Ekzorcizmi mes kuptimit dhe keqkuptimit (I)

Jun 16 • INTERVISTË

Të dashur lexues, në këtë intervistë, që është e para prej dhjetë sosh, do të lexoni dhe do të informoheni mbi praninë e Djallit (burimit të çdo së keqeje), mbi ekzorcizmin (lutjen e veçantë kishtare për lirimin e të poseduarit nga Djalli) dhe mbi ekzorcistin (personin apo më mirë të themi meshtarin ose ipeshkvin që bën lutjen zyrtare të ekzorcizmit).

Sot, pasi që flitet shumë për sekte satanike, për okultizëm (për atë që nuk është e dukshme dhe e perceptueshme për mendjen e njeriut, prandaj edhe nuk është e qartë, por sekrete dhe misterioze: fuqi apo motivacion), për magji si dhe për fenomene tjera të ngjashme me këto, e konsideroj të nevojshme që të qartësohet ideja se çka duhet bërë, si duhet vepruar, si duhet ballafaquar fenomenet e tilla dhe, ç’është më e rëndësishme, se duhet kuptuar saktësisht kush është Djalli dhe çka domethënë prania dhe veprimet e tija në botë dhe në vetë njeriun.

Horizonti i të gjitha këtyre pyetjeve dhe përgjigjeve që do të takoni në këtë intervistë të dhënë nga ekzorcisti numër një i Kishës katolike, i cili vdiq para dy vitesh në Romë, është ai i krishterë, pra, bindja se i Keqi nuk e ka fjalën e fundit, pikërisht për faktin se Jezusi e ka mundur atë me vdekjen dhe me ringjalljen e Tij. Kështu që, qëllimi i përkthimit të kësaj interviste është, që të ndihmohen njerëzit, të kuptojnë diçka më shumë në lidhje me këto tematika dhe fenomene të mistershme, por, fatkeqësisht, edhe shumë të pranishme dhe jashtëzakonisht të dëmshme për jetën e njeriut, për familjet dhe shoqërinë në përgjithësi.

 

Hyji e ka krijuar botën dhe engjëjt. Pse atëherë ka lejuar ekzistencën e Djallit dhe pse i krijoi njerëzit?

Hyji është i lumtur në vetvete, i vetëmjaftueshëm me një dinamizëm që është dhënë nga dashuria që kalon ndërmjet Personave hyjnor. Hyji ka dashur ta komunikojë dashurinë e tij, duke krijuar atë që ne e quajmë botë e jashtme, engjëjt, njerëzit dhe gjithë botën e krijuar. E tëra kjo është objekt i dashurisë së Hyjit, më qëllim që ta zgjerojë dashurinë e tij edhe ndajë krijesave tjera.

 

Adami dhe Eva mëkatuan dhe bënë mëkatin e parë. Kur njeriu e bën të keqen, kush është fajtor: Adami, Eva, apo njeriu, sepse ndoshta nga momenti që Hyji e ka krijuar njeriun ishte e pa evitueshme që njeriu të mos mëkatojë, sepse e ka krijuar mëkatar?

Jo, Hyji nuk e krijoi njeriun mëkatar, por e ka krijuar njeriun të lirë, sikurse i ka krijuar engjëjt të lirë. Ai e krijoi shpirtin e pastër të lirë, ia dha dhuratën e lirisë, dhuratën më të madhe dhe më të çmueshme që do të mund t’ia jepte. Natyrisht, dikush me liri mund të bëjë përdorim të mirë, apo të keq. Është përdorimi i keq i lirisë që i ka krijuar të këqijat që ndodhen në botë.

 

Kur njeriu bën një gabim, mëkat, dhunë apo krim, pse Hyji nuk e ndëshkon menjëherë dhe nuk e eliminon nga faqja e dheut?

Sepse kështu do ta eliminonte lirinë. Hyji na ka krijuar të lirë, pastaj i bën llogaritë në fund, por aty për aty nuk intervenon, sepse do ta bllokonte lirinë tonë. Ja pse ndodhin vrasjet. Në këtë moment jam duke menduar në një mik të dashur që kisha, Vittorio Barlè. Kur mendojmë në vrasjen e një njeriu kaq të drejtë dhe kaq të mirë dhe në shumë viktima të padrejtësisë, pyesim: pse Hyji nuk ka intervenuar? Përgjigja është, sepse Hyji nuk intervenoi as për ta shpëtuar Shën Gjon Pagëzuesin, kur e arrestuan dhe kur ia prenë kokën. Nuk intervenoi, por pastaj bëri prej tij një martir të madh, njeriun më i madh që ka lindur nga gruaja. Por aty për aty nuk intervenoi.

 

Pra, në njëfarë mënyre bashkëjetojnë e mira dhe e keqja, personat e mirë dhe të këqij, pak a shumë si gruri dhe egjra, sikur shëmbëlltyra për të cilën na fletë Ungjilli?

Ekzaktë, shëmbëlltyra e grurit dhe egjrës është ajo që më së miri e shpjegon dhe na ndihmon të kuptojmë sesi e mira dhe e keqja jetojnë dhe rritën së bashku deri në kohën e korrjes.

 

Por, më lejoni të shtoj, sepse në këtë pikë lind një tjetër vështirësi. Nëse ne flasim për një Zot që duhet të jetë i drejtë, i cili duhet ta ndëshkojë fajtorin, kjo a nuk e kundërshton paksa atë që na predikohet mbi Hyjin që është mirësi, i mëshirshëm?

Nuk duhet të harrojmë së mëshira dhe drejtësia bashkëjetojnë dhe janë të varura njëra nga tjetra. Edhe drejtësia është një virtyt, ashtu sikurse është mëshira, pra, bashkëjetojnë dhe e plotësojnë njëra-tjetrën. Hyji nuk do të ishte i mëshirshëm, po mos të ishte edhe i drejtë, e nuk do të ishte i drejtë, po mos të ishte i mëshirshëm.

 

Por, ndoshta gjatë historisë, gjatë shekujve, është theksuar më tepër drejtësia e Hyjit sesa mëshira. Një Hyj shumë ndëshkues, shumë i rreptë e nganjëherë edhe i dhunshëm.

Po, nganjëherë është paraqitur një Hyj shumë hakmarrës dhe ndëshkues, por sot, do të thosha, teprohet në anën tjetër. Teprohet mbi mëshirën e Hyjit deri në atë pikë, saqë mohohet drejtësia e tij, pra, mohohet ekzistenca e ndëshkimeve që Hyji jep atyre që i kanë merituar.

 

Por këtu fillon problemi tjetër: nëse Hyji është i mirë, nëse është i mëshirshëm e dëshiron shpëtimin e të gjithëve. Pra, duke qëndruar nga ana e Hyjit, ferri do të duhej të ishte i zbrazur?

Ta themi qartë: Hyji i ka krijuar vetëm gjërat e mira, vetëm gjërat e shëndosha dhe vetëm gjërat e bukura. Pra, në planet e Hyjin nuk ekzistonte as e keqja, as sëmundja, as vuajtja, as mundi, e aq më pak ferri. Në këtë pikë dëshiroj t’iu tregoj një episod: Kur atë Kandidi ishte duke e dëbuar një Djall nga një person i poseduar, me ironinë e tij i thoshte: “largohu, largohu Djall. Hyji e ka krijuar për ty një shtëpizë të nxehtë, ku nuk do ta vuash të ftohtin”. Pas pak Djalli iu është përgjigjur: “Ti nuk di asgjë”. Kur Djalli del me këto qëndrime, domethënë se Hyji i urdhëron ta thotë një të vërtetë. Nuk e ka krijuar Hyji ferrin, kemi qenë ne që e kemi krijuar atë. Ai as që e kishte menduar, sepse nuk ishte në planet e Hyjit ekzistenca e ferrit. Dhe unë kur i kam pyetur djajtë: “Edhe ju keni kontribuuar në krijimin e ferrit”; gjithmonë më kanë përgjigjur: “Të gjithë ne kemi kontribuuar!” Ferri nuk është krijuar nga Hyji dhe ai që do të shkojë në të, nuk shkon sepse e qon Hyji, por shkon vetë me këmbët e veta.

 

Pra, ferri në njëfarë mënyre është pasojë e lirisë së njeriut?

Ekzakt, është pasojë e lirisë së keqpërdorur, e abuzimit të lirisë së përdorur kundër Hyjit, kundër dispozitave të Hyjit, kundër ligjit të Hyjit. Është një rebelim ndaj Hyjit, për çka ndëshkohet në mënyrë që ta ndajë përfundimisht nga Hyji.

 

Sipas jush, ferri a është i zbrazët apo i mbushur?

Për fat të keq, ferri është i mbushur. Të gjitha vizionet që kanë pasur shenjtërit mbi ferrin, janë vizione që shohin shpirtrat duke rënë në ferr. Mjafton të shikojmë përreth, për të parë sesa poshtërsi, pabesi dhe tradhti ekziston në njeriun, apo në disa njerëz. Për shembull, të mendojmë sektet satanike, të mendojmë njerëzit e poseduar nga djalli dhe që iu kanë kushtuar atij. Ata nuk mund t’i imagjinojmë ndryshe, përpos në ferr.

 

Në këtë rast purgatori çka është?

Purgatori është një zbulim i mëshirës hyjnore për t’ia dhënë mundësinë atyre shpirtrave që kanë vdekur në hir të Zotit, pra, jo në mëkat mortar, por që prapë nuk e kanë plotësuar mbi tokë pastrimin e tyre të plotë, për çka nuk mund të hyjnë në parajsë. Ja, pra, Hyji iu dha atyre këtë mundësi, që ta plotësojnë në jetën tjetër pastrimin. Pra, purgatori është një akt i mëshirës së Hyjit, i cili ua dha njerëzve këtë mundësi që ta kompletojnë pastrimin në jetën tjetër.

 

Imagjinoj që purgatori të jetë përplot, sepse nëse shikojmë mirë, të gjithë kemi nevojë të pastrohemi, apo jo?

Po, është e vërtetë. Nuk mund të harroj njërën ndër shprehjet e Zojës së Megjugores që unë i besoj, e cila thoshte: “Njerëzit kur vdesin, nuk e kanë shpirtin e gatshëm, nuk janë të përgatitur, pra, janë pak ata shpirtra që shkojnë drejtpërdrejtë në parajsë”. Për fat të keq, shumë kanë nevojë për këtë kalim nëpër purgator, ku vuajtjet janë të mëdha, pra, është një gjë e madhe dhe e shenjtë të lutesh për shpirtrat e purgatorit.

 

Cila është diferenca mes ferrit dhe purgatorit?

Diferenca është shumë e qartë, sepse shpirtrat e purgatorit i quajmë: shpirtrat e shenjt të purgatorit, pra, janë në hir të Zotit, e kanë sigurinë e parajsës, e kanë sigurinë e shëlbimit, ndërsa të dënuarit për ferr janë të dëshpëruarit, për të cilët nuk ekziston më asnjë mundësi shëlbimi apo shpëtimi.

 

(Pyetjet: Don Giusto Truglia. Përgjigjet: Don Gabriele Amorth. Përktheu dhe përshtati në gjuhën shqipe: Don Anton Uka)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »