Duke takuar të bukurën mund ta takoj Hyjin

Jun 23 • Meditimi i ditës

23 qershor 2018 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Kro 24,17-25; Ps 88; Mt 6,24-34)

 

Prania e Hyjit

Ulem me kujdes një moment dhe hyj në veten time për ta ndier atë përbrenda.

E vërej frymën time: a është duke rrjedhur ajo normalisht dhe në mënyrë të barabartë?

Apo je duke e ndier një shqetësim të brendshëm?

I kushtoj vëmendje trupit tim: Ku është ai i tensionuar?

Hyj dhe e ndiej zemrën time: A është ajo nën presion?

 

Liria
Qetësimi të çon përmes frymës, përmes zemrës dhe përmes trupit në hapësirën e brendshme të heshtjes, në të cilën puna nuk ka qasje.

O Zot, mbushe shpirtin tim me paqen Tënde dhe 
Gëzimin Tënd.

 

Ndërgjegjësimi
Në praninë e Hyjit që më do

e shikoj ditën që po kalon,

duke filluar prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, nga çasti në çast.

I kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë shpreh ndjenja falënderimi.

I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lutem për shërim, guxim, falje.

 

Fjala
Tani e lexoj, e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj, dëgjoj me vëmendje e kuptim

dhe ia vë mendjen fjalisë apo ngjarjes që më lë përshtypje.

 

Mt 6, 25-34

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:

25 “Prandaj po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku? 26 Shikoni shpendët e qiellit! As nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në drithnikë, e Ati juaj qiellor i ushqen! A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata? 27E kush prej jush, me gjithë përpjekjet shqetësuese që mund të bëjë, është i zoti ta zgjasë sado pak jetën e vet? 28 E për veshje, përse brengoseni aq? Shikoni si rriten lilat e fushës: nuk heqin keq as nuk tjerrin! 29 E unë po ju them: as vetë Salomoni me tërë madhërinë e vet nuk është veshur si njëri nga ata! 30Tashti, nëse Hyji e vesh kështu barin e tokës, që sot është e nesër hidhet në furrë, vallë, a nuk do t’ju veshë më me ëndje ju, o fepakët? 31 Mos u brengosni, prandaj, duke thënë: ‘Çka do të hamë?’ e ‘Çka do të pimë?’ ‘Me çka do të vishemi?’ 32 ‑ këto gjëra i kërkojnë paganët ‑ sepse Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto. 33 Kërkoni, pra, më së pari, Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë! 34 Prandaj: mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i del mjaft mundimi i vet!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit e Shenjtë:

 

  • Ky pasazh është me të vërtetë i mrekullueshëm. Ndalu mbi këtë dhe gjeje paqen në të. Hyji është bukuri në vetvete dhe duke takuar të bukurën mund ta takoj Hyjin.
  • Sot, mund të ndjek këshillën e Jezusit dhe t`i shikoj zogjtë e qiellit dhe lilat, zambakët e fushës. Do të mendoj për katastrofën që shtëpisë sonë të përbashkët, planetit, i sjell egoizmi dhe lakmia e pafytyrë – këto specie do të jetojnë nëse i lëmë rehat. E nëse ndërhyjmë dhe kapim për vete atë që iu takon të gjithëve, e vejmë në rrezik këtë ekuilibër të mrekullueshëm. Lutem që njerëzimi të mësojë të sillet me përgjegjësi.
    • Mund t`i kthehem edhe providencës hyjnore në jetën time. “Mos u shqetëso,s
    ecilës ditë i del mjaft mundimi i vet.” Mund ta pyes veten pse jam aq i/e shqetësuar? Do të lutem për hirin e shenjtë të kem besim në Zotin dhe dashurinë e tij ndaj meje dhe ndaj gjithë njerëzimit. E kuptoj se ky besimi nuk do të thotë vetëm pasivitet, por përfshin vullnetin, gatishmërinë që si anëtar i Mbretërisë të angazhohem për jetën e botës.
     

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe një herë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Qëndro në atë fjalë që të lë mbresa – dhe shijoje atë pjesë.

 

Bashkëbisedimi
Jezus, po më premton se Hyji është shpirtmadh, bujar.

Hyjit mund t`i besojmë se ka për të siguruar atë që kemi nevojë në qoftë se më së pari “kërkojmë mbretërinë e Hyjit.”

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që më dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »