Dhembshuria na mbron nga (para)gjykimet

Jun 25 • Meditimi i ditës

25 qershor 2018 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Mbr 17,5-8.13-15a.18; Ps 59; Mt 7,1-5)

 

Prania e Hyjit
Ndërsa je duke u përgatitur për këtë tërheqje të shkurtë shpirtërore, pusho një moment.

Merr disa herë frymë thellë dhe lejoji vetes të rritesh në heshtje.

Ji i/e vetëdijshëm/e për praninë dashuruese të Zotit në ty.

 

Liria
Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.
Madje edhe nëse jam fizikisht i robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdori mençur.

 

Ndërgjegjësimi
Jetoj në një rrjetë marrëdhëniesh – lidhjesh me natyrën, me njerëz, me Zotin.

I lejoj vetes t`i ndiej këto lidhje duke falënderuar për jetën që rrjedh përmes tyre.

Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, dëmtuar, ose janë ndërprerë:

për këtë arsye ndoshta ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.

Lutem për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala
Në gjendjen momentale të shpirtit do të përqendrohem me besim në tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe se ai mund të të frymëzojë që të zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe kuptim; përgjo çfarë është duke ndodhur në zemrën tënde.

 

Mt 7, 1-5

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:

“Mos gjykoni, që të mos gjykoheni! 2 Sepse me çfarë gjykimi të gjykoni, me atë do të gjykoheni! E me atë masë që matni, me atë edhe juve do t’ju matet. 3 Pse e shikon lëmishten në sy të vëllait tënd, kurse nuk e sheh traun në syrin tënd? 4 Dhe, si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Prit të ta nxjerr lëmishten nga syri yt’, ndërsa ke traun në syrin tënd? 5 Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt, e pastaj do të shohësh ta nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Ne shumë lehtë dimë të jemi të verbër për gabimet tona personale, kurse shumë të ndjeshëm dhe vigjilent për ato të të tjerëve. Njeriu është i prirë ta favorizojë vetveten dhe të ketë paragjykime për të tjerët. Është më e lehtë të thuhet se problemi nuk është tek unë, por diku tjetër. E vërteta është se, shpeshherë  personi tjetër është një sfidë për mua, përndryshe pse do të isha kritik? Kjo mund të jetë sfiduese për të pranuar të vërtetën mbi veten time.
  • “Kush jam unë për të gjykuar?” është një nga deklaratat më të famshme të Papa Françeskut. Është e rëndësishme për shkak se e prek një pikë shumë të ndjeshme të shoqërisë sonë pluraliste. Si mund ta gjykojmë sjelljen e të tjerëve? Nganjëherë kjo mund të kalojë e të bëhet një qëndrim pasiv i moskokëçarjes ndaj të tjerëve: nuk do të të gjykoj, sepse je përgjegjës për zgjedhjen tënde; mos prit që unë të të ndihmoj në ndonjë mënyrë, sepse nuk jam përgjegjës për ty fare.
    • Jezusi thotë diçka krejt tjetër: ji i kujdesshëm të mos i gjykosh të tjerët më ashpër sesa vetën, përpiqu të jesh i lirë nga paragjykimet, sepse ato mund ta errësojnë gjykimin tënd.
  • Ndryshimi, kthimi apo shndërrimi fillon në shtëpi, duke u interesuar për historinë/biografinë e tjetrit, duke e parë angazhimin e tij/saj në mënyrë të qartë dhe duke qenë i/e sinqertë në lidhje me këtë. Ndryshimi i vogël është i mundshëm nëse e pranojmë se kemi nevojë për të. Ne duhet të falim, duhet të shohim të mirën te të tjerët dhe të shmangim krahasimet. Të qenët i hapur ndaj udhëheqjes së Zotit është një parakusht për një qasje të shëndetshme kundruall situatave të caktuara.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit e Shenjtë edhe njëherë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Qëndro në atë fjalë që të lë mbresa – dhe shijoje atë pjesë.

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për t`u përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
“Së pari nxirre trarin nga syri yt”. Lutem për dritë që të jem i/e vetëdijshëm/e për paragjykimet e mia dhe për fuqinë t’i largoj ato. Mbi të gjitha, lutem që të kem dhembshuri dhe butësi ndaj vetes dhe atyre mendimin dhe sjelljen e të cilëve e kam vështirë ta pranoj.

Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »