Pritjet, zakonet dhe tradita si pengesë

Jun 24 • Meditimi i ditës

24 qershor 2018 – E diel, Lindja e Gjon Pagëzuesit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 49,1-6; Ps 138; Vap 13,22-26; Lk 1,57-66.80)

 

Prania e Hyjit
Gjëja që përpiqem ta bëj këtu është që kohën ta lë më një anë

dhe të përqendrohem në jetën time, atë fizike – në kohë, dhe atë shpirtërore.

Mundohem ta paramendoj Jezusin si është ulur pranë meje

dhe bisedoj me të mbi të gjitha çfarë është duke më ndodhur në jetë.

Përpiqem ta kuptoj që në mundësi të panumërta

Jezusi hyn në rrethanat e përditshme të jetës sime.

E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.

Ngarkimi dhe detyrime të ndryshme shpesh herë e shmangin këtë vetëdije për praninë e Hyjit në jetën time të përditshme. Jam i/e vetëdijshëm për këtë, dhe dëshiroj të bëjë diçka.

Sa për tash, provoj të qëndroj i/e qetë dhe i/e hapur ndaj asaj çfarë prania e Tij dëshiron të më thotë.

 

Liria
Po të donte Hyji të më thoshte diçka, a do të isha në gjendje ta dëgjoja?

Po të donte të më jepte zemër dhe të më sfidonte, a do të isha në gjendje këtë ta vëreja?

Lutem për hirin e shenjtë të lirimit nga brengosjet vetjake

dhe çiltërinë ndaj asaj çfarë Hyji dëshiron të më komunikojë.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala
Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

 

Lk 1, 57-66.80

 

57 Elizabetës i erdhi koha të lindë. Dhe ajo nxori në dritë një djalë. 58 Kur fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Zoti e tregoi mirësinë e vet të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.

59 Të tetën ditë erdhën për të rrethprerë djalin. Donin ta quanin me emrin e të atit ‑ Zakari, 60 por e ëma tha:

“Assesi, por le të quhet Gjon!”

61 Ata iu përgjigjën:

“Askush në fisin tënd nuk quhet me këtë emër.”

62 Atëherë me shenja e pyetën të atin ç’emër donte t’i vinte. 63 Ai kërkoi rrasëzën e shkrimit dhe shkroi: “Gjon është emri i tij!” Të gjithë u çuditën. 64 Po në atë moment i erdhi goja dhe iu zhdërvjellua gjuha: fliste dhe lëvdonte Hyjin.

65 Të gjithë fqinjët e tyre i kapi frikë e madhe. Edhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto ngjarje. 66 Kushdo që dëgjonte, thoshte në zemrën e vet: “Çka thua do të bëhet kjo foshnje?” Vërtet, dora e Zotit ishte me të.

80 Ndërkaq foshnja rritej e zhvillohej shpirtërisht.

Jetoi në shkretëtirë deri atë ditë, kur iu dëftua ballafaqe Izraelit.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Sot festojmë ditëlindjen e Gjon Pagëzuesi, një veçori e rrallë që ndan me Jezusin dhe Zojën tonë. Si një nga shumë persona të Besëlidhjes së Vjetër, që luajtën një rol të rëndësishëm në historinë e shpëtimit tonë, Gjoni lindi nga një grua beronjë në moshën e saj të shtyrë.
  • Shpëtimi ynë është vepër e Hyjit. Bota jonë është shumë e vetë-mjaftueshme për të pranuar se kemi nevojë për një shpëtimtar. Rrethanat e tanishme në botë me kaq shumë dhunë dhe dhimbje në marrëdhëniet ndërpersonale mund të na inkurajojnë që t’i lutemi më shumë Hyjit për të na shpëtuar. Edhe pse ai nuk na shpëton pa bashkëpunimin tonë, vullneti i tij është të shpëtojë botën dhe të ketë një fund të lumtur.
  • Farefisi dhe fqinjët e Elizabetës dhe të Zakarisë supozonin (nënkuptonin) se do të vazhdonte tradita familjare për shkak se Zakaria i përkiste shtresës, shoqërisë së lartë. Si “prindër të rinj” ishin mjaft të moshuar dhe mjaft të mençur për të kuptuar që fëmija i tyre meritonte një emër të ri – ata e dinin se Hyji vepron në mënyrë të re.
  • Do të reflektoj se si me pritjet, sjelljet, zakonet apo traditën time mund të ndodh që ta kufizoj vetveten dhe të tjerët.
  • “Sepse dora e Zotit ishte me të”. Sigurisht që nuk kam një mision aq të rëndësishëm siç e kishte Gjon Pagëzuesi, por pa marrë para sysh se në çka jam i thirrur, e di se dora e Zotit është me mua. Falënderoj Zotin për praninë e tij të fuqishme në jetë. I kërkoj të forcojë besimin tim. 

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit të Shenjtë edhe njëherë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Qëndro në atë fjalë që të lë mbresa – dhe shijoje atë pjesë.

 

Bashkëbisedimi
Jezus, ti na thërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë.

Më ndihmo të shkoj përtej zonës sime të rehatisë dhe të jap fryt në shërbimin tënd.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »