtur, të bindur se Zoti po vepronte në këtë drejtim.

Pas këtij takimi, bisedimi, përvoje feje, Motra e Vogël Magdalena dhe “Tre Fontane”, për mua ishin një pikë referimi për jetën dhe veprimtarinë time meshtarake.

Imzot Nikë Prela më tha: “Zoti po na jep shenja të qarta nëpërmjet Motrës së Vogël Magdalena, që po vjen koha edhe për Shqipërinë tonë të mjerë…”. Fjalët e tija ishin aq emocionuese, sytë e tij të përlotur, zemra e tij e ngushëlluar. Dhe vazhdoi kështu: “Ky takim më ka bindur edhe më shumë me qëndrimet dhe synimet e mia ndaj Kishës në Shqipëri. Këtë shpirt dua ta barti te kleri ynë, rregulltarët dhe rregulltaret, të populli i Zotit. Urata, pendesa, njeti për hapjen e Shqipërisë, na ndihmon të shenjtërohemi dhe të vuajmë edhe ne me shumë fe dhe dashuri. Motra e Vogël Magdalena, sidomos ajo motër zezake, na solli një lajm shumë të madhe dhe të mirë. Së paku dikush, besoj shumë njerëz të kushtuar në botë, jetojnë, luten, flijohen për hapjen e Shqipërisë. Ne nuk guxojmë të vonohemi dhe të dështojmë, sepse jemi vëllezër në fe dhe në gjak”.

Në përshëndetje Motra e Vogël Magdalena na la këtë porosi: “Luteni Zotin për mua, për Motrat e Vogla të Jezusit, që të jemi besnike planin dhe vullnetit të Zotit. Ne ju përcjellim me uratë tona. Zoti ju bekoftë”.

Përshtypjet e mia të thella dhe të paharrueshme nga ky takim dhe komunikim shpirtëror, i ruaj me kujdes në mendjen dhe zemrën time. I thashë Imzot Nikës kështu: “Shkëlqesi, e takuam sot një “Shenjtëreshë të gjallë”, e cila jeton vetëm për Krishtin, Kishën, të mirën e mbarë njerëzimit”.

Më vonë për së afërmi jam njohur dhe kam bashkëpunuar me Motrat e Vogla të Jezusit, të cilat vite të tëra ishin në Kosovë,  në Prishtinë dhe në Sallagrazhdë, filiali i Famullisë se Velezhës, me këtë shpirt, frymëzim dhe dëshmi. Bashkëpunimi me motrën Odett Marquet, studiuese dhe përkthyese e njohur, albanologe e shquar, sidomos mbi Imzot Pjetër Bogdanin dhe letërsinë shqipe të lashtë, si dhe rreth shtypit dhe botimeve katolike të “Dritës”, ishte i shkëlqyeshëm dhe frytdhënës.  

Motrat e Vogla fatkeqësisht ishin të detyruara të largoheshin nga Ipeshkvia jonë, pasi sistemi i atëhershëm u mohoi lejen e qëndrimit dhe të veprimit ndër ne. Gjurmët dhe kujtimet  të kësaj prani dhe dëshmie janë të pashlyeshme në mua, ndër ne, për të gjithë ata që i kanë njohur për së afërmi.

Pas hapjes së Shqipërisë Motrat e Vogla të Jezusit vite të tëra janë të pranishme dhe veprues në Tiranë, ku si gjithmonë, dëshmojnë karizmin e tyre dhe shërbejnë me përkushtim specifik dhe me shumë dashuri.

Motrat e Vogla të Jezusit me thjeshtësi, varfëri, përshtatje të jashtëzakonshme kushteve dhe rrethanave të jetës dhe punës së popullit tonë, ishin dhe vërtet janë diçka “ndryshe”, në stilin burimor të Jezusit, i cili nuk erdhe që ta shërbenin, por të shërbente dhe të flijohej, të vdiste dhe të ngjallej për mbarë njerëzimin, sidomos  për ata të vegjël, të panjohur, anonimë, ata që kanë një shpirt të përvuajtur dhe një zemër të hapur.

Dhe prapë edhe në këtë orientim dhe përcaktim jetësor hetoj lidhjen dhe përngjarjen mes Shën Nënës Tereze dhe Motrës së Vogël Magdalena e Jezusit, frymëzimin e Krishtit për Kishën dhe botën e sotme.

Karizma e Motrës së Vogël Magdalena, dhe bijave të saja shpirtërore, Motrave të Vogla të Jezusit, është një dhuratë e çmuar për Kishën Katolike në përgjithësi, në veçanti për ne, si shembull, dëshmi dhe ftesë që të jemi më afër, një me Jezu Krishtin, Kishën dhe Popullin tonë, me çdo njeri.

Vëllazëritë e Motrave të Vogla kudo në botë janë oaza urate, jete dhe dëshmie në “shkretinë” shpirtërore të Kishës dhe të botës së sotme.

Testamenti i saj shpirtëror, pak para se të kalonte në amshim, është dëshmi e jetës së kushtuar dhe dhuruar Zotit, Kishës, njeriut. Ajo kishte thënë kështu: “Nuk kam dashur asgjë tjetër pos veprës së dashurisë…”./drita.info

(Fjalim i autorit në Konferencën e mbajtur në Tiranë, më 9. 06. 2018, me rastin e 50 vjetorit të ardhjes së Motrave të Vogla të Jezusit)

                                                                                            

Shpërndaje

Comments are closed.

« »