E kemi për detyrë të bashkëpunojmë me dhuratat e Zotit

Jun 17 • Meditimi i ditës

17 qershor 2018 – E diela 11-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 17,22-24; Ps 91; 2 Kor 5, 6-10; Mk 4, 26-34)

 

Prania e Hyjit

Kur jam i grishur të rri me shokun,
mezi e pres këtë dhe e ndiej veten se po më bëhet nder.
Kur më grish Hyji që ta kaloj një kohë në praninë e tij,
Ai dëshiron që ta njoh dhe ta ndiej dashurinë e tij.
Me besim dhe shpresë ia çeli mendjen dhe zemrën Hyjit,
dhe lutem që të më ndihmojë që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për dashurinë dhe praninë e tij.

 

Liria

Shumë vetë në këtë moment janë duke pësuar tmerret e luftës.
E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë time
dhe lutem për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, ç`po ndiej sot në vetvete?
A jam ndoshta i/e lodhur, kam stres apo jam jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i largoj këto brenga që po më shqetësojnë?

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për të zbuluar çka po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo, dëgjo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Mk 4, 26-34

 

26 Jezusi vazhdoi:

“Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e hedh farën në dhe. 27 Si të flejë si të rrijë zgjuar natë e ditë, fara mbin, rritet ‑ pa ditur ai se si. 28 Toka vetvetiu qet bimën; më parë kërcyllin, pastaj kallirin e në fund kallirin plot kokrra. 29 E posa fryti piqet, i vë draprin, sepse është koha e korrjes.”

30 Dhe thoshte:

“Me çka ta krahasojmë Mbretërinë e Hyjit? Ose me çfarë krahasimi ta paraqesim? 31 Ajo i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra kur hidhet në dhe; 32 por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet; lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.”

33 Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte Fjalën, ashtu si ishin të zotët ta kuptojnë; 34 por pa shëmbëlltyra atyre nuk u fliste asgjë, kurse nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjitha.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

  • Jezusi erdhi për të vendosur Mbretërinë e Hyjit, por ai kurrë nuk e përkufizoi atë. Në vend të kësaj, ai fliste mbi të me shëmbëlltyra duke na ftuar për të përdorur imagjinatën tonë për të kuptuar kuptimin e saj.
  • Këto dy “krahasime mbi farën” tërheqin vëmendjen për natyrën e fshehur dhe misterioze të Mbretërisë. Ajo rritet me një fuqi më të madhe sesa është e jona, dhe pjellshmëria e saj është përtej pritjeve tona.
  • A shoh shenja të kësaj Mbretërie në jetën time dhe të Kishës sot? Madje në botën e sotme?
  • Ne mund ta marrim veten tonë shumë seriozisht dhe të punojmë sikur gjithçka varet nga ne, ose të shkojmë në tjetrin ekstrem dhe të mendojmë se mund të kontribuojmë shumë pak. Ne jemi të thirrur përtej këtyre ekstremeve t`i kushtojmë vëmendjen dhuratës së Zotit dhe rritjes së qetë të Mbretërisë nga fillime të papërfillshme. Ndryshimi vjen ngadalë, por jep frytin në kohën e duhur. Ajo mbart në vetvete mësimin e besimit dhe përvujtërisë. Atmosfera dhe kushtet janë të rëndësishme. Ne e kemi për detyrë të bashkëpunojmë me dhuratate Zotit.
  • Detyra jonë në jetë është për të mbjellë farat dhe për të mos u preokupuar me prodhimin e të korrave. Fara që na është dhënë, është fjala e Zotit, e cila shërben për të sjellë Mbretërinë e drejtësisë, dashurisë dhe paqes. Kësaj arritjeje edhe ne duhet t`i japim një kontribut, edhe pse na duket i vogël. Duhet të fillojmë diku, ndoshta me një nismë të vogël.

 

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe njëherë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.

 

Bashkëbisedimi

Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë

që edhe më shumë të kërkoj.

Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të meditimit të Shkrimit Shenjt.

At ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »