Zemra e Krishtit – burim dashurie dhe qëndrese e të krishterëve

Jun 11 • Kisha në Kosovë

Në të kremten e Zemrës së Shenjtë të Krishtit (8 qershor), besimtarët e Kishës Katolike kanë festuar në Kishën e Vitisë, të prirë nga bariu i saj, Imzot Dodë Gjergji dhe meshtarët.

Kjo festë është shumë e dashur për pjesën e Karadakut – pasardhës të dëshmitarëve të fesë – sa që shumica e familjeve e kanë për festë familjare dhe e festojnë me miq dhe dashamirë. Në të kaluarën besimtarët e kësaj ane kanë shtegtuar në Katedralen e Zemrës së Krishtit në Shkup, kurse në rrethana të reja nga paslufta e vitit 1999, është ndërtuar kisha në Viti e kushtuar Zemrës së Krishtit, që është bërë vend-shtegtimi për të vazhduar traditën e të parëve.

Festa e Zemrës së Krishtit, tash disa vite, është shpallur nga Papa Benedikti XVI, ditë e kushtuar shenjtërimit të meshtarëve. Ky fakt, përveç se e ka shtu peshën e shtegtimit dhe të bashkimit krishteror, bashkë me traditën e katolikëve të kësaj ane, shtegtimin tradicional dhe kushtimin e lutjen për shenjtërimin e meshtarëve, e kanë bërë edhe më të madhërishëm kremtimin e Zemrës së Shenjtë të Krishtit në kishën e Vitisë. Do të jetë kjo kishë një vendtakim i besimtarëve tanë për t’u edukuar në shkollën e Zemrës së Krishtit, që është zemër butë e përvujtë.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në homelinë e tij drejtuar meshtarëve dhe besimtarëve të shumtë e theksoi qëllimin e kremtimit të kësaj festë liturgjike, që është dashuria e jonë e flaktë për ta dashur dhe për t’i përngjarë kësaj Zemre hyjnore, që secili prej nesh të ketë Zemrën e Krishtit. Besimtari duke u bërë zemra e Krishtit, do të mund të jetojë, ta dëshmojë e ta dhurojë, e mbi të gjitha t’i duaj njerëzit. Krishti nëpërmjet zemrave tona dëshiron me e dashtë njeriun, njerëzit, botën, sepse “Krishti nuk ka zemër tjetër përveç zemrës sonë”.

Ipeshkvi u ndaj edhe në dëshminë e të krishterëve shqiptarë që në të kaluarën e kanë patur një përshpirtëri të fuqishme ndaj kësaj feste. Të parët e këtyre bashkësive të krishtera, kanë dëshmuar këtë përkatësi, ndershmëri, ndonëse të varfër e të diskriminuar nga sisteme të ndryshe. Ata e dëshmuan, në shtegtim, në lutje, në dëshmi të përditshme se përkushtimi ndaj kësaj Zemre hyjnore është fuqia e qëndresës në të mirën, dashuria ndaj vendit dhe kuptimi i sakrificës për familjen. Shembuj të këtillë janë thesar i paçmueshëm për gjeneratën tonë të re, që shpesh has në vështirësi karshi këtyre vlerave. Sot, të parët tanë të kushtuar Zemrës së Krishtit, na mësojnë si me kanë të krishterë me zemër të ndershme, me besu me zemër dhe me e kriju një shoqëri sipas Zemrës së Krishtit. Janë shembull, theksoi ipeshkvi, që ndihmojnë për t’i përballur tundimet e kohës sonë, që shpesh bahen ngashënjim për një jetë inerte, pa zemër, por vetëm sipërfaqësi e dukje. Sot, është një ditë e meditimit dhe e lutjes së Krishtit për ta na bërë të ngjashëm me Të, që të arrijmë misionin tonë të krishterë – me dashtë dhe me jetu si Krishti, sepse ashtu e bëjmë të pranishëm dashurinë e tij ndaj nesh dhe ndaj të gjithë atyre që kanë nevojë për zemrën e Zotit.

Mesha e shenjtë ishte e animuar me muzikë të bukur kishtare të korit të Famullisë së Binçës, kurse për të gjithë ata që nuk kanë mundur të jenë të pranishëm, Radio Maria e Kosovës e ka transmetuar drejtpërdrejt në valët e saja dhe përmes internetit. Jezu Krishtit, zemër butë e i përvujtë, bëj që zemra jonë t’i përngjajë zemrës sate!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »