Fara e vogël që mund ta ndryshon botën!

Jun 15 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XI gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   Ez 17, 22-24

Nga dinastia e Davidit janë eliminuar në mënyrë tragjike pasardhësit e fundit. Me këtë Hyji nuk mohon besëlidhjen e tij, por vendos të ripërtërijë gjithçka. Dega më e brishtë e cedrit të vjetër (Izraeli), mbjellë nga Hyji me dashuri, do të prodhojë një pemë të re. Një degë e tillë do të jetë Jezusi i Nazaretit. Me të do të zhduket ëndrra e madhështisë së Izraelit të vjetër e do të lindë një Kishë e përvuajtur, që do të bashkojë të vegjlit dhe të varfrit.

 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

Kështu thotë Zoti Hyj: “Edhe unë do ta marr prej majës së cedrit të madh prej majës së gemave të tij do ta këpus një gemëz e do ta mbëltoj mbi një mal të lartë e të madhërishëm. Do ta mbëltoj në mal të lartë të Izraelit: do të shpërthejë në pinjollë e do të bëjë fruta: cedër do të jetë i madhërueshëm. Nën të do të banojnë të gjithë shpendët, çdo shpend nën hijen e gemave të tij çerdhen do ta bëjë. Të gjitha lëndët e fushës do ta dinë se unë jam Zoti që e zvogëlon lëndën e madhe dhe e lartëson të voglën, e thaj lëndën e njomë dhe e bëj të bulëzojë të thatën. Unë Zoti thashë dhe do të bëj ashtu.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi   92

Ref: Bëj të rritet në ne, o Zot, fara e fjalës sate

—————————————————-

Është punë e mirë të shpallim dashurinë

në mëngjes e gjatë natës besnikërinë tënde,

se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua,

kënaqem për veprat e duarve të tua.

——————————————–

I drejti lulëzon si palma,

rritet porsi cedri i Libanit.

Të mbjellë në shtëpinë e Jakobit

lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.

—————————————–

Japin fruta edhe në pleqëri,

janë të kërthndeztë e plot shëndet,

për të shpallur se Zoti është i drejtë:

Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!

——————————————-

 

Leximi i dytë   2 Kor 5, 6-10

Pas persekutimit e dështimit, Pali është i lodhur për të luftuar, e ëndërron pushimin përfundimtar. Do të ishte më e thjeshtë të vdiste, sidomos kur është i sigurt që të vdesë domethënë të jetojë përgjithmonë me Krishtin. Por kupton se Krishti e thërret për të jetuar e për të vazhduar luftën për të marrë shpërblimin për të mirën e kryer.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, jemi gjithmonë plot shpresë edhe pse e dimë se deri sa të banojmë në këtë trup, jemi të mërguar, larg Zotit; sepse jetojmë në fe e jo në pamje të Zotit. Për këtë arsye edhe jemi plot shpresë e më fort dëshirojmë ta lëshojmë banesën e këtij trupi për të banuar te Zoti. Prandaj, edhe mundohemi me gjithë shpirt t’i pëlqejmë Zotit, qoftë duke qëndruar në banesën tone, qoftë edhe duke e lëshuar atë, sepse të gjithëve na duhet të dalim në gjyq para Krishtit, që secili të marrë shpërblimin për veprat që ka bërë gjatë jetës së vet në trup, qoftë për të mira, qoftë për të këqija. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Hape, o Zot, zemrën tone, që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Mk 4, 26-34

Mbretëria e Hyjit shpesh përparon aty ku nuk kemi punuar e ne mendonim se nuk mund të lulëzonte asgjë. Fjala e Hyjit është gjithmonë në veprim në mënyrë të fuqishme e krijuese. Hyji na beson këtë fjalë si një farë të vogël: nëse e lëmë të rritet është e aftë të shndërrojë botën. Nuk është dëshira jonë e fuqisë dhe e suksesit që bën të triumfojë ungjilli, por më tepër varfëria dhe dobësia jonë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e qet farën në dhe. Si të flejë si të rrijë zgjuar, natë e ditë, fara mbin, rritet, pa ditur ai sesi. Toka vetvetiu qet bimën; më parë kërcellin, pastaj kallirin, e në fund kallirin plot kokrra. E posa fryti piqet, i vë draprin, sepse është koha e korrjes.” Dhe thoshte: “Me çka ta krahasojmë Mbretërinë e Hyjit? Ose me çfarë krahasimi ta paraqesim? Ajo i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra kur qitet në dhe; por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet: lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.” Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte fjalën, ashtu si ishin të zotët ta kuptojnë; por pa shëmbëlltyra atyre nuk u fliste asgjë, kurse nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjitha. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Nëse njeriu përballë madhështisë së funksionimit të natyrës është me të vërtetë shumë i vogël, aq më i vogël është përballë fuqisë hyjnore të mbretërisë së Hyjit.

Dy shëmbëlltyrat na flasin për rritjen e farës dhe për shpërpjestimin që ekziston mes fillimit dhe mbarimit. Ka shpërpjestim mes veprimeve të bujkut, që mbjell dhe korr, e të farës që mbin, rritet, prodhon kallirin e grurit. Në shëmbëlltyrën e dytë kemi një shpërpjestim mes fillimit të kokrrës së sinapit, (më të voglës), e fundit (një pemë e madhe).

Mbretëria e Hyjit është porsi njeriu që e qet farën në dhe”.  Shëmbëlltyra nxjerr në dritë dy aspekte: që duhet kohë që të ndodhë diçka, dhe që ti mund të bësh vetëm pjesën tënde. Të gjitha gjërat kanë nevojë për një kohë pjekurie: dashuria, besimi, liria kanë nevojë për një kohë formimi para se të shihen frytet. Ti mund të bësh shumë por jo gjithçka. Mund të bësh atë që të takon ty, por jo pjesën e të tjerëve.

Mbretëria e Hyjit “i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra”. Mbretëria e Hyjit mund të përhapet si sinapi, që rritet kudo, në vendet më të vështira. Mbretëria e Hyjit është kështu: e vogël apo e madhe, por nuk tërheq vëmendje. Mbretëria e Hyjit nuk është spektakolare: mund të infektojë gjithçka, por mund të mos shihet. Apostujt kanë infektuar botën me Jezusin. Ishte diçka e vogël, që nuk binte në sy, por e fuqishme. Edhe jeta jonë mund të jetë një farë e vogël që na udhëheq drejt realiteteve të mëdha!

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Hyji mbjell e bën të rritet Mbretëria e tij në botë. T’i kërkojmë Mbjellësit të mirë të na marrë të punojmë në fushën e botës me bujarinë dhe pasionin e tij. Të lutemi së bashku duke thënë:

Rrite besimin tonë, o Zot.

L. O Zot Jezus, që na mëson të mbjellim Fjalën me besim e durim, bëj që Kisha jote të mos e humbë guximin kur ndjen lodhjen për të shpallur ungjillin, e të tërheqë prej Teje forcën për ta dëshmuar. Të lutemi.

L. O Zot Jezus, që mbështet atë që u shpall fjalë tënde njerëzve, shoqëroji me hirin tënd ata që edhe në kohën tonë vihen në shërbim të Ungjillit e të bashkësisë. Të lutemi.

L. O Zot Jezus, që u ke shpallur Mbretërinë e Hyjit të gjithëve, bëj që asnjëri nga bijtë e tu të mos përjashtohet nga gëzimi për të njohur, dashur e ndjekur Hyjin e dashurisë. Të lutemi.

L. O Zot Jezus, që flet për Mbretërinë e Hyjit në mënyrë që të gjithë të mund ta njohin dhe ta duan, na mëso të presim me durim kohën tënde e të punojmë me përvujtëri me ndërtimin e saj. Të lutemi.

L. O Zot Jezus, që dhuron Shpirtin për të bërë të frytshëm shërbimin tonë, vendos brenda nesh hirin e tij, që të angazhohemi bujarisht në ripërtëritjen e Kishës dhe të shoqërisë. Të lutemi.

M. Hyj i amshuar dhe i mirë, që nga varfëria e gjërave më të përvuajtura, di të tërheqësh gjëra të mrekullueshme, dhuroji Kishës sate një besim gjithnjë e më të madh, për të ndërtuar Mbretërinë tënde mbi tokë. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »