Mos merr hak!

Jun 18 • Meditimi i ditës

18 qershor 2018 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 21, 1-16; Ps 5; Mt 5,38-42)

 

Prania e Hyjit
Ndalem e pushoj një moment

dhe e marr me mend dashurinë dhe hirin që Hyji e ndikon mbi mua:

jam i/e krijuar në imazhin dhe përngjasimin e Hyjit; jam vend-banimi i Hyjit…

 

Liria
Lutem për hirin e shenjtë

që t`i harroj të gjitha shqetësimet vetjake,

që të jem i/e hapur se çka po kërkon Hyji prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Kurse tani mendimet e mia po i lartësoj kah ti, o Zot.

Po i lë anash të gjitha brengat dhe interesimet e mia

dhe po kërkoj pushim e këndellje në afërsinë tënde.

 

Fjala
I jap vetes kohë që ta lexoj fjalën e Zotit me vëmendje,

dhe ndalem në atë fjalë a ngjarje që më prek, që më flet personalisht.

 

Mt 5, 38-42

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:

38 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Syrin për sy e dhëmbin për dhëmb’. 39 Unë po ju them: Mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën. 40 Atij që do të të qesë në gjyq për të të marrë këmishën, jepja edhe pallton.41 E nëse ndokush të shtrëngon të ecësh me të një milje, ti bëji dy; 42 atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Natyra radikale e mësimeve të Jezusit na detyron që të angazhohemi në mënyrë pozitive ndaj të gjithë atyre që i takojmë. Qërimi i hesapeve të vjetra dobëson të dyja anët. Në vend të kësaj Jezusi është bujar kur njerëzit i bëjnë kërkesa të pandershme. Ai thjeshtë i do të gjithë.
  • Për Hebrenjtë ligji ishte një përpjekje për të zbutur hakun: Dënimi duhet të korrespondojë me krimin e kryer, dhe mos ta tejkalojë atë. Por Jezusi shkoi përtej normave të pranuara. Ai e transformoi ligjin dhe e solli atë në një nivel të ri.Dishepujve të frikësuar u thotë: “Mos merrni hak, mos u kacafytni, shkoni përtej asaj që kërkohet.” Për këtë kërkohet një shpirt i madh zemërgjerësie, dhe Jezusi na jep shembull.
  • Ne jemi të thirrur për të qenë zemërgjerë, sepse duam të jemi si Jezusi, i cili “duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij.” (2 Korintasve 8,9). Kur jemi të varfër nuk mund të bëjmë asgjë pos t`i lejojmë hirit të Zotit në ne që vazhdimisht të rrjedhë në drejtim të të tjerëve.
  • Nga sot e tutje do të përpiqem që mos t`iu kthehem ofendimeve dhe lëndimeve. Në këtë mënyrë, do t`i përngjaj të paktën pak më shumë Zotit.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe njëherë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.

 

Bashkëbisedimi
Cilat ndjenja janë duke u zgjuar në mua

ndërsa jam duke lutur dhe medituar Fjalën e Zotit?

E paramendoj Jezusin se si qëndron apo rri ulur pranë meje

dhe ia çeli zemrën.

Njerëz të mirë, lutuni për të mërziturit dhe të dëshpëruarit, ata që ndihen të vetmuar dhe të lënë prej të gjithëve, të cilët nuk shohin dalje, ndërsa në lutje janë të dobët.

Që Hyji t`u japë fuqi, që t`ua tregojë rrugën.

Që t`ua kthejë buzëqeshjen dhe fenë që të mund të dëshmojnë për dashurinë e Tij.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për këto pak momente që i kalova vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »