Të tjerët do të na njohin sipas fryteve tona

Jun 27 • Meditimi i ditës

27 qershor 2018 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Mbr 22,8-13; 23,1-3; Ps 118; Mt 7,15-20)

 

Prania e Hyjit
Nganjëherë më pushtojnë brengat e kësaj bote.

Në kohën si kjo tani bëj që të bëhem i/e vetëdijshëm/e për kënaqësinë e pranisë sate, o Zot,

si dhe për dashurinë tënde të pakufi ndaj meje.

 

Liria

Shumë vetë në këtë moment janë duke pësuar tmerret e luftës.
E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë time
dhe lutem për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Hyji i flet çdonjërit  prej nesh personalisht.
Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.
E lexoj, e dëgjoj tekstin, pastaj vërej çka po ndodh në zemrën time…


Mt 7,15-20

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:

15 “Ruajuni prej profetëve të rrejshëm, që vijnë tek ju e ju shtiren si dele, kurse përbrenda janë ujq grabitqarë. 16 Do t’i njihni prej fryteve të tyre. A thua vilet rrushi prej ferrave ose fiqtë prej murrizave?

17 Kështu çdo pemë e mirë, jep fryte të mira, kurse çdo pemë e keqe jep fryte të këqija. 18 Një pemë e mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një pemë e keqe nuk mund të japë fryte të mira. 19 Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr. 20 Kështu, pra, do t’i njihni profetët prej veprave të tyre.”


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Ekzistojnë mesazhe dhe apele të ndryshme popullore, por që duke i krahasuar me Ungjillin nuk janë të vërteta. Disa parashikojnë ndëshkime dhe ditë të zeza, ndërsa të tjerë paraqesin gjëra më liberale. Profetët e vërtetë mësojnë rrugën autentike të Krishtit, ndërkohë që shumë mësues të rremë në historinë njerëzore shpallin mesazhin e tyre vetjak. Ky është për ne një kujtues për të qenë të kujdesshëm dhe vigjilentë, për të qenë në gjendje të reflektojmë dhe të shoshitim atë që është e vërtetë.
  • Jezusi na paralajmëron që të jemi të kujdesshëm kur janë në pyetje profetët e rremë. Na jep udhëzime shumë të qarta dhe konkrete për të bërë dallimin: njohjen e fryteve. Bota jonë shpesh di të jetë shumë e pështjelluar duke na dhënë aq shumë premtime për lumturi dhe pasuri dhe njëkohësisht duke qenë aq e mbushur me vuajtje dhe vetmi. Duhet të dallojmë, kuptojmë se nuk ka vetëm profetë të rremë, që japin fryt që nuk është i mirë, por edhe profetë të mirë, mesazhi i të cilëve është i vërtetë, sepse jep fryt të mirë.
  • Një pemë nuk prishet brenda natës. Përkundrazi, kalbja fillon nga brenda dhe kjo merr kohë para se të bëhet evidente. Paraqitjet e jashtme mund të jenë të mira, por vërehet humbja e fryteve. Ne humbasim drejtimin kur pak nga pak gjërat e vogla na zvarritin dhe kjo fillon të na shkëpusë nga drejtimi i parë. Nga ana tjetër, rritja në të mirën është evidente. Tek ne ka potencial për të mirën dhe Zoti dëshiron që ta zhvillojmëatë. Të tjerët do të na njohin prej fryteve tona.
  • Në këto pak pasazhe mund të mbes shtang nga fjalët e Jezusit lidhur me gjykimin e ardhshëm: një pemë që nuk prodhon fryt të mirë do të pritet dhe do të hidhet në zjarr. Jam i ftuar të sjell fryte të mira me një shpejtim të caktuar.
  • Lutem për hirin e shenjtë të di t`i shoshis gjërat, të kem njohje dhe mençuri të brendshme. 

 

Zoti na e zbulon veten e vet nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Ungjillit edhe një herë, nëse duhet disa herë.

Qëndro në frazën, shprehjen e pjesës së sotme të ungjillit që më së shumti të lë mbresa.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët tua, o Zot, më mësojnë se si duhet të lutem.

Urata e mrekullueshme Ati ynë

përmban  gjithçka dua të them.

Ati ynë…

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »