Albanopoli – kryeqytet i Albanëve

Jun 20 • Histori, Kulturë, Letërsi

Nga Prof. dr. Engjëll SEDAJ

 

Parahistoria dhe historia e tij

Albanopoli do të ketë ekzistuar shumë më herët[1] për të qenë i shënuar në hartën e këtij gjeografi antik; ai do të jetë ndërtuar dhe do të jetë dalluar për nga madhësia nga qytetet e tjera të provincës romake të Makedonisë (për të qenë i shënuar në hartë) dhe, siç dëshmojnë rezultatet e gërmimeve arkeologjike, ky vendbanim i periudhës së parë të hekurit, i përcaktuar nga arkeologët, si i tipit të Gajtanit, dallohet nga muret e punuara me gurë pak të skalitur, pra, i punuar me një mjeshtëri, e cila i është afruar mjaft teknikës me bloqe kuadratike.[2] Sidoqoftë, në trajtën që jep Ptolemeu, qyteti i albanëve do të jetë themeluar shumë më vonë se të kenë ekzistuar albanët në vendbanime më të vogla, kurse shumë më parë se ta ketë shënuar Ptolemeu në hartën e tij, që do të thotë, nja 100-150 vjet para Ptolemeut.

Për statusin administrativ dhe sistemin e emërtimit të Albanopolit, Ptolemeu nuk jep të dhëna, ngase ai, në aspektin e gjeografit, kishte interesim për pozitën e vendbanimit me tipare fiziografike dhe me shënime të çmueshme hartografike, kështu që nuk ka bërë përcaktime as në statusin e qyteteve të tjera, sado që, ky autor është burimi kryesor për topografinë e Makedonisë në kohën antike. Nuk dihet saktësisht nëse Ptolemeu ka bërë seleksionim në shënimin e qyteteve të Makedonisë, sepse disa qytete nuk i ka shënuar fare,[3] [4] mirëpo renditja e qyteteve është bërë sipas “viseve historike” të tyre, kështu që botëkuptimi i tij i (gr.) polis-it, përkatësisht i (lat.) civitas-it, në kuptim të organizimit të organit vetëqeverisës në një qytet, nuk dihet saktësisht.

Nga vetë emërtimi (polis) mund të mendohet se e ka pasur prytanin (kryetarin e qytetit), përkatësisht magjistratin, që kujdesej për financat dhe (eventualisht) për prerjen e monedhave. Vështruar nga aspekti gjuhësor, ky toponim na paraqitet si fjalë e përbërë, dhe në shiqimin e parë, si të ishte një fjalë latino-greke: Albano-polis, që kërkon zbërthimin e mëtutjeshëm, sidomos të trajtës alban, kurse në aspektin urbanistik, dihet se formimi dhe konsolidimi i qendrave urbane të vendeve “barbare” qysh nga koha helenestike (e Aleksandrit të Madh, lindja dhe zhvillimi i jetës qytetare transformoi rrënjësisht jetën ekonomike me një integrim të konsiderueshëm me grekët. Sidoqoftë, mund të supozohet se ky qytet do të ketë pasur emërtimin e vet si vendbanim (më i vogël) para se të quhet polis, përkatësisht para se ta ketë marrë epitetin e “qytetit”, sepse, siç dihet, edhe në Dardaninë antike kanë ekzistuar vendbanimet më epitet vicus (vicus Titis, vicus Zetidis, vicus Perdica), që do të thotë katund, por këtë histori të tij nuk mund ta ndjekim më tutje në lashtësi për shkak të mungesës së të dhënave (epigrafike). Në këtë mënyrë mund të mendohet se historia e këtij qyteti, deri në kohën kur e ka shënuar Ptolemeu, ka qenë e gjatë, kështu që edhe krahasimi me qytete të tjera në kohën antike është i mundshëm.

 

Krahasimi i Albanopolit me qytete të tjera

Përcaktimi i tij si “qytet”, ose qoftë edhe vetëm fakti se autori shënon këtë qytet si polis, siç do të përmenden më vonë edhe disa qytete të tjera të Ilirisë, siç janë, Skupometropolis, Naepolis, Metropolis Nikopolis, Polyheriupolis, Sardike Metropolis, etj., qytete këto që do të zgjojnë asociacione ose do të identifikohen me qytetet: Shkupi, Kavalla, Preveza, Berati, Sofia,[5] [6] por qoftë ai edhe polisma (d. m. th. qytete të vogla të një ekonomie bujqësore – blegtorale me ndonjë zejtari më të kufizuar),[7] ose i ngjashëm me qytetin Pulcheriopolis, (gr. Polycheriopolis), që edhe gjuhësisht mund të jetë në lidhje semantike me Beratin, si Belgrad, d. m. th. Qytet i Bukur, në juglindje të Apolonisë antike (Pojani i sotëm), tregon se ky dallohej, së paku, sikur poliset greke ose ato ngulitje, që grekët i quanin kësisoj dhe të cilat i kishin themeluar gjithandej në brigjet e Mesdheut dhe më gjerë. Kështu quhej edhe Neapolis – Napoli (në Itali), ku mbizotëronte një ekonomi bujqësore – blegtorale me një zejtari më të kufizuar,[8] dhe ku sado – kudo vendi ishte më i avancuar politikisht.[9] Ç’është e vërteta, polis në afërsi të Albanopolit ka pasur edhe më herët, siç ishte Sesarthos te taulantët që përmend Hekateu qysh në shek. VI para Kr.,[10] kurse Straboni (VII, 327) madje një qytet te deuriopëve edhe e përcakton si (polis) Illyridos dhe po ashtu Syberos, si (polis) Illyridos, që do të thotë qytete ilire, kurse për Bruanion thotë gjithashtu (polis) Thesproton, që do të thotë qyteti i thesprotëve. Nga këto të dhëna mund të mendohet se do të ketë ekzistuar një dallim në mes qyteteve ilire dhe atyre të tjera, së paku në ndonjë pikëpamje, kurse për Albanopolin mbase as nuk ka pasur nevojë të theksohet se është (Illyridos) ilir, ngase atë e ka shënuar “në tokën e albanëve”, që do të thotë se kjo e dhënë është e mjaftueshme.

Në fakt, për disa nga qytetet e Maqedonisë Jugore, siç ishte Hadrianopolis, edhe sot e kësaj dite s’dihet asgjë, kurse për disa qytete të tjera të kësaj province (romake), që veçoheshin me epitetin polis, siç ishte Nikopolis në gjirin e Ambrakis ndër thesprotët, i shënuar edhe te Ptolemeu[11], ose siç ishin Parthikopolis (te Ptolemeu: Paroikopolis), Amphipolis, Alkropolis, ka më tepër të dhëna edhe nga autorë të tjerë antikë.[12] [13] Shumica e këtyre ngulitjeve në brigjet e Mesdheut dhe gjetiu kanë pasur një zhvillim urbanistik më të shënuar, kurse Albanopoli është ruajtur më së miri tërthorazi emrit të tij, i cili do të ketë jetë të gjatë edhe në mesjetë, duke pranuar edhe konotacione krahinore në trajtën e Arbanonit, e cila trajtë gjithësesi ndryshon (vetëm) në etimon nga veriabiliteti i likuidave (1/r). Megjithatë, te Ptolemeu, i cili me kujdes e ka shënuar edhe qytetin Arba (në Dalmaci), pra, me një etimon (Arb-) të mundshëm edhe për Albanopolin, kjo trajtë e përsëritur është mjaft stabile.

Kështu, bie fjala, Ptolemeu vetë shkruan për Albanon-in (mal dhe krahinë në Panoni), për Albonën (Alvona), qytet në Liburni, për Alban-in, kështjellë në Panoni, etj., që tregon një shtrirje mjaft të gjerë të toponimive me etimonin alb. Albanopoli do të ketë qenë mbase një qendër urbane në mesin e shumë qendrave të tjera.

Ptolemeu do të ketë pasur të drejtë që në zonën midis Matit dhe Shkumbinit, vendosi Albanopolin, si qytet më të dalluar, sepse edhe sot (në arkeologji) në atë krahinë nuk “njohim qendër tjetër më të madhe antike sesa Zgërdheshi,” [14] qytet që do të sakralizohet me emrin e Arbanonit mesjetar, përkatësisht me emrin e Krujës së Skënderbeut, e cila në burimet historiografike do të quhet (diocesis) Arbanensis.

Sa i përket emrit të qytetit të Albanopolit në kohën e mëvonshme, duhet thënë se as Prokopi i Cezaresë (500-562), e as autorët e tjerë nuk e përmendin,[15] mirëpo edhe ky shënim i Ptolemeut do të mjafitojë që dijetarët mbi këto baza të shtrojnë çështjen e autoktonisë së shqiptarëve, siç vepron Nikolaus në veprën e tij Mbi autoktoninë e albanëve[16] qysh në shekullin XIX, duke u mbështetur në thesarin epigrafik dhe në rezultatet gjuhësore, kurse nga hulumtimet arkeologjike kuptohet se braktisja e Albanopolit, si kryeqendër e albanëve nis në shek. IV[17] për t’ia lëshuar vendin Krujës, e cila është themeluar në shek. VII dhe me vazhdimin e saj si qendër peshkopale e konstatuar qysh në v. 879 me në krye ipeshkvin David Kroion.[18]

Burimet epigrafike

Burimi epigrafik i Albanopolit antik është dëshmuar, kurse për këtë mbishkrim shkruan edhe B. D. Josifovska,[19] e cila, përveç konstatimit të drejtë se banorët e lashtë ballkanikë në këto treva nuk ishin romanizuar, e as nuk ishin helenizuar plotësisht, e vë në dukje edhe mendimin e Hahnit mbi ubikacionin e Albanopolit, “që mund të identifikohet me Arbanonin,” si të thuash mesjetar. Ky mbishkrim, i zbuluar më 1930 në territorin e kolonisë romake Scupi (Skupi), në katundin Gornje Solnje nga arkeologu Nikola Vuliqi,[20] të cilin mbishkrim po e botojmë këtu në tërësi,[21] me të dhëna topografike, etnografike, gjuhësore, etj., zgjon interesim të shtuar edhe për argumentin tonë.

Siç e ka lexuar edhe B. D. Josifovska

P OSISMES TYLVF. FL.

DELUSMVCA TI.

F.DOM ALBANOP.

IPSADEL VS

Posis Mes / tylu f(ilius) Fl(avius) / Delus Mu / cati f(ilia) dom(o) / Albanop(oli). IpsaDelus.

ku mbase do të ketë pasur një vazhdim, në të cilin do të ketë shkruar: viva p(osuit)[22] sibi et viro suo d. m. th. “për së gjalli e ka ndërtuar për vete dhe për bashkëshortin e vet,”[23] sepse mund të mendohet se Posis dhe Delus do të kenë qenë bashkëshortë, njëri nga Shkupi dhe tjetri nga Albanopoli (e martuar në Shkup), emrat e të cilëve, sipas A. Majerit (Mayer) dhe R. Katiçiqit, janë të burimit ilir,[24] dhe të njohur edhe nga mbishkrimet (në Stuberë) e tjera.[25]

Ky mbishkrim nga përkthimi (Posis Flavi i biri i Mestylit (dhe) Dela, e bija e Mukatit nga vendbanimi i Albanopolit. Vetë Dela) jep edhe të dhëna të tjera, siç janë: statusi i Posis – it  në lidhje me genitilin perandorak Flavius (këtu në abreviaturë),[26] [27] që mund të ndihmojë në përcaktimin e kohës (fillimi i shek. II) së ndërtimit të stelës dhe të mbishkrimit, të civitetit (të Posis-it), pastaj burimësia ilire e të dy patronimeve (Mestylos dhe Mucatus), etj. Këto të dhëna dëshmojnë për karakterin e gjerë territorial ilir të disa qyteteve të provincës romake të Makedonisë, në të cilën ndodhej Albanopoli. Në këtë mënyrë, të dhënat epigrafike do të jenë në shërbim të të dhënave që japin autorët antikë për shtrirjen e albanëve dhe të Albanopolit, kështu që Albanopoli do të shënohet edhe në hartën e Shqipërisë nga viti 1688 (dhe nga viti 1695) dhe jepet pranë Peterlës (fshat afër Tiranës).[28]

 

Ubikacioni i Albanopolit

As të dhëna të sakta për ubikacionin e Albanopolit nga koha antike s’kemi, kështu që dijetarët janë përpjekur të konstatojnë në rrënojat e disa lokaliteteve arkeologjike (të qyteteve) të Shqipërisë.

E. Çabej thotë se teza e Hahnit, i cili Albanopolin e Ptolemeut e lokalizon alternativisht në Zgërdheshin e sotëm, në juglindje të Krujës, paraqitet mjaft bindëse, kështu që edhe L.v. Thalloczy, duke cituar Hahnin, thotë se “ky qytet ka qenë ai i gërmadhave qi gjinden në Skorteshe (sot Zgurdhesh) perfund rranxës perëndimore të malit të Krujës e pranë nji katundi të quejtun Fund Graçe (sllav. Gradicë – kështjell)”.[29] Me sa dihet, tezën e Hahnit e kanë verifikuar rezultatet arkeologjike me një përcaktim më të ngushtë se, siç shkruan S. Islami, “rrënojat e Zgërdheshit gjenden në jugperëndim të Krujës, një orë e gjysmë këmbë larg saj dhe gjysmë ore larg nga fshati Zgërdhesh në vendin e quajtur Kakariq,”[30] [31] [32] me një përcaktim më të ngushtë në terminologji, si një vendbanim: Fushë Krujë.

Dh. S. Shuteriqi përpiqet të vërë lidhjen midis Albanopolit ilir dhe Elbasanit, “pse emri i Elbasanit ka qenë thënë edhe Albasan,” thotë ai, që është gjithsesi në lidhje me ubikacionin e këtij qyteti antik. Kjo hipotezë është shfaqur edhe më parë nga Falmerajeri, i cili mendonte se është në pyetje qyteti El-Bassan (Elbasan), që mund të ketë mbështetje në analogjinë gjuhësore, por mungojnë të dhënat historike (arkeologjike) për të qenë i motivuar për këtë krahasim. Me shpjegimin e emrit të këtij qyteti (Elbasan) nga turqishtja Il-basan, që do të thotë “tokë e pushtuar”, me siguri as krahasimi në mes të këtyre dy emrave nuk do të qëndrojë, kështu që as krahasimi gjuhësor, e as ubikacioni i Albanopolit antik nuk mund të jetë në lidhje me Elbasanin. Siç dihet, Elbasani në kohën antike është quajtur (lat.) Scampis, (greq.) Skampa,[33] kurse te relatorët shqiptarë (dhe të huaj) është shënuar edhe me këto trajta: Albassan, Albessano, Albassanum.[34] Prandaj duhet shikuar prova të tjera më të sigurta rreth ubikacionit të Albanopolit dhe këto prova nuk mungojnë.

S’do mend se çështja e ubikacionit të saktë mund të ndiqet e të trajtohet si çështje më vete, duke i pasur parasysh të dhënat arkeologjike dhe historiografike,[35] jo vetëm në kuptim të Albanopolit (antik), por edhe të Arbanonit (mesjetar), sepse paraqesin një zhvillim historik në shumë pikëpamje. Mirëpo, këtu çështjen nuk po e konsiderojmë të dyshimtë për sa i përket trevës së sotme shqiptare, sepse as nga literatura shkencore e dijetarëve të huaj, kjo çështje nuk është kontestuese.[36] Madje V. Popoviqi mendon se ubikacionin e Arbanonit në shek. XI-XII, duhet konsideruar më të hershmën bërthamë të fuqishme (“prvobitnog čvrstog jezgra”) të shqiptarëve, që të shpie përsëri në kohën antike, përkatësisht që pajtohet plotësisht me argumentin tonë.

Së këndejmi, çështja e ubikacionit, edhe nga zgjidhja e këtij problemi, nuk do të thotë se janë zgjidhur të gjitha problemet, që shtrohen para nesh, përkitazi me Albanopolin antik; sidomos zgjon interes koha e themelimit të këtij qyteti, zhvillimi dhe marrëdhëniet me qytetet e tjera, siç ishin Shkupi dhe Durrësi, i cili në kohën e pushtetit bizantin në shek. IX ishte qyteti kryesor i Arbërit në organizimin e themave.

Shikuar sub specie mundi, etnonimi alban, në këtë shkallë të vetëdijes së zhvilluar, dëshmohet në rrjedhat e fuqisë titanike traditore, që gjatë shekujve ishte më e fuqishme se raca, religjioni dhe ekonomia. Prandaj etnonimi, bashkë me toponimin, do të jetë dëftues i sigurt i njëfarë diferencimi etnik edhe në periudhën prej antikës deri në mesjetë, për të lidhur fisin antik me popullin shqiptar në bashkëkohësi, dhe, më në fund, për të dëshmuar faktin se të gjitha destabilizimet në përdorimin e këtij emri nacional, vinin nga faktori i jashtëm, sidomos nga traditat shkrimore administrative të qeveritarëve të huaj. Një stabilizim traditor do të shfaqet edhe në mesjetën e vonshme me mbisundimin definitiv të emërtimit arbanitë, përkatësisht albanë, mbi emërtimet ilirë, epirotë, makedonë dhe të emërtimeve të fiseve të tjera ilire që jetonin në trevat, ku jetojnë edhe sot shqiptarët. Ndërkaq, gjurmët e etnonimit shqiptar nuk do të ndeshen në antikë, e as në mesjetë, kurse zëvendësimi i nomenklaturës së mëparshme gati njëmijë vjeçare, me një nomenklaturë vendëse, domethënë nga pushtuesit e rinj të cilët nuk e përfillnin etnoniminë e vjetër (sepse nuk e njihnin), tregon një siguri të madhe në burimësinë (shqiptare) të trajtës arbër, të përdorur në shek. XI-XII nga bizantinët dhe sllavët.

Shikuar nga ky këndvështrim, krahasimi i albanëve antikë dhe të Albanopolit të tyre me arbëneshët e mëvonshëm, përkatësisht me shqiptarët, mund të bëhet deri diku sikur midis grekëve (gr. Graikoi, lat. Graeci) dhe fiseve të tjera helene, [37] [38] edhe midis fiseve italike, e sidomos me emrin e “frankëve,” si emër fisi, të “Francës” së tyre, si emër territori, dhe të francezëve, si emër i banorëve të një territori të kufizuar, pavarësisht se ata nuk ishin më “frankë,” të cilin emër, në zëvendësim me “galët”, e kishin pranuar nga një fis gjermanik i frankëve.

Në fakt, nga këto krahasime të mundshme, as grekët, as romakët (krh. populus Romanus, lingua Latina), por as italianët modernë nuk paraqiten tërthorazi etnonimit të tyre në mënyrë më burimore se arbëneshët. Në mes të këtyre arbëneshëve dhe albanëve antikë do të konstatohet vazhdimësia kulturore, në kuptim të ruajtjes së kulturave, sikur edhe ajo etnike, në kuptim të ruajtjes së etnitetit të tyre relativisht të madh, ngase, siç dihet, popuj të pastër dhe gjuhë të pastra nuk ka askund në botë.

Në vazhdimësinë e tyre historike, pra, albanët antikë të Shqipërisë së Mesme e kanë ruajtur trajtën gjuhësore të emrit në gjuhën shqipe dhe në të gjitha gjuhët e popujve të tjerë, që kanë pasur të bëjnë me shqiptarët gjatë shekujve: sidomos dallohen trajtat në greqishten bizantine, në latinishte (dhe në gjuhë të tjera romane), në sllavishte (sidomos në serbo – kroatishte e bullgarishte) dhe turqishte.

Në këtë mënyrë sqarohet dhe jepet përgjigja përse ky etnonim ngeli në heshtje në një periudhë të gjatë prej afro nëntë shekujve, që do të thotë, prej kohës së Ptolemeut (shek. II) deri te A. Komnena (shek. XI). Vështruar nga aspekti i brendshëm, zgjerimi dhe shtrirja e trajtës jashtë kufijve të Arbnis së mirëfilltë mund të ketë vetëm një kuptim dhe ai është në lidhje të drejtpërdrejtë me pranimin e këtij emërtimi nga krahinat e tjera (shqiptare), dhe kjo përhapje do të ketë ndodhur para shek. XI.

Emri gjeografik nuk është vetëm monument gjuhe, por ai është edhe dëftues hapësinor dhe kohor për identifikimin e rrjedhave migruese e kulturore edhe në kuptim të shtrirjes së banorëve të kësaj kryeqendre. [39] [40]/drita.info

 

[1]Këtu është fjala, para së gjithash, për jetën qytetare në antikë, të mbështetur kryesisht në të dhënat arkeologjike nga territori i qyteteve (antike) Lisi, Skodra, qyteti në Zgërdhesh, qyteti në Selcën e Poshtme te Pogradeci (Pelon?), në Belsh të Elbasanit, Dimale, Bylis, Amantia, etj. të paraqitura edhe te: Iliria II-Qyteti ilir.

[2]Krh. K o r k u t i, Rreth formimit të etnosit ilir, te: Studime ilire I, p. 47.

[3]Këto qytet, ndërmjet të tjerësh, janë: Stubera, Arg, Eordeja.

[4]Krh. F. Papazoglu, Makedonski gradovi, 23.

[5] Zef Mirdita, Studime dardane, “Rilindja”, Prishtinë, 1979, p. 114.

[6]Ilirët dhe Iliria, pp. 454-455.

[7]S . Islami, Lindja dhe zhvillimi i jetës qytetare në Iliri, te: ”Iliria II”, p. 11.

[8]Krh. S. Islami, Shteti ilir, vendi dhe roli i tij në botën mesdhetare, te: “Studime ilire” I, p. 57.

[9]Per analogiam mund të bëhet krahasimi me emrin e qytetit të Konstantinopojës, i cili në formën Instanbul del nga gr. eis ten Polin (= në Qytet, me kuptim: në drejtim të Qytetit, drejt Qytetit), të formuar sipas normës gjuhësore të turqishtes, duke hequr te emri Polin fundoren -in, e cila në turqishten ka kuptimin e mbaresës së vendores së njëjësit. Prandaj edhe huazimi është bërë duke dëgjuar turqit (e ardhur) se si po shpreheshin grekët që shkonin “drejt Qytetit”.

[10]Per analogiam mund të referohet burimi i shkrimeve historike të Hekateut nga fundi i shek. VI para e.s. se te taulantët gjendej një polis që quhej Sesarethos. (Krh. Frano Prendi, Urbanizimi i Ilirisë së Jugut, te: “Studime ilire” I, p. 74.)

‘”111,13,3.

[12] Krh. F. Papazoglu, Makedonski gradovi u rimsko doba, pp. 257-302.

[13]Albana antike mendohet se është Labini i sotëm në Histri dhe një tjetër Labin afer Trogirit. (Krh. S i m u n o v i ć, Istočnojadranska toponimija, p. 40.)

[14]I s 1 a m i, Qyteti ilir në Zgërdhesh, p. 206; Idem, Nč gjurmčt e Albanopolit tč vjetčr, te: Fjala, 4 prill 1970, p.18.

[15]Krh. V. P o p o v i ć, Albanija u kasnoj antici, p. 205.

[16]Peri tes autochthonias ton Albanon, Gottingae, 1855

[17]S. Islami, Zgërdheshi ilir, 33.

[18]Acta e diplomata, I, 57.

[19] Borka Dragojević – J o s i fov sk a, AD SPOMENIK, LXXI, 557 Albanopolis, te: “Živa antika,” XXX, 2, Shkup, 1971, 513-522; Idem, Iscriptions de la Mćsia Supćrieure, VI, Scupi et la region de Kumanovo. Nr. 142. Beograd, 1982, pp. 135-136.

[20]Sipas rezultateve të hulumtimeve arkeologj ike, të konstatuara nga I. Mikulëias (Teritorija Skupa, Živa antika, XXI, 2(1971), pp. 465.), në këtë tërësi geomorfologjike janë evidentuar 160 lokalitete nga periudha romake, të cilat, sipas karakterit dhe vëllimit, mund të definohen më përsafërmi ; 50 vila, 70 nekropole, 25 kështjella, praesidia, refugia, dhe 15 vende të kultit.

[21]Pjesën e sipërme të stelës e zbukuron rozeta e stilizuar gjeometrikisht dhe e detajizuar me viza spirale, kurse madhësia e tabelës me mbishkrim është në gjerësinë 35 cm dhe në lartësi 43 cm – sipas konstatimit të B. D. Josifovska.

[22]Sipas mendimit të Z. Mirdita (Antroponimia e Dardanisë në kohën antike, “Rilindja”, Prishtinë, 1981, p. 214): trajta: posui, është më pak e besueshme, sepse në vazhdim do të duhej të ishte et viro meo (e jo viro suo).

[23] B.D. Josifovska (op.cit., p. 516.) nuk e përjashton mundësinë e një teksti edhe më të gjatë se ky, ku do të ketë pasur edhe shënime të datave të të vdekurit.

[24] R . K a t i e i as, Die illyrischen Personnamen in ihrem siidostlichen Verbreitungsgebiet,

te: “Živa antika,”XII, 1. (1962), Skopje, 1962, p. 112: Posa Ulionis Maci.

[25]Krh. D. V uëkoviae-Todorovias, Styberra, te: “Archaelogia Iugoslavica” IV, Beograd, 1963, p. 80: Posis Maniu dhe Posis Marku, ku dallohet edhe sistemi i formimit të mbiemrave (Maniu, Marku) nga gjinorja, i cili sistem është ruajtur edhe sot e kësaj dite te shqiptarët.

[26] Krh. Colonia Flavia Scupi.

[27] A. M a y e r, Die Sprache der alten Illyrier,Wien, 1957, p. 234.

[28]Krh. A. Paci, Ja Shqipëria në vitet 1688 dhe 1695, te: #Bota sot”, më 21.08.2005, p. 22.

[29]Vëzhgime iliro – shqiptare, 67.

[30]Is l a m i, Qyteti ilir Zgerđheshi, 195.

[31]Shuteriqi, Mbi disa çështje të Arbërit, pp. 189-209.

[32] Ph.J.Fallmerayer, Das albanesische Element in Griechenland I, Miinchen, 1857, p. 93.

[33]Në trajtën Skampis, të shënuar edhe te Ptolemeu, dhe sidomos në trajtën (latine) Scampa, është quajtur jovetëm Elbasani (i cili e ka ndërruar emrin më vonë), por edhe lumi Shkumbin.

[34]Jačov, Spisi Kongregacije, I, pp. 362, 402, 406, 408.

[35]Krh. Osman Myderrizi, Albanopolis; Hasan Čeka, Urbs Valmorum i Barletit dhe Albanopolisi i Ptolemeut, te: BUSHT, SSHSH, 1/1959, Tirane, 1959, pp. 139-156.

[36]Krh. A.Ducellier, L’Arbanon et les Albanais au XI ; Idem, La facade maritime de l’Albanaie au Moyen Age; G. Stadtmuller, Forschungen ; J. Ferluga, Drač i njegova oblast, p. 110.

[37]V . P o p o v i ć, Albanija u kasnoj antici, p. 245.

[38]Grekët e krishterë, pra, ata të kohës bizantine, e braktisën emrin e tyre kombëtar – helen (gr.) Helenes – në zëvendësim me emrin Romei (Romaios) dhe me gjuhën e tyre romeika, që më vonë, përsëri, me fitimin e pavarësisë nga turqit më 1830, ta zëvendësojnë me emrin e vjetër Helenes. Edhe zëvendësimi i emrit të tyre në antikën (romake) me emërtimin Graeci, që ishte një fis i vogël e mjaft i panjohur, nuk mund të jetë në lidhje me stabilitetin traditor në përdorimin e etnonimit. Siç dihet, nga ky emërtim grekët do të bëhen të njohur në gjuhët e tjera, pse në Evropë në një periudhë edhe kultura greke u përhap përmes gjuhës latine.

[39]  Krh. Buda. Shkrime historike 1, p.l 19.

[40] Emrat e vjetër të Italisë ishin:Ausonia, Hisperia, kurse ky -Italia- mendohet të ketë burimin nga eponimi i (mbretit legjëndar) Italos, të permendur fillimisht te Thukididi (VI,2,4.) dhe Aristoteli (Polit. VII,9,2.), shpjegim ky mjaft i ngjashëm me etnonimin e ilirëve nga eponimi Illyrios, që ishte i biri i Troes dhe heroi i Ilionit.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »