Besnikëria dhe respekti reciprok, baza e martesës

Jun 15 • Meditimi i ditës

15 qershor 2018 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 19,9a.11-16; Ps 26; Mt 5,27-32)

 

Prania e Hyjit

Mendoj një moment për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua.
Krijuesi i gjithësisë, diellit dhe hënës, tokës,
i çdo molekule dhe atomi, i çdo gjëje që ekziston, që është:
Hyji është në çdo rrahje të zemrës sime. Ai është në mua, tani.

 

Liria

Edhe sot në fillim të këtij meditimi kërkoje heshtjen – dhe ji i/e qetë vetëm për një moment të ndërgjegjshëm.

Tërhiqu nga zhurma që të rrethon përjashta.

Dhe provo ta çaktivizosh zhurmën e brendshme që është brenda teje.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Fjala e Zotit vjen te ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që t`u përgjigjem nxitjeve të ungjillit.
Që t`i dua të afërmit si vetveten.
Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Mt 5, 27-32

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:

27 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Mos e the kurorën!’ 28 E unë po ju them: kushdo që me dëshirim e shikon një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të. 29 Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre e flake larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. 30 E nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh një gjymtyrë se i tërë trupi yt të hidhet në ferr.”

31 “Qe thënë edhe: ‘Kush e ndan gruan e vet, le t’ia japë letrën e ndarjes.’ 32 E unë po ju them: kushdo e ndan gruan e vet ‑ përveçse në rastin e fëlligështisë ‑ e bën atë të thyejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, then kurorën.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Shoqëria e asaj kohe ishte e fokusuar fuqimisht në ligj. Por Jezusi thotë se besnikëria reciproke dhe respekti i madh duhet t`i cilësojnë marrëdhëniet tona.
  • Mëkati qëndron në përkeqësimin e këtyre marrëdhënieve. Ideale do të ishte që marrëdhënia martesore të pasqyrojë besnikërinë dhe dashurinë e vazhdueshme të Hyjit ndaj nesh. A mund të ndihmojë në ndonjë mënyrë për të konsoliduar të paktën një martesë – timen ose të dikujt tjetër?
  • Lutja e arrin qendrën e fesë, kurse feja nevojitet ta përshkojë zemrën. Sjellja e mirë nuk mjafton, sepse dikush mund të gabojë edhe në zemër. Lutja i pastron veprat, kurse veprat e mira shpien në lutje. Lutja, si dhe biseda e dobishme shpirtërore, mund të na ndihmojë në rritje dhe pjekuri, si dhe në kthim.

 

I lejoj Zotit që t`i “lexojë” dëshirat e thella të zemrës sime që shkojnë përtej fjalëve të mia.

E lexoje, e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe një herë, dhe shoh se çka po ngjan në zemrën time.

 

Bashkëbisedimi

Ç` ndodhë në mua kur lutem?

A jam i ngushëlluar, i shqetësuar, apo indiferent?

E paramendoj Jezusin duke ndenjur apo është ulur pranë meje

dhe ia paraqes të gjitha çfarë jam duke ndjerë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi të Shkrimit Shenjt.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »