Imzot Dodë Gjergji pret në vizitë pasardhësen e Shën Nënë Terezës

Jun 19 • Kisha në Kosovë

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji ka pritur në vizitë pasardhësen e Shën Nënë Terezës, Motër Mary Prema Pierich, M.C., të dielën e kaluar (17 qershor), me përcjellëset e saja.

Në fillim të vizitës Motra Prema shprehi dëshirën të vizitojë Shenjtëroren e kushtuar Shën Nënë Terezës, e cila është shuguruar vitin e kaluar dhe që ka reliktin e gjakut të Nënë Terezës. Pasi u lutën dhe kënduan këngë së bashku për nder të shenjtës, ipeshkvi i shoqëroj motrat nëpër shenjtërore duke ua shpjeguar qëllimin, stilin, artin dhe jetën që bëhet në këtë shenjtërore kushtuar themelues së Motrave të Dashurisë.

Takimi vazhdoj në Rezidencën e Ipeshkvit, ku ishin të pranishëm edhe argjipeshkvi i Tivarit në pension, Imzot Zef Gashi dhe famullitari i Prishtinës, Don Fatmir Koliqi. Për një orë sa zgjati takimi, ipeshkvi rikujtojë me plotë përkujtime takimin e tij me Motrën Gjenerale në Kalkuta të Indisë, gjatë shtegtimit të vitit të kaluar, duke e falënderuar për mikpritjen e ngrohtë dhe të paharruar. Motra u njoftua shkurtimisht për jetën e Kishës në Kosovë, veprën baritore në Shenjtëroren e Shën Nënë Terezës në Prishtinë, shërbimin për të varfërit përmes Menzës së të varfërve në Ulpianë, e cila tash 11 vjet rresht u ndanë ushqim të nxehtë e veshmbathje nevojtarëve të qytetit tonë.

Motër Prema M.C., Motër Gjenerale e Misionareve të Dashurisë, është pasardhësja e tretë e Nënë Terezës, e cila po qëndron në Kosovë për të vizituar shtëpinë e motrave të saja në Pejë, të cilat shërbejnë për disa dekada të varfërit dhe të sëmurit të vendit tonë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »