“Ati ynë”, modeli i lutjes

Jun 21 • Meditimi i ditës

21 qershor 2018 – E enjte, Shën Luigj Gonzaga, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Sir 48,1-14; Ps 96; Mt 6,7-15)

 

Prania e Hyjit
Në heshtjen e qenies sime më intime,

në fragmentet e unitetit tim shumë të dëshiruar,

a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?

A mund t`ia kujtoj vetes kur e kam ndier afërsinë e Hyjit;

kur kemi ecur së bashku, duke i lejuar vetes që të përqafohem me dashurinë e Hyjit?

 

Liria
Lutem për hirin e shenjtë

Që të besoj në gjithë atë çfarë do të mund të isha dhe të bëja

vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që gjithçka krijon nga dashuria,

që të vazhdojë të më krijojë, udhëheq dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi
Më ndihmo, o Zot, që të jem edhe më i/e vetëdijshëm për afërsinë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Mbushe zemrën time me falënderim për shkak të dashurisë sate

të cilën ma ke treguar nëpërmjet njerëzve tjerë.

 

Fjala
Tani e lexoj, e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Dëgjoj me vëmendje dhe kuptim

dhe ia vë mendjen fjalës a ngjarjes që më lë përshtypje.

Përgjoj, çfarë po ndodh në zemrën tënde.

 

Mt 6, 7-15

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:

7 E kur të luteni, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja nëse thonë shumë fjalë. 8 Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni.

9 Prandaj lutuni kështu:

Ati ynë që je në qiell,

u shenjtëroftë Emri yt!

10 Ardhtë Mbretëria jote!

U bëftë vullneti yt

si në qiell ashtu në tokë!

11 Bukën tonë të përditshmen na e jep sot!

12 Na i fal fajet tona,

si i falim ne fajtorët tanë!

13 E mos na lër të biem në tundim,

por na shpëto nga i Keqi!

14 Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve; 15 por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Kjo lutjee thjeshtë që Jezusi na mësoi është e re dhe e freskët edhe sot, sikurse kur ajo u shqiptua të parën herë. Ajo zbulon se si duhen qenë gjërat midis Hyjit dhe vetes sonë, si dhe ne njerëzve në mes veti.
    • Thuaje pa u ngutur uratën Ati ynë, si ta lutje atë për herë të parë. A është lutja Ati ynë model për mënyrën time të zakonshme të lutjes?

Sa më shumë e lus Uratën e Zotit, aq më shumë e kuptoj se është shprehje e çdo lutjeje të krishterë, shkollë e vërtetë lutjeje. E lexoj, e dëgjoj edhe një herë Ungjillit e paraparë për sot; nëse duhet disa herë; pa u ngutur do të pushoj në çdo frazë, fjalë, do të ndalem aty ku ndihem i frymëzuar ose më afër Atit.

 

Bashkëbisedimi
I jap nder e lavd Hyjit, lutem që të kryhet vullneti i Tij dhe të vijë Mbretëria e Tij.

Lutem për bukën e përditshme duke besuar se Ati im kurrë nuk do të më mashtrojë dhe të më lë në mëshirën e fatit, kështu që nuk kam nevojë të krijojë rezerva.

Lutem që të jem i/e aftë për të falur, për të pranuar faljen; lutem edhe për ndihmë dhe mbrojtje në vështirësi. 
Kërkoj hirin që lutja ime të jetë lutje e nxënësit të Jezusit, e birit/bijës së vërtetë të Atit.

 

Përmbyllja
Faleminderit, o Zot, për këto momente që i kalova vetëm me ty. Lutja jote e mrekullueshme që na mësove përmban gjithë atë që dua të them.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »