Dashuria, qëllimi origjinal i ligjit

Jun 13 • Meditimi i ditës

13 qershor 2018 – E mërkurë, Shën Antoni i Padovës, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 18,20-39; ps 15; Mt 5,17-19)

 

Prania e Hyjit

Zoti është me mua. Edhe më shumë: Zoti është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.

Një çast pushoj në praninë jetëdhënëse të Hyjit

në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të zgjedh.

Më ndihmo që të zgjedh që të mund të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

Ata në burg, ata që nuk janë të lirë publikisht ta shprehin fenë e tyre.

Më udhëhiq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha gjërat që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso sesi të koncentrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Që ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë nevojitet të jem i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu të dëgjoj që të marrë vesh çka dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj/dëgjoj tekstin e Shkrimit Shenjt, pastaj do të vërej çka po ngjan në zemrën time…

 

Mt 5, 17-19

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:

17 “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej. 18 Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha.

19 Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Një nga pyetjet kryesore me të cilat duhet të përballet ungjilli është marrëdhënia midis Besëlidhjes së Vjetër dhe risisë që sjell Jezusi. Këtu Jezusi këmbëngul në vazhdimësinë mes ligjit dhe vetes. Duke pohuar faktin se ai e përsos ligjin, ai pretendon të ketë fuqi të posaçme, fuqi hyjnore. Ky është dallimi i vërtetë: Jezusi është Hyj.
  • Ngjarjae Shndërrimit na tregon se Jezusi e respekton ligjin dhe historinë e madhe të Izraelit. Ai vendos për ta prurë ligjin te qëllimi i tij origjinal, për të përmbushur atë, duke treguar se është një ligjdashurie. Ai e bazon atë në të kaluarën, e transformon atë dhe e çon në përkryerje.
  • Përsosja që Jezusi sjell në ligj është në frymë/shpirt, jo në respektimin e rregulloreve apo dispozitave individuale. Dashuria e plotëson ligjin, kështu dashuria bëhet urdhërimi më i madh. Në frymën e lirisë dhe të dashurisë ne bëhemi fëmijë të lirë të Hyjit.
  • Roli primar i një profeti ishte për të mësuar –duke ua përkujtuar njerëzve mesazhin e Zotit dhe duke i thirrur ata të kthehen kur devijonin. Parashikimi i të ardhmes nuk ishte funksioni i tyre kryesor. Jezusi është Profeti i madh që i jep kuptim dhe jetë rregulloreve. Kur lutem në bazë të Ungjillit, Jezusi është i pranishëm, duke më ndihmuar ta shoh mënyrën më të mirë sesi të eci përpara.

I lejoj Zotit që t`i “lexojë” dëshirat e thella të zemrës sime që shkojnë përtej fjalëve të mia.

E lexoj, e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot edhe një herë.

Lexoj, dëgjoj me vëmendje

dhe vërej fjalën apo ngjarjen që më flet personalisht.

I lejoj shpirtit të pushojë në ndonjë pjesë të tij.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.
E pyes veten se cila është mënyra ime se si e plotësoj ligjin dhe si i mësoj të tjerët. E lus Atin tim të m`i falë momentet e mosplotësimit të ligjit – kur nuk kam dashuruar. I lutem që ai të ma japë Frymën e Tij të Dashurisë – dashurisë që pranon gjithçka, duron gjithçka, kërkon falje, shpreson gjithmonë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi në bazë të Shkrimit Shenjt.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »