Lindja e Gjon Pagëzuesit – paralajmërimi i një misioni të mëshirës

Jun 23 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E kremtja e Lindjes së Gjon Pagëzuesit (B)

 

Leximi i parë   Is 49, 1-6

Shërbëtorit të Jahves i është besuar misioni universal i shpëtimit nga ana e Hyjit. I thirrur për të qenë profet që nga kraharori i nënës ka detyrën për të shfaqur madhështinë e Hyjit në popullin e Izraelit, edhe pse provon dështimin. Por besimi i profetit është i pamposhtur, sepse Hyji është me të. Vështirësitë që takon janë një rast për të shfaqur se asgjë s’mund të ndalë planin universal të shpëtimit të Hyjit.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Më dëgjoni, o ishuj, vështroni me kujdes, popuj të largët: Zoti më thirri prej prehrit të nënës, prej barkut të nënës sime iu kujtua emri im. Gojën time e bëri shpatë të mprehtë, më mbrojti nën hijen e dorës së vet, më bëri shigjetë të zgjedhur e më fshehi në kukurrën e vet dhe më tha: “Shërbëtori im je, o Izrael, në të cilin do ta dëftoj lavdinë time!” E unë thashë: “Kot u mundova, kot i treta forcat e mia! Megjithatë, e drejta ime është me Zotin, shpërblimi im është te Hyji im.” E tash thotë Zoti që më trajtoi që nga kraharori i nënës sime shërbëtor për vete, për t’ia kthyer Jakobin Atij, për ta mbledhur rreth tij Izraelin. U bëra i lavdishëm ndër sytë e Zotit, Hyji im u bë fuqia ime. Ai më tha: “Tepër pak është të me jesh shërbëtor për t’i rilindur fiset e Jakobit, për t’i riatdhesuar tepricat e Izraelit: por të caktoj të jesh drita e popujve që shëlbimi im të arrijë në skaj të tokës!” Fjala e Zotit.

 

Psalmi   139

 

Ref: Ti më thirre nga kraharori i nënës sime

——————————————-

O Zot, ti më shqyrton e më njeh,

ti di kur rri e kur ngritem,

prej së largu i njeh mendimet e mia.

Si në shtegtoj si në pushoj, ti më vëren,

ti i di të gjitha udhët e mia.

——————————————-

Ti je ai që m’i krijove veshkët,

ti më ke endur në kraharorin e nënës!

Të lavdëroj pse më krijove

kaq mrekullisht,

të mrekullueshme janë veprat e tua.

——————————————-

Po, shpirti im mirë e di!

Eshtrat e mi nuk të mbetën të fshehur

kur unë po trajtohesha në fshehtësi

i endur në thellësinë e tokës.

——————————————-

 

 

Leximi i dytë   Vap 13, 22-26

Pali konstaton që ungjillizimi është lidhur ngushtë me persekutimin. Çdo herë që u drejtohet hebrenjve përplaset me refuzimin e tyre, siç i kishte ndodhur Gjonit dhe Jezusit. Kur prania e profetit bëhet e bezdishme, sepse denoncon të keqen, atëherë afrohet momenti i kryqit. 

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë Pali foli e tha: “Zoti i ngriti Izraelit për mbret u ngriti Davidin, për të cilin edhe dëshmoi: ‘Gjeta Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të bëjë gjithçka dua unë.’ Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin. Para ardhjes së Jezusit, Gjoni i predikoi mbarë popullit të Izraelit pagëzimin e kthimit. E kur Gjoni po i jepte fund misionit të vet, thoshte: ‘Unë nuk jam ai që ju mendoni se jam! Por, ja, pas meje po vjen ai, të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh sandalet e këmbëve’. Burra e vëllezër, bij të Abrahamit dhe ju tjerët që besoni në Hyjin e vërtetë, neve na ka qenë drejtuar kjo fjalë shëlbimi.” Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

E ti, o foshnjë, do të jesh profeti i të Tejetlartit, sepse ke për të shkuar para Tij për ta përgatitur udhën e Tij.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Lk 1, 57-66.80

Ndërsa populli hebre është nën sundimin roman, judenjtë janë mbyllur në një respekt të ashpër të traditave të tyre. Por ja, lind një fëmijë dhe gëzimi për lindjen e tij kundërshton klimën e mungesës së shpresës që mbizotëron kudo. Fëmija nuk do të mbajë emrin e të atit sipas traditës, por do të marrë një emër tjetër, simbol i një misioni krejt të ri dhe i mundësisë për tu çliruar nga pesha e së shkuarës. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Elizabetës i erdhi koha të lindë. Dhe ajo qiti në dritë një djalë. Kur fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Zoti e tregoi mirësinë e vet të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.  Të tetën ditë erdhën për të rrethprerë djalin. Donin ta quanin me emrin e t’et, Zakari, e ëma tha: “Assesi, por le të quhet Gjon!” Ata iu përgjigjën: “Askush në fisin tënd nuk quhet me këtë emër.” Atëherë me shenja e pyetën të atin ç’emër donte t’i vinte. Ai kërkoi rrasëzën e shkrimit dhe shkroi: “Gjon është emri i tij!” Të gjithë u çuditën. Po në atë moment i erdhi goja dhe iu zhdërvillua gjuha: fliste dhe lëvdonte Hyjin. Të gjithë fqinjët e tyre i kapi frikë e madhe. Edhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këtë ngjarje. Kushdo që dëgjonte, thoshte në zemrën e vet: “Çka thua do të bëhet kjo foshnje?” Vërtet, dora e Zotit ishte me të. Ndërkaq foshnja rritej e zhvillohej shpirtërisht. Jetoi në shkreti deri atë ditë, kur iu dëftua ballafaqe Izraelit. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Lindja e vetme që Kisha do të kremtojë në liturgjinë e saj, pas Lindjes së Jezusit dhe Maries, është ajo e Gjon Pagëzuesit. Figura e tij është e jashtëzakonshme në historinë e shpëtimit. Është lajmëtari i dërguar prej Hyjit për të përgatitur ardhjen e Mesisë dhe për t’i ftuar të gjithë drejt kthimit.

Kështu këndon ati i vjetër, “E ti, o foshnje, do të jesh profeti i Tejetlartit”. Madje, e tregon të pranishëm: “Ja Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatet e botës”. E akoma ai është “një njeri i ardhur prej Hyjit, për të dëshmuar Dritën”, që është Jezusi. Ai jeton vetëm për këtë: për t’u thënë të gjithëve se i vetmi drejt të cilit duhet të shohim është Jezusi, i vetmi prej të cilit duhet të presim zgjidhjen e të gjitha problemeve është Jezusi. I vetmi që realizon ëndrrat dhe dëshirat tona të jetës, lirisë, të bashkimit të plotë është Jezusi. I Vetmi i Duhuri, i Vetmi që na bën të lumtur.

“Krishti nuk heq asgjë e dhuron gjithçka”. Gjoni është dëshmitar, profet “me çmimin e jetës”. Gjoni shpall me guxim të vërtetën duke dënuar sjelljen imorale të një të fuqishmi e duke e paguar me jetën. Kështu Gjoni me martirizimin e tij parashpall atë të Jezusit, e në këtë mënyrë marrëdhënia e tij me Krishtin arrin kulmin.

Gjon domethënë: Zoti është mëshira. Fillon koha në të cilën mëshira e Hyjit bëhet e dukshme dhe e prekshme nëpërmjet Jezusit, që u shfaq të gjithëve fytyrën e vërtetë të Hyjit të tij dhe Atit, që është pafundësisht i mëshirshëm ndaj njerëzimit mëkatar.

 

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër e motra, t’ia drejtojmë lutjen tonë Atit qiellor që në Shën Gjon Pagëzuesin na ka dhënë një dëshmitar bujar të Mbretërisë së Hyjit që po vjen. Të lutemi së bashku e të themi.

Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!

L. Për Kishën e Shenjtë: që nën shembullin e pararendësit të Zotit, të dijë të rinjohë shenjat e kohëve të reja, edhe në momentet e errëta të historisë. Të lutemi.

L. Për Papën, ipeshkvinjtë dhe të gjithë ministrat e Ungjillit: që të kenë një përkushtim të plotë ndaj Kishës dhe me dëshminë e tyre të zgjerojnë Mbretërinë e Krishtit në botë. Të lutemi.

L. Për të gjithë ata, që ashtu si Gjon Pagëzuesi, përndiqen për shkak të së vërtetës dhe të drejtësisë, sepse përballë fuqive të së keqes provojnë forcën e Shpirtit të Hyjit. Të lutemi.

L. Për ne të gjithë që Hyji të kryejë gjëra të mëdha edhe në jetën tonë të thjeshtë dhe të përvuajtur, ashtu si në jetën e Elizabetës. Të lutemi.

M. O Hyj i mëshirës së pafund, që ke dashur t’i shfaqësh botës misterin e dashurisë sate në lindjen e pararendësit të Birit tënd, të bërë njeri, na kthe drejt teje, që të dimë të pranojmë shenjat e shndritshme që na tregojnë praninë e Mbretërisë sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »