Ekzorcizmi dhe Djalli (II)

Jun 22 • INTERVISTË

Vazhdim i intervistës së mëparshme të ekzorcistit me famë botëror, atë Gabriel Amorth. 

 

Djalli a është një person real apo është një alegori: që domethënë se e keqja ekziston vetëm në mënyrë simbolike dhe metaforike?

Djalli është një qenie shpirtërore, personale, shumë inteligjente, me një fuqi jashtëzakonisht të madhe. Duhet theksuar se të njëjtën inteligjencë dhe fuqi që e kishte kur ishte i krijuar nga Hyji, si më i bukuri dhe më madhështori i të gjithë engjëjve, e ka ruajtur ende, vetëm se tani e përdorë kundër Hyjit, d.m.th. për të keq.

 

Kur flitet për inteligjencën e Djallit, a do të thotë se ai mund të bëjë gjithçka, se mund të bëjë edhe gjëra të jashtëzakonshme, mund t’i ndryshojë ligjet e natyrës?

Nuk mund t’i ndryshojë ligjet e natyrës, por mund t’i njoh shumë gjëra që ne nuk i njohim dhe të nxjerrë nga e tashmja edhe fakte që i takojnë së ardhmes. Ai nuk e di të ardhmen, por nga faktet e tanishme mund të nxjerrë faktet për ardhmen. Për shembull unë nuk di që do të kem një tumor, ai e di dhe e di se itinerari i këtij tumori mund të parasheh ditën e vdekjes sime, sepse nga një fakt i tanishëm mund të nxjerrë një fakt të ardhshëm, por përndryshe të ardhmen nuk e di, nuk e njeh.

 

Ju keni thënë se Djalli është një qenie shpirtërore, por a është e mundshme të preket, të eksperimentohet dhe të bëhet përvojë me një qenie të tillë?

Nuk mund të bëhet përvojë e ndjeshme, pikërisht për faktin se është shpirt, pra, nuk mund të paraqitet. Kur ne e paraqesim me brirë, lakuriq, me thundra etj., i gëzohet jashtëzakonisht shumë, sepse Djalli bën çmosin për ta bërë të pabesueshme prezencën e tij, bën gjithçka që të mos besohet ekzistenca e tij. Kështu, pra, duke e bindur njeriun se kinse nuk ekziston, ai do të mund të veprojë lirshëm.

 

Në lidhje me këtë, a është Djalli vetëm një figurë e religjionit kristian – hebraik apo është i pranishëm edhe në religjione tjera?

Djalli është prezent në të gjitha religjionet, në të gjithë popujt, në të gjitha racat. Edhe në qytetërimet më të lashta gjithmonë ka qenë perceptimi i ekzistencës së një shpirti të keq nga i cili duhet mbrojtur, ndoshta edhe përmes kushtimit të kafshëve, të dhuratave tjera, për fat të keq edhe përmes kushtimeve apo sakrifikimeve njerëzore, ndoshta me rite të praktikuara nga shtriganët (magjistarët), në bazë të asaj që ishte kultura e popujve të ndryshëm. Por, popujt e të gjitha kohërave dhe religjioneve kanë perceptimin e ekzistencës së një shpirti të keq.

 

Të kthehemi paksa te ne. Sipas Biblës, librit frymëzues të të krishterëve, si perceptohet Djalli?

Bibla na jep përshkrimin më të saktë, njohjen më ekzakte të Djallit. Në Bibël thuhet se Hyji i ka krijuar shpirtrat e pastër. Ai i ka krijuar të gjithë të bukur, të mirë, inteligjent, të shenjtë dhe u ka dhënë dhuratën e vullnetit të lirë, dhuratën e lirisë. Pikërisht në këtë, Djalli që ishte më i ndrituri dhe më i bukuri i të gjitha qenieve, ka përvetësuar titullin e të qenit si Hyji, aq më tepër ka dashur dhe ka pretenduar të jetë vetë Hyj. Atëherë është rebeluar kundër Hyjit, duke tërhequr në rebelimin e tij edhe shumë demonë tjerë. Duke u rebeluar ndaj Hyjit, është bërë armik i Tij, është bërë ai që kërkon të largojë nga Hyji të gjitha krijesat tjera.

 

Pra, veprimi i Djallit është diçka konkret?

Po, është një veprim jashtëzakonisht konkret, një veprim shumë inteligjent. Djalli është shumë aktiv, jemi ne të padijshëm për të mos kuptuar praninë dhe veprimin e tij. Duhet theksuar se Djalli ka dy veprime: ka një veprim të zakonshëm, të cilit i jep rëndësi më tepër; Tunduesi dëshiron ta tundojë njeriun në të keq, për ta rrëzuar në mëkat. Kjo është shumë e rëndësishme për të. Të gjithë ne, nga lindja deri në vdekje, jemi subjekt i tundimeve të Djallit. Edhe Jezusi duke u bërë njeri ka pranuar t’i nënshtrohet tundimeve të Djallit.

 

Në Bibël kemi edhe tundimet e Jezusit. Pra, edhe Krishtin e ka tunduar Djalli në shkretëtirë?

Jo vetëm në shkretëtirë, por edhe gjatë tërë jetës së tij Djalli e kishte tunduar Jezusin, siç thoshte Papa Gjon Pali II në njërin ndër fjalimet e tija: “Djalli gjithmonë e ka tunduar Jezusin dhe Virgjërën Mari, Zojën e bekuar”.

 

Kjo domethënë se edhe Jezusi ishte subjekt i së keqes, i Djallit?

Po, edhe Jezusi ishte subjekt i tundimeve të Djallit, por Jezusi ka fituar gjithmonë mbi to. Edhe njeriut iu ka dhënë fuqia t’i luftojë dhe të ngadhënjejë mbi tundimet e të Keqit. Në çfarë mënyre? Përmes vigjilencës dhe lutjes. Pa vigjilencë dhe lutje është e pamundur t’u rezistohet tundimeve të Djallit. Madje, nuk mjafton vetëm vigjilenca, por është shumë e rëndësishme t’i ikim tundimeve, të kemi kujdes me natyrën tonë të lënduar dhe të sëmurë për arsye të mëkatit, të kemi kujdes ndaj tundimeve që bota na paraqet vazhdimisht.

 

Të kthehemi te Djalli ashtu sikur na paraqitet në Bibël, pasi që ajo është burimi i frymëzimit tonë dhe i teologjisë, por edhe i jetës sonë të krishterë. A ekzistojnë figura biblike që mund të krahasohen me hyjnitë pagane?

Jo! Nuk është i krahasueshëm me hyjnitë pagane.

 

Pra, është rezultat i mitologjisë?

Jo! Mitologjia na çon shumë larg nga ajo që është realiteti biblik, që është realitet i vërtetë. Sepse ne, në saje të zbulimit që Hyji ka bërë për ne, e dimë me saktësi kush është Djalli, pra, e dimë që është një shpirt shumë inteligjent dhe i fortë, ka një fuqi të madhe dhe na tundon vazhdimisht. Përveç këtij veprimi të zakonshëm, Djalli mund të veprojë edhe përmes mënyrave të jashtëzakonshme e që janë ato të dhënies së të këqijave të veçanta.

 

A ekziston mundësia që në një moment Djalli të pendohet dhe të kthehet për të qenë një Engjëll i mirë?

Jo, nuk është e mundur, sepse zgjedhja e tij është një zgjedhje e pakthyeshme, përfundimtare. Për këtë shumë herë e kam pyetur Djallin, në ato raste kur ka të bëjë me persona të poseduar, sepse në këto raste e kam një dialog të drejtpërdrejtë me të.

 

Pra, Ju thoni që Djalli nuk mund të pendohet?

Njëherë në formë loje e kam pyetur Djallin: “Nëse do të mundeshe, a do të ktheheshe mbrapa? Ti që me krejt inteligjencën tënde je më e çmendura ndër të gjitha krijesat, me inteligjencën e pafund tënden ishe në parajsë e tani je në ferr. Nëse do të mundeshe a do të ktheheshe mbrapa?”. Gjithmonë më kanë përgjigjur: “Do ta bëja të njëjtën zgjedhje. Nuk do të kthehesha kurrë”. Më kanë përgjigjur kështu, sepse ata mendojnë se duke iu rebeluar Hyjit, kanë bërë një veprim të madh ndaj Tij. Këtë e thonë haptas dhe krenohen me veprimin e tyre, edhe pse veprimi i tillë i rebelimit ka qenë dhe mbetët dënimi i tyre.

 

Pra, Ju thoni se nuk ka kthim nga kjo rrugë?

Jo, nuk ka kthim. Është rrugë e pa kthim.

 

Në këtë rast, pyetja që vjen natyrshëm është kjo: nëse Djalli e ka zgjedhur të keqen dhe ka hyrë në një rrugë të pa kthim, personi që e dënon veten, personi që bën mëkat mortar dhe që sipas traditës së krishterë shkon në ferr, a do të mund të pendohej, a do të mund të ketë falje për të?

Jo, sepse personi që shkon në ferr domethënë se është ngurtësuar aq shumë në të keqën, saqë është e pamundur të tërhiqet nga ajo. Edhe në këtë pyetje më vjen natyrshëm një episod i Megjugorjes, kur njëherë Mirjana, veguesja e parë, i kërkoi Zojës së Bekuar: “Zojë e dashur, a nuk është e mundur që njeriu i dënuar për ferr të pendohet, a nuk është e mundur që Zoti nga ferri ta kthejë atë në parajsë? Zoja duke buzëqeshur iu përgjigj: “Po, Zoti do të mundej, por janë ata që nuk duan”.

 

Të bën përshtypje të mendosh se ekzistojnë qenie njerëzore dhe qenie shpirtërore, të cilat janë aq shumë të mbërthyera dhe të rrënjosura në të keqën. A është e mundur që personi të bie në një situatë të tillë, saqë mos ta dëshirojë më të mirën?

Personi njerëzor derisa është në këtë jetë mundet gjithmonë të kthehet, të besoj dhe të rikthehet te e mira, por nganjëherë rrënjoset aq tepër në të keqën, saqë nuk është më i mundur kthimi i tij. Është tipike figura e Judës kur në Darkën e fundit, në momentin kur Jezusi ia jep kafshatën për ta ngrënë, Shën Gjoni ungjilltar na thotë se nga ai moment Djalli hyri në të. Kishte përfunduar gjithçka, ishte bërë një i poseduar i Djallit, si person njerëzor kishte bërë një zgjedhje përfundimtare, ishte dënuar vetë./drita.info

 

(Pytjet: Don Giusto Truglia. Përgjigjet: Don Gabriele Amorth. Përktheu dhe përshtati në gjuhën shqipe: Don Anton Uka)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »